Lajm31 May 2021

KPA ndërron mendje, rihapet hetimi për Kastriot Selitën

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi me shumicë votash të riçelë hetimin për çështjen ndaj kryetarit të Gjykatës së Apelit Administrativ, Kastriot Selita me qëllim kërkimin e informacioneve nëse dhurimet janë tatuar apo tatohen.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita në KPA. Foto: Vladimir Karaj.

Kur pritej që Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA të shpallte vendimin për Kryetarin e Gjykatës së Apelit Administrativ, Kastriot Selita, njoftoi se gjatë zhvillimit të bisedimeve për vendimmarrjen, me shumicë votash ishte vendosur revokimi i vendimit për mbylljen e hetimit duke e riçelur atë.

Në seancën e të hënës Kolegji njoftoi se riçelja e hetimit ishte kryer për t’i kërkuar Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave informacion nëse, në zbatim të legjislacionit në fuqi ndër vite, janë tatuar dhe tatohen shumat monetare të përfituara nga individët nëpërmjet dhurimit.

Kryesuesja e trupit gjykues, Albana Shtylla sqaroi se, sapo këto informacione të mbërrinin do t’u bëheshin me dije palëve që të shprehin qëndrimin e tyre gjatë seancës së radhës që u caktua të zhvillohet më datë 17 qershor, ora 09:00.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare më 19 maj, Komisioneri Publik, Florjan Ballhysa deklaroi se u qëndronte të gjithë shkaqeve të ngritura në ankim dhe në parashtrime. Sipas tij, qëndronin të njëjtat rrethana të faktit dhe të intepretimit ligjor lidhur me banesën 124.9 m2 në Tiranë, me burim të pjesshëm të ardhurat e krijuara nga shitja e një shtëpie banimi 2 kate + papafingo, me sipërfaqe 268,2 m2 nga vjehrri i subjektit.

Gjithashtu, Komisioneri konstatoi se nuk ishte arritur të provohej përfitimi i të ardhurave të bashkëshortes nga një fondacion për vitet 2002 – 2003, si dhe ligjshmëria e tyre për gjithë periudhën tjetër.

Ballhysa vërejti se, sipas jurisprudencës së mëparshme të KPA, përjashtimi i dhurimeve nga deytyrimet tatimore bëhej vetëm bazuar në ligjin specifik.

Gjyqtari Selita këmbënguli gjatë konkluzioneve të tij se familja e bashkëshortes kishte pasur burime të mjaftueshme të ligjshme për shtëpinë, një pjesë e vlerës së shitjes së të cilës ka shërbyer për blejen e apartamentit 124.9 m2.

Selita tha se bashkëshortes nuk i janë dhuruar shuma parash nga familjarët por i është dhënë pjesa e saj takuese pas shitjes së pasurive, pasi ajo kishte kontribuar në ekonominë e përbashkët familjare. Ai theksoi se ishin paguar detyrimet tatimore për të ardhurat e përfituara nga shitja dhe se nuk mund të paguhej sërish tatim për vlerën e marrë prej bashkëshortes.

Subjekti i kundërshtoi konkluzionet e Komisionerit edhe për një apartament Duplex dhe truall në Lalëz të Durrësit për të cilët Ballhysa konkludon se nuk janë provuar burimet e ligjshme për krijimin e këtyre pasurive.

Duke iu referuar denoncimeve, Ballhysa deklaroi në seancën e mëparshme se Selita ka shfaqur mangësi ligjore, zvarritje të proceseve dhe raste kur për të njëjtën situatë, ka dhënë zgjidhje të ndryshme. Në përfundim ai kërkoi ndryshimin e vendimit dhe shkarkimin nga detyra të Selitës,

Selita i kundërshtoi edhe konkluzionet e Komisionerit për profesionalizmin dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK për pikën e parë që ka të bëjë me konfirmimin në detyrë dhe ndryshimin e pikës 2 për transferimin e një dosje për inspektim të Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë.