Lajm4 Nov 2021

KPA rikthen në detyrë prokurorin e Tiranës, Ndini Tavani

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi unanimisht të rikthejë në detyrë prokurorin Ndini Tavani duke e rrëzuar vendimin e shkarkimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të marrë me shumicë.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Ndini Tavani pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi mbrëmjen e të mërkurës ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës, Ndini Tavani dhe e riktheu atë në detyrë.

Në njoftimin e KPA thuhet se trupi gjykues i kryesuar nga Ina Rama, me relatore Albana Shtyllën dhe anëtarë Ardian Hajdarin, Natasha Mulajn e Sokol Çomon, në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, vendosi unanimisht të ndryshojë vendimin e KPK dhe të konfirmojë në detyrë prokurorin Ndini Tavani.

KPK, vendosi me shumicë votash të shkarkojë Tavanin më 11 tetor 2019, pasi sipas dy anëtarëve të Komisionit u evidentuan hetime të paplota dhe probleme për pasurinë. Konkluzionet e shumicës së përbërë nga komisioneret Alma Faksaj dhe Brunilda Bekteshi u kundërshtuan nga anëtari në pakicë Roland Ilia, i cili arsyetoi se edhe në rastet kur ishin konstatuar shkelje në kriterin e profesionalizmit dhe për pasurinë, në asnjë rast ato nuk ishin të atilla që të çonin drejt shkarkimit.

Ndini Tavani ka përfunduar studimet për drejtësi dhe ka ushtruar profesionin e avokatit në vitet 2003-2004. Më pas, ai ka vazhduar studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe pas vitit 2007 ka ushtruar funksionin e prokurorit në Durrës, Vlorë dhe Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *