Analize25 May 2021

KPA përdori fjalët e ish-gjyqtares Enkeledi Hajro për të rrëzuar ankimin e saj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit u nda në qëndrimet mbi pasuritë e ish-kryetares së Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro, por një pjesë e ankimit kundër vendimit të KPK-së u rrëzua bazuar mbi vetë qëndrimet e ish-gjyqtares.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Kryetarja e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro, duke dalë nga një seancë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto : LSA

Vendimi i zbardhur i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që vendosi të lërë në fuqi shkarkimin për ish-drejtuesen e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro është bazuar mbi pasaktësitë në deklarimin e dy pasurive.

Sipas shumicës së trupës, Hajro nuk arriti nivel bindës justifikues për gati 25 mijë euro; nga të cilat  12 mijë euro në vitin 2007 që dalin nga një kontratë komplekse për blerje apartamenti dhe 13 mijë euro në vitin 2010 si pjesë e disa transaksioneve me dy makina të blera po me kredi. Të dyja shumat i përkasin periudhës para se Hajro të fillonte punë si gjyqtare.

Shumica e formuar nga Albana Shtylla, Sokol Çomo, Rezarta Schuetz dhe Natasha Mulaj nuk e kanë pranuar pretendimin e Hajros se apartamenti ishte blerë për 70 mijë euro dhe shuma 82 mijë ishte shënuar fiktivisht në një prej kontratave, për të mundësuar një kreditim më të madh të shtëpisë nga banka.

Shumica thotë se pavarësisht deklaratave noteriale të shitësve dhe pavarësisht dokumentacionit të kredisë bazë për vlerësimin e vlerës së banesës, do të merrej “kontrata me rezervë”, në të cilën parashikohej çmimi prej 82 mijë euro. Shumica thotë se diferenca prej 12 mijë eurosh përbën një shumë me burim të padeklaruar, e për rrjedhojë e bën deklarimin e Hajros të pasaktë.

“Në mbështetje të arsyetimit më sipër, trupi gjykues, nisur nga fakti që subjekti i rivlerësimit në deklaratën e pasurisë veting ka deklaruar si burim krijimi vetëm kredinë e financuar në vlerën 70.000 euro dhe jo burimin e krijimit për gjithë çmimin e apartamentit në vlerën 82.000 euro, arrin në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit ka pasaktësi në deklaratën e pasurisë “veting”, arsyeton shumica.

Në pakicë, Ina Rama arsyeton se transaksionet ishin të besueshme dhe se shumica duhej të kishte marrë parasysh që vlera prej 70 mijë eurosh ishte deklaruar në vazhdim gjatë disa viteve dhe në deklaratën “veting”, bashkë me sqarimin se pse shuma ishte përcaktuar 82 mijë euro në kontratë.

“Deklaron si vlerë të blerjes së apartamentit vlerën prej 70.000 eurosh, duke deklaruar paralelisht se në kontratë është përshkruar vlera prej 82.000 eurosh si çmim i blerjes, në funksion të përfitimit të një kredie,” thotë Rama në arsyetim.

Gjyqtarja në pakicë thotë se fiktiviteti i kontratës për të përfituar kredi mund të merrej në konsideratë përsa i përket etikës, por proporcionalisht nuk mund të ishte penalizues, sa kohë i përket një periudhë para se Hajro të ishte pjesë e gjyqësorit.

Rama thotë se arsyetimet e ish-gjyqtares ishin “bindëse dhe të vërteta, pavarësisht njëlloj paqartësie e mungese kohezioni apo kaotizmi në drejtim të gjuhës të ndërtuar jo krejtësisht mirë, të diktuar në vlerësimin tim edhe nga kompleksiteti i vetë natyrës së transaksionit të deklaruar”.

Njësoj, shumica nuk ka pranuar as arsyetimet për një shumë 8 mijë euro të marrë hua nga prindërit e bashkëshortit dhe 5 mijë euro të paguara nga motra e bashkëshortit në blerjen e një makine me leasing.

Shumica arsyeton në këtë pikë se këto veprime nuk ishin deklaruar në kohën kur kanë ndodhur dhe se deklarimi i mëvonshëm i këtyre marrëdhënieve për llogari të vetingut, nuk provonte dot se ato kishin qenë burime për pasurinë.

“Për pasojë, në kushtet kur ky fakt nuk është materializuar në një dokument ligjor në kohën e dhënies së shumës së pretenduar, nuk është provuar me dokument justifikues ligjor që i është dhënë personit të lidhur për të blerë automjetin, nuk është deklaruar në deklaratën e interesave privatë të vitit 2010, që në bazë të nenit 32, pika 5 e ligjit nr. 84/2016 shërben si provë në këtë proces, si dhe as në deklaratën e pasurisë veting, trupi gjykues vlerëson se shuma prej 8.000 eurosh nuk plotëson kushtet për t’u konsideruar e ardhur e ligjshme,” thuhet në arsyetimin e shumicës.

Në pakicë, Ina Rama arsyeton se marrëdhënia me motrën e bashkëshortit në këtë rast provohej prej deklarimit se kjo e fundit kishte marrë në dorëzim makinën “de fakto” dhe se shumat e deklaruara përkonin me transaksionet e kryera prej bashkëshortit të subjektit.

Në vijim shumica arsyeton se Hajro nuk kishte të ardhura të mjaftueshme në disa vite. Analiza financiare e nxjerr ish-gjyqtaren me bilanc negativ për rreth 2.1 milionë lekë, që sipas shumicës sillnin edhe konfirmimin e vendimit të shkarkimit.

Por gjyqtarja Ina Rama arsyeton sërish se ky bilanc ndikohej prej marrjes në konsideratë të çmimit 82 mijë euro për apartamentin. Rama vë në dukje se nëse çmimi i apartamentit do të llogaritej 70 mijë euro, bilanci negativ zbutej në 568 mijë lekë, i ndarë në shuma më të vogla në disa vite dhe jo i mjaftueshëm për të sjellë si pasojë shkarkimin.

Ndërkohë, pjesa e padisë së Hajros sa i përket shkeljes së procedurës nga KPK u rrëzua unanimisht në KPA. Kolegji ka përdorur fjalët e ish-gjyqtares si argument në arsyetimin e tij.

“E gjithë procedura e ndjekur deri më tani nga Komisioni ka qenë korrekte. Ju falënderoj për këtë”, citohet të ketë thënë Hajro në KPK gjatë seancës dëgjimore, duke rrëzuar pretendimin e saj se nuk i ishin marrë parasysh provat e të ngjashme.

Nga sa del prej vendimit, duket se Hajro nuk e ka pritur se do të shkarkohej dhe ka vlerësuar si korrekt hetimin dhe përfundimet e KPK-së. Në pretendimet e saj në ankim, ish-gjyqtarja shprehet se kishte krijuar bindjen prej fjalës së relatorit se Komisioni kishte pranuar si provuese provat e saj.

KPA shprehet në vendim se ndryshe nga pretendimi i saj, ish-gjyqtarja kishte shprehur në seancë fjalë falënderuese për relatorin dhe shpjegimet e dhëna prej tij.  “Falënderoj relatorin. Ishte korrekt në parashtrimin e të gjitha fakteve dhe të provave që unë kam paraqitur dhe u qëndroj observacioneve që unë kam paraqitur,” citohet sërish Hajro në vendimin e Kolegjit.

Pretendimet e tjera të Hajros mbi vlerësimin ndryshe të situatave të ngjashme në procesin ndaj gjyqtareve të Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska, u rrëzua nga KPA me arsyetimin se nuk kishin ngjashmëri dhe se provat e sjella ishin të ndryshme.