Lajm21 Sep 2021

KPA lë në fuqi vendimin e konfirmimit të prokurorit Petrit Çanon

Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzoi pretendimet e Komisionerit Publik për “cënim të besimit të publikut te drejtësia” nga prokurori Petrit Çano dhe rrëzoi si të paverifikuar dhe jashtë kontekstit një raport nga DSIK që e cilësonte subjektin si të papërshtatshëm.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Petrit Çano duke dalë nga KPA. Foto Malton Dibra/LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të martën se mori vendim për të rrëzuar pretendimet e ngritura nga Komisioneri Publik Florjan Ballhysa ndaj prokurorit të Krujës Petrit Çano, duke i cilësuar ato të pambështetura në prova.

Trupa e KPA me kryesuese Rezarta Schuetz, relatore Ina Rama, anëtarë Albana Shtylla, Sokol Çomo dhe Ardian Hajdari, vendosi të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të lënë në detyrë Çanon.

Çano u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në 19 korrik 2019, por vendimi u apelua nga Komisioneri Publik Florian Ballhysa në tetor të atij viti. Prej prillit 2021 deri këtë të martë Kolegji zhvilloi një duzinë seancash, gjatë të cilave u paraqitën ndër të tjera edhe denoncime shtesë dhe një raport i ri negativ nga DSIK ndaj Çanos.

Por pasi dëgjoi pretendimet e palëve kryesisht sa i përket pasurisë dhe profesionalizmit dhe vlerësoi më vete raportin e DSIK-së, i cili mbetet i klasifikuar si sekret shtetërorë, Kolegji gjeti se Çano duhej të qëndronte në detyrë.

Kolegji rrëzoi fillimisht pretendimin e Ballhysës se në tërësi Çano kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia. Ndërsa Schuetz lexoi se pretendimet në lidhje me fiktivitetin e çmimit për dy apartamente nuk qëndronin, duke iu referuar kohës së blerjes dhe po ashtu kontratave të ngjashme.

KPA rrëzoi edhe pretendimin për paligjshmëri të një shumë prej 600 mijë lekësh përfituar nga likuidimi i biznesit të bashkëshortes së prokurorit dhe arsyetoi se deklarimi i tij i pasurisë ishte i besueshëm.

Schuetz lexoi se pas hetimit nga vetë trupa e KPA vendimi i DSIK-së për të shpallur Çanon si të papërshtatshëm ishte i pabazuar. Sipas KPA ndryshimi i raportit nga ana e DSIK-së nga përshtatshmëri në papërshtatshmëri ishte bërë mbi të dhëna të paverifikuara nga vetë organi ligjzbatues dhe jashtë kontekstit të verifikimit të figurës bazuar në ligjet për procesin e vetingut.

Njëkohësisht KPA rrëzoi pretendimet e Komisionerit Publik se Çano si drejtues prokuroria duhej të mbante përgjegjësi në lidhje me vendimet e prokurorëve vartës në rastet e disa lirimeve të diskutueshme të burgosurve për krime të rënda. KPA tha se nuk u gjetën raste të veçanta mbi të cilat të hetohej sjella e Çanos.

Vetë Çano në mbrojtje të tij pati vënë në dukje se rastet që kishin sjellë edhe debat publik ishin apeluar prej prokurorisë që ai drejtonte. Kolegji u shpreh se të dhënat e paraqitura nuk bënin të mundur arritjen e përfundimeve mbi mënyrën se si Çano kishte ushtruar detyrën e tij.