Lajm21 Jun 2019

KPA pranon kërkesën për rihetimin e pasurisë së Nertina Kosovës

Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranoi të premten kërkesën e Komisionerit Publik për rihetimin e gjyqtares Nertina Kosova.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja Nertina Kosova në KPA | Foto nga : LSA

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendosi të premten që të pranojë kërkesën e Komisionerit Publik, Florian Ballhysa për hetim të ri të pasurisë së gjyqtares Nertina Kosova dhe të personave të lidhur me të.

Pas kërkesës së Komisionerit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të konsiderojë si person të lidhur me subjektin edhe babain e gjyqtares dhe të verifikojë të ardhurat e tij nëpërmjet një analize financiare që do të paraqitet në seancën e ardhshme.

Komisionerit Publik apeloi vendimin të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Kosova duke pretenduar se hetimi në kriterin e pasurisë nuk ishte i plotë.

Në fillim të seancës të premten, Komisioneri Ballhysa u shpreh se aktet e depozituara nga gjyqtarja Kosova, 61 dokumente të reja me 364 faqe, nga ana formale përmbushin të gjithë kërkesat për tu administruar si prova.

Ai theksoi se lidhur me burimin e ligjshmërisë së krijimit të 1 milionë lekëve për blerjen e apartamentit në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, Komisioni argumenton se subjekti ka pasur mundësi të krijonte këtë shumë. Sipas Ballhysës, subjekti ka deklaruar se nuk ka pasqyruar gjendje cash, por se kjo vlerë ishte krijuar nga kursimet e prindërve.

Komisioneri u ndal në fillim në 9 aktet e para të depozituara nga Kosova, që sipas tij kishin të bënin me përfitimin e bursës në Bolonja të Italisë në vitin 1999. Më tej ai i’u referua argumentimit të KPA-së për të mos i konsideruar dietat si kursime.

Komisioneri e cilësoi të padrejtë analizën financiare të kryer nga Komisioni dhe kërkoi që babai i gjyqtares Kosova të konsiderohej si person i lidhur me të dhe të verifikoheshin të ardhurat e tij.

Komisioneri theksoi më tej se 38 prej akteve të dorëzuara nga subjekti për të vërtetuar se vëllai ka kryer transaksione për llogari të shoqërisë ku punonte, përmbushin nevojat për hetim për të konkluduar nëse ky deklarim është i vërtetë ose jo. Gjithashtu, ai kërkoi edhe hetimin e huasë 7 milionë lekë të marrë nga babai i gjyqtares Kosova në korrik të 2011-ës.

Duke theksuar se subjekti ka patur detyrimin të deklarojë çdo pasuri të ligjshme, Komisioneri sqaroi se gjyqtarja Nertina Kosova nuk ka deklaruar depozitat bankare që ka pasur me të atin në vitet 2004, 2005 dhe 2006, ku vlera ka qenë e përafërt rreth 300 mijë lekë. Ndërkohë, Ballhysa kërkoi edhe hetimin e mosdeklarimit të një mjeti dhe të një sipërfaqe toke 3000 m2 që zotëronte i ati.

Në fund të fjalës së tij, Ballhysa i kërkoi trupës administrimin dhe shqyrtimin e provave, cilësimin e babait të subjektit si person të lidhur dhe verifikimin e ligjshmërisë së të ardhurave të tij nga viti 1998 deri në shtator 2006. Komisioneri publik i kërkoi KPA-së që të kryejë edhe analizën financiare për të atin e subjektit.

Gjyqtarja Nertina Kosova i kërkoi gjykatës që të shprehej për secilën prej kërkesave të Komisionerit Ballhysa.

Lidhur me referimin e Komisionerit për bursën si dietë, Kosova pretendoi se një pjesë të kësaj vlere ajo e kishte sjellë në Shqipëri dhe e konsideroi si kursim.

“Ajo sasi parash nuk është përdorur e gjithë nga unë, por ka qenë ajo që kam kursyer”.

Kryesuesi i Kolegjit, Sokol Çomo e pyeti se si kishte jetuar ajo në Itali, nëse nuk kishte shpenzuar bursën. Kosova tha se ka qenë me bursë studimi pasuniversitare dhe se ishte akomoduar nga zyra për të huajt.

“Shpenzimet e mija kanë qenë për nevojat bazike dhe ushqimi. S’kam patur lëvizje. S’kam udhëtuar se ishte lufta e Kosovës dhe jam kthyer kur kam përfunduar studimet”, pohoi Kosova.

Pyetjes së Çomos se nga e kishin pasur burimin të ardhurat e shpenzuara për jetesën në Itali, Kosova i’u përgjigj se kishte shpenzuar një pjesë të bursës që kishte pasur vlerën 7.2 milionë lireta. Sipas saj, ajo ka shpenzuar 4.2 milionë lireta për periudhën e studimeve, ndërsa 3 milionë lireta i ka kursyer e transferuar në Shqipëri. Ndërsa për depozitën që ka pasur me të atin, ajo shpjegoi se ka pasqyruar vetëm pjesën e saj takuese, 50%, pasi legjislacioni i atëhershëm nuk e kërkonte.

Kolegji u tërhoq dhe mori vendim të ndërmjetëm për të konsideruar babain e gjyqtares Nertina Kosova si person të lidhur, si edhe kryerjen e analizës financiare për të ardhurat e tij të cilat do të paraqiten seancën e ardhshme që do të zhvillohet më datë 26 qershor, ora 13:00.

Kryesuesi i Kolegjit u kërkoi Komisionerit Publik dhe subjektit të rivlerësimit që të kryejnë analizat e tyre paraprake lidhur me pasurinë.

Kosova, e cila kaloi me sukses shkallën e parë të vetingut më 18 korrik 2018, pasi KPK e vlerësoi pozitivisht në të tre kriteret, u përball më pas me një ankim të Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili pretendon se hetimi i KPK në kriterin e pasurisë nuk ishte i plotë.

Gjatë seancës së parë në KPA të zhvilluar më datë 12 qershor, Komisioneri Publik i kërkoi trupës gjykuese të kryejë një hetim të ri dhe të rivlerësojë pasuritë e gjyqtares dhe personave të lidhur me të. Ballhysa u shpreh se pas hetimit KPA duhet të vendoste ose për rrëzimin e vendimit të KPK-së ose për lënien e tij në fuqi. Kosova e cilësoi ankimin e Komisionerit Publik “të pabazuar në ligj dhe në prova” dhe paraqiti pranë Kolegjit 61 dokumente të përbërë nga 364 faqe, të cilat kërkoi të merreshin si prova, në rast se KPA vendoste nisjen e një hetimi të ri gjyqësor.