Analize22 Mar 2020

KPA la në fuqi shkarkimin për Belishtën, por rrëzoi raportin negativ të DSIK

Ish-kryetari i Gjykatës së Korçës, Admir Belishta fitoi disa prej pikave në procesin e kryer para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, por nuk arriti të ndryshojë vendimin e shkarkimit për “cënim të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë”.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjatë seancës dëgjimore ndaj kryetarit të Gjykatës së Korçës Admir Belishta ne KPK. Foto:Vladimir Karaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit i dha të drejtë shkallës së parë të vetingut për shkarkimin nga detyra të ish-kreut të Gjykatës së Korçës, Admir Belishta, ndërsa ndau konkluzione të ndryshme për disa prej fakteve.

Çështja e Belishtës në Apel u shqyrtua nga trupa e drejtuar nga Sokol Çomo, me relatore Albana Shtylla dhe anëtarë Ina Rama, Natasha Mulaj dhe Rezarta Scuetz.

Sipas Kolegjit, ish-gjyqtari Belishta ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë me ndërtimin pa leje të kryer në fshatin e lindjes dhe mosmarrjen e masave për të mundësuar ankimimin e Prokurorisë kundër një vendimi gjyqësor për një të dënuar për vrasje, duke ia mohuar këtë të drejtë kushtetuese organit të akuzës.

Kolegji evidentoi gjithashtu se disa prej shkaqeve të ankimit të Belishtës ishin të bazuara, por jo në masën për të ndryshuar vendimin e shkarkimit të tij.

“Megjithëse disa prej shkaqeve të ankimit, të parashtruara nga subjekti i rivlerësimit e të analizuara nga trupi gjykues i Kolegjit rezultuan të bazuara, ato u vlerësuan prej tij si të pamjaftueshme për të ndryshuar vendimin e Komisionit,” thuhet në vendimin e arsyetuar të Kolegjit.

Kërkesa e Belishtës për paraqitjen e provave të reja është rrëzuar nga Kolegji me argumentin se subjekti nuk ka provuar se ishte në pamundësi të paraqitjes së tyre që në fazën e hetimit administrativ.

Ndërtimi i paligjshëm

Ashtu si KPK, edhe Kolegji argumenton se ish-kreu i Gjykatës së Korçës ka kryer ndërtim pa leje të një shtëpie dykatëshe me sipërfaqe totale ndërtimore 130.03 m2 në fshatin e lindjes, ndërsa ka dhënë disa vendime dënimi me gjobë dhe burgim për persona të akuzuar për ndërtime të paligjshme.

Pretendimet e Belishtës se konstatimet e KPK-së për ndërtim të paligjshëm dhe mungesën e burimit ligjshëm janë të pabazuara, nuk janë vlerësuar si të drejta prej Kolegjit. Trupi gjykues vlerëson se gjyqtari Belishta, duke mos deklaruar burimin e krijimit të kësaj pasurie në kuptim të të ardhurave që kanë shërbyer për ndërtimin e saj, ka kryer deklarim të pasaktë.

Kolegji e cilëson të paligjshëm ndryshimin e kategorizimit të tokës, të kryer nga kryetari i Komunës Libonik – nga bujqësore në tokë urbane truall. Trupi gjykues çmon se mosdeklarimi i së vërtetës mbi mënyrën e përfitimit të pronësisë së sipërfaqes mbi të cilën ka ndërtuar shtëpinë në fshat, ka qenë një përpjekje e Belishtës për të devijuar kontrollin që do të kryenin organet e rivlerësimit. Sipas KPA-së, gjyqtari Belishta dhe familja e tij nuk mund të fitonin pronësinë e truallit prej 820 m2, pjesë e të cilit ka qenë sipërfaqja prej 470 m2 ku ai ka ndërtuar shtëpinë pa leje.

Në vendimin e KPA-së identifikohet edhe një vërtetim i njësisë Administrative Libonik, Bashkia Maliq, të dorëzuar në KPK nga Belishta, ku cilësohej se në periudhën kur është kryer ndërtimi i shtëpisë ishin pezulluar lejet zhvillimore.

“Por, subjekti, siç pranon edhe vetë në ankim, por edhe gjatë hetimit administrativ, megjithëse u vu në dijeni nga organet shtetërore se në atë periudhë nuk lejoheshin ndërtimet, përsëri ka vendosur të kryejë ndërtimin e shtëpisë dykatëshe, i papajisur me leje zhvillimi ose ndërtimi, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi,” citohet në vendim.

Aty shtohet fakti se Belishta, për shkak të formimit të tij profesional, si edhe për shkak të detyrës që kryente si gjyqtar, ka qenë i vetëdijshëm për parashikimet ligjore në fushën e ndërtimit dhe rëndësinë e shkeljes së tyre.

“Subjekti nuk e ka deklaruar ndërtimin pa leje në vitin 2013, pasi në atë kohë ai ende nuk kishte titullin e pronësisë për parcelën ndërtimore ku kishte bërë ndërtimin pa leje dhe, për më tepër, kjo sipërfaqe toke ishte tokë bujqësore, mbi të cilën nuk lejoheshin ndërtimet,” çmon Kolegji.

“Në vlerësimin e trupit gjykues, tërësia e veprimeve për kryerjen e ndërtimit të shtëpisë në {***} pa lejet përkatëse, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për zhvillimin e territorit, si dhe për përfitimin e një pasurie truall në kundërshtim me parashikimet e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 608, datë 05.09.2012 dhe me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e tokës bujqësore, tregojnë një raport të tillë të subjektit me zbatimin e ligjit, i cili është i papranueshëm për të pasur besimin e publikut”, shtohet në vendim.

Ndërkohë, Kolegji e cilëson të drejtë pretendimin e Belishtës se Komisioni ka konkluduar në mënyrë të pabazuar në lidhje me mungesën e mundësive financiare për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 107 m2 në Korçë, në vitin 2009 për vlerën 4.9 milionë lekë.

“Në analizën financiare u konsideruan të ardhurat e subjektit sipas dokumentacionit bankar, kursimet cash të deklaruara deri në fund të vitit 2008, si dhe huaja në vlerën 1.000.000 lekë, e marrë nga shtetasi M. Z., ndërsa shpenzimet në vlerën e përllogaritur nga Komisioni. Si rezultat i analizës financiare, për këtë periudhë, trupi gjykues arrin në konkluzionin se subjekti ka diferencë pozitive të të ardhurave dhe shpenzimeve në vlerën 550.024 lekë,” citohet në vendim.

Kolegji ka hetuar edhe mundësinë e Belishtës për mobilimin e këtij apartamenti dhe e ka shtrirë analizën financiare deri më datë 31 dhjetor 2009, nga ku është konkluduar diferencë pozitive e të ardhurave dhe shpenzimeve për këtë periudhë.

“Në përfundim, trupi gjykues vlerëson se konkluzioni i Komisionit se subjekti i rivlerësimit ka pasur mungesë të burimeve financiare të ligjshme për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 107 m2 në Korçë, nuk është i drejtë,” gjykon KPA.

Kolegji ka rrëzuar pretentimin e Belishtës se mosdeklarimi fillestar i pasurisë së bashkëshortes në familjen e saj para martese ka qenë thjesht një pakujdesi, e pashoqëruar me ndonjë motiv tjetër.

KPA çmon se Belishta nuk ka deklaruar pjesën takuese të pasurisë së paluajtshme të bashkëshortes në tokë bujqësore, truall e banesë në fshatin e lindjes në Devoll, as në deklaratën e pasurisë së rivlerësimit dhe as në deklaratën e pasurisë së vitit 2013, kur kanë lidhur kurorë.

Kolegji konkludon se bashkëshortja e Belishtës ka qenë e vetëdijshëme për mosdeklarimin e pronave në bashkëpronësi me anëtarët e familjes së origjinës. “Veprimi i heqjes dorë nga pronësia, nga bashkëshortja e subjektit vetëm 5 ditë para dorëzimit të deklaratës së rivlerësimit, ushqen argumentin se bashkëshortja e subjektit ka qenë në vetëdije të mosdeklarimit të kësaj pasurie në deklaratat periodike të pasurisë,” thuhet në vendim.

Trupi gjykues i KPA vlerëson se bashkëshortja e Belishtës gëzon ende të drejta reale mbi pasuritë, pasi gjatë hetimit administrativ dhe në seancën dëgjimore në Komision nuk është provuar regjistrimi i heqjes dorë nga pronësia mbi pasuritë e paluajtshme. Në vendim thuhet se Komisioni duhet ta kishte konstatuar dhe analizuar këtë fakt, duke vlerësuar se ajo duhet t’i kishte deklaruar këto pasuri në deklaratën e pasurisë së rivlerësimit.

Ashtu si edhe KPK, Kolegji konkludon se Belishta nuk ka deklaruar burimin e krijimit të automjetit tip Mercedes Benz në deklaratën e pasurisë së rivlerësimit si edhe nuk ka pasur burime të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie.

Nga analiza financiare e kryer në KPA, ka rezultuar sërish mungesë e burimeve të ligjshme financiare për të përballuar shpenzimet e kryera në periudhën 2011-2014. Në përfundim të kontrollit të kriterit të vlerësimit të pasurisë, trupi gjykues e vlerëson të drejtë përfundimin e arritur nga Komisioni se Belishta gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë.

KPA rrëzon raportin e DSIK

Kolegji vlerëson se Belishta ka cënuar besimin e publikut për shkak se nuk ka marrë masa lidhur me mosdërgimin e ankimit të prokurorisë në gjykatën e Apelit, ndaj vendimit të marrë për një 15-vjeçar të gjetur fajtor për vrasjen e një bashkëmoshatari. Komisioni ngriti dyshime se Belishta kishte favorizuar të riun e akuzuar për vrasje.

KPA çmon se Belishta, në cilësinë e kryetarit të gjykatës, duhej të kishte marrë masa për mosdërgimin e ankimit të prokurorisë në Apel për këtë rast.

Trupi gjykues nuk është bindur nga pretendimet e Belishtës se veprimi i administratës gjyqësore ka qenë një gabim njerëzor dhe se kryesekretares i është tërhequr vërejtja.

“…Nga verifikimi i akteve të paraqitura nga subjekti bashkëlidhur shpjegimeve mbi rezultatet e hetimit administrativ, trupi gjykues konstaton se ai nuk ka paraqitur asnjë provë që të vërtetojë marrjen e masave ndaj administratës gjyqësore”, thuhet në vendimin e KPA

“Ndërhyrja në regjistrin e depozitimit të ankimeve të kësaj gjykate nuk mund të vlerësohet në mënyrë individuale nga kryetari i gjykatës si një gabim njerëzor, pa kryer një hetim administrativ për të zbuluar arsyet e kryerjes së këtij veprimi, si rezultat i të cilit organi i akuzës ka humbur të drejtën kushtetuese të ankimit”, citohet në vendim.

Ndërkohë, KPA i vlerëson të pabazuara disa prej konstatimeve të KPK lidhur me kriterin e pastërtisë së figurës. Në vendim thuhet se trupi gjykues arrin në konkluzionin se rrethanat e analizuara nga Komisioni nuk plotësojnë kriteret e rrethanave që merren parasysh në konstatimin se formulari i deklarimit nuk është plotësuar nga subjekti në mënyrë të plotë dhe të besueshme, ashtu si parashikohet në nenin 38, pikat 6 dhe 7 të ligjit nr. 84/2016.

Kolegji ka rrëzuar konkluzionin e Komisionit se Belishta kishte kontakte të papërshtatshme. “Rrethanat e analizuara nga Komisioni nuk plotësojnë gjithashtu as rrethanat që merren parasysh në konstatimin se ekziston një kontakt i papërshtatshëm i subjektit të rivlerësimit me një person të përfshirë në krimin e organizuar”, thuhet në vendim. Aty sqarohet se në të tria rastet, dyshimi për favorizim i të pandehurve i shprehur nga DSIK-ja në raportin për subjektin e rivlerësimit, lidhet me persona që nuk përfshihen në krimin e organizuar.

KPA analizon konstatimet e DSIK-së lidhur me mundësinë që Belishta të ketë fyer dhe kërcënuar gjyqtarin M. D.; se ka favorizuar një shtetas të mitur i gjykuar për veprën penale të vrasjes; një tjetër shtetas të gjykuar për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje dhe dyshimin se mund t’i ketë kërkuar një shumë të konsiderueshme parash një shtetasi për të cilin ka pasur një proces gjyqësor për shpërdorim të detyrës dhe favorizim të kontrabandës.

“DSIK-ja nuk ka identifikuar në asnjë rast se cili është kontakti i papërshtatshëm, me të cilin subjekti i rivlerësimit ose një person i lidhur me të ka shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri, për të mbështetur konstatimin përfundimtar të saj,” vlerëson Kolegji.