Lajm2 Jun 2021

KPA nis procedim disiplinor ndaj Luan Dacit tre muaj pas dënimit në apel

Me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit KPA nisi proces disiplinorë ndaj anëtarit të saj Luan Daci, i cili është dënuar me vendim të formës së prerë me 1 vit burg me kusht për falsifikim të dokumenteve që i mundësuan vendin në Kolegj.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari Luan Daci dhe avokati i tij, Jordan Daci gjatë masës së sigurisë në shkallën e parë. Foto: Edmond Hoxhaj.

Tre muaj pasi u dënua me vendim të formës së prerë në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi fillim të procedurës disiplinore ndaj anëtarit të tij Luan Daci. Kërkesa për procedim është bërë prej Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Më herët Daci u pezulluar nga KPA dhe çështjet në të cilat ai ishte pjesë u rishortuan, por ai vijon të jetë pjesë e Kolegjit. Të mërkurën Kolegji njoftoi fillimin e procedimit disiplinorë që mund të sjellë edhe largimin e Dacit nga KPA.

KPA njoftoi se Ardian Hajdari ishte caktuar hetues i çështjes, ndërsa komisioni që do të marrë vendimin përbëhet nga Natasha Mulaj, Albana Shtylla dhe Ina Rama.

“Pas hedhjes së shortit, gjyqtari hetues i kësaj çështjeje u caktua gjyqtar Ardian Hajdari, ndërsa Komisioni Disiplinor do të ketë përbërjen siç vijon: kryesuese Natasha Mulaj, anëtare Albana Shtylla, anëtare Ina Rama”, thuhet në njoftimin e Kolegjit.

I pyetur nga BIRN mbi nisjen e procedimit Daci tha se nuk do të komentonte.

Daci ka kundërshtuar si të paligjshëm vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe çështja ndaj tij ëhstë në pritje të rekursit në Gjykatën e Lartë. Pas vendimit të Apelit ai pati refuzuar të largohej nga KPA.

Luan Daci u hetua nga SPAK pas denoncimit të kryer nga ish-prokurori dhe ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani. Një kallëzim i dytë për të njëjtën vepër penale u dorëzua ndaj tij ish-prokurorja e Prokurorisë së Tiranës Antoneta Sevdari; ish-prokurori i Korçës, Elsion Sadiku dhe ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Ervin Metalla.

Prej korrikut 2020, ai është pezulluar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në pritje të vendimit të formës së prerë.