Lajm8 Sep 2021

KPA mbyll hetimin gjyqësor për prokurorin Petrit Çano

Kolegji vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor, pasi Komisioneri Publik dhe vëzhguesi ndërkombëtar nuk mundën të njihen me dokumente ‘sekrete’ të një denoncimi të ri ndaj prokurorit Petrit Çano.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Petrit Çano duke dalë nga KPA | Foto: Edmond Hoxhaj.

Shtyrja e dy seancave për t’i dhënë mundësinë Komisionerit Publik, Florian Ballhysa për t’u njohur me dokumentet dhe indiciet e reja sekrete që çuan në ndryshimin e raportit të DSIK-së për figurën e prokurorit Petrit Çano nuk sollën asnjë rezultat.

Komisioneri Ballhysa sqaroi në fillim të seancës publike në KPA të mërkurën se me ndërmjetësimin e vëzhguesit ndërkombëtar të ONM-së, Steven Kessler kishin marrë kontakt më 11 gusht me insitucionin përkatës dhe ishin njohur me procedurat, sipas të cilave nuk ishte bërë e mundur të njiheshin me përmbajtjen e dokumentit. Ky fakt u konfirmua për Kolegjin edhe prej vëzhguesit ndërkombëtar, Steven Kessler.

“Ka dy seanca që shtyhet gjykimi për nevojën ose jo të hetimit për shkakun e raportit të përditësuar të DSIK. Kërkojmë që trupi gjykues ta ketë në vëmendje,” pohoi Ballhysa.

Përfaqësuesi ligjor i prokurorit Çano, avokati Julian Mërtiri u shpreh se në kushtet kur ishte e pamundur edhe për Komisionerin Publik të njihej me dokumentet sekrete, e linte në vlerësim të Kolegjit të vendoste nëse do të kryhej ose jo hetim lidhur me indiciet e reja.

Trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe u kërkoi palëve që të përgatisnin konkluzionet përfundimtare për t’i paraqitur më 14 shtator, në orën 14:00.

Një denoncim i ri ndaj Çanos, i depozituar pranë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM nga i njëjti person dhe me të njëjtin objekt, u trajtua gjatë seancës publike më 30 korrik. Komisioneri Publik evidentoi atëherë se denoncimi ishte i njëjti, për të cilin me parë Kolegji ka vendosur të mos e shqyrtojë për shkak se nuk përmbush kriteret.