Analize1 Oct 2019

KPA rrëzoi pretendimet e ish-gjyqtarit Bledar Abdullai për “cënim të jetës private”

Vendimi i arsyetuar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit tregon se ish-gjyqtari i Tiranës Bledar Abdullai dështoi të arsyetonte se nuk kishte përgjegjësi për pasuritë në emër të bashkëjtueses dhe se hetimi për to cënonte jetën e tij private.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari Bledar Abdullai gjatë seancës dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 26 korrik 2018. Foto: LSA

I bërë pjesë e listës prioritare të vetingut pas kandidimit për në Këshillin e Lartë Gjyqësor, Bledar Abdullai u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në verë të vitit të kaluar. Abdullai megjithatë këmbënguli të qëndronte në sistem, ndërsa ankimoi vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit, duke pretenduar ndër të tjera shkelje të së drejtës për një jetë private.

Argumentet e Abdullait u mbështetën kryesisht në faktin se ai nuk duhej të mbante përgjegjësi për pasurinë e bashkëjetueses para vitit 2012. Ai pretendoi se ky ishte viti i fillimit real të bashkëjetesës dhe se KPK nuk duhej të kishte hetuar për marrëdhëniet e tij me bashkëjetuesen para kësaj periudhe.

Por më herë Komisioni dhe më pas Kolegji rrëzuar pretendimet e tij. KPA arsyetoi ndër të tjera se hetimet nuk qenë fokusuar në jetën private të ish-gjyqtarit, por në kohën për të cilën duhej hetuar pasuria e tij dhe e personave të lidhur.

Trupa gjykues e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit kryesuar nga Luan Daci, Albana Shtylla relatore dhe anëtarë Ina Rama, Ardian Hajdari, Natasha Mulaj, vendosi në fund të linte në fuqi vendimin e Komisionit.

Kolegji arsyetoi se  Abdullai kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm duke mos deklaruar pasurinë e prindërve dhe vëllait, “nuk ka përmbushur detyrimin për deklarimin saktësisht dhe plotësisht të burimit të krijimit të pasurisë së personit të lidhur, bashkëjetueses së tij dhe se ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për krijimin e pasurisë apartament, me sipërfaqe 66,60 m2 dhe garazh, me adresë rruga “{***}”, Tiranë, në ish-pronësi të bashkëjetueses, znj. A.O., dhe të pasurisë apartament me sipërfaqe 98,3 m2, në Golem, Durrës në pronësi të saj”.

Ankimi mbi pasurinë

Ankimi i ish-gjyqtarit Bledar Abdullai u fokusua kryesisht në pretendimin e tij se KPK kishte shkelur të drejtat për një jetë private duke hetuar për kohën e saktë të bashkëjetesës së tij. Abdullai pretendon se duke “analizuar dhe konkluduar rreth një marrëdhënieje personale me karakter pasuror siç është bashkëjetesa”, KPK kishte “shkelur parimet e shtetit të së drejtës”.

Koha e fillimit të bashkëjetesës mes Abdullait dhe A.O (bashkëjetuesja e tij), është gjetur e rëndësishme për hetimin, i cili në pjesën më të madhe është fokusuar te pasuritë e kësaj të fundit. KPA arsyeton se pretendimet e ish-gjyqtarit nuk qëndronin dhe se KPK nuk kishte kryer hetimin në rrethanat e bashkëjetesës për të provuar lidhjen, por për të dokumentuar pasuritë e tij. “Trupi gjykues vlerëson se në procesin e rivlerësimit, rëndësia e përcaktimit të momentit të fillimit të bashkëjetesës së subjektit lidhet me përllogaritjen e të ardhurave dhe shpenzimeve të tij dhe personit të lidhur, për efekt të jetesës së përbashkët dhe për rritjen e fëmijëve të lindur prej tyre, si edhe për krijimin e pasurive kur deklarojnë se i kanë të përbashkëta, apo veçmas, sipas rastit”, thuhet në arsyetim.

Faktet e pretenduara nga Abdullai se bashkëjetesa kishte filluar në vitin 2012 dhe jo në vitin 2004 janë rrëzuar nga KPA. Sipas Kolegjit koha e qëndrimit të bashkëjetueses në SHBA para vitit 2012 dhe pas tij është e ngjashme dhe nuk ishte provë për të treguar se ai nuk kishte bashkëjetuar.

Po ashtu pretendimi i Abdullait se adresa e shtëpisë së bashkëjetueses në formularët e tij të vetëdeklarimit ishte si adresë rezervë pasi ai jetonte me vëllain me qira u gjet i paprovuar nga Kolegji. Trupa arsyetoi se ai nuk paraqiti prova që kishte jetuar me qira dhe se ligji nuk kërkonte adresë rezervë, por adresën e banimit pasi adresë kontakti ishte ajo e punës.

KPA po ashtu njësoj si komisioni arriti në përfundimin që bashkëjetuesja e ish-gjyqtarit nuk kishte burime të ligjshme për të krijuar pasurinë. “Trupi gjykues përllogariti mundësinë e familjes O. për të krijuar depozitat në emër të anëtarëve të saj, përfshirë edhe bashkëjetuesen e subjektit A.O., në vite, me qëllim për të vërtetuar burimin e ligjshëm të krijimit të tyre. Bazuar në këto përllogaritje, trupi gjykues arriti në konkluzionin se familja O., me të ardhurat e krijuara në periudhën tetor 1991 – dhjetor 2008, nuk ka pasur mundësi të krijojë këto depozita me burime të ligjshme”, thuhet në arsyetim, duke iu referuar pretendimeve për ndihmë nga familja e bashkëjetueses.

Por KPA thotë se përtej pretendimeve të subjektit mundësia e familjes së bashkëjetueses dhe e vetë asaj për të krijuar pasuritë, përfshi pasuri të paluajtshme në vlerën 190 mijë euro, nuk u provua. Kolegji arsyeton ngjashëm me komisionin në lidhje me këtë pasuri, por përndryshe nga KPK përjashton edhe disa të ardhura që ishin cilësuar si të rregullta në shkallën e parë.

Kështu Kolegji nuk gjen si të justifikuara ligjërisht të ardhurat e babait të bashkëjetueses si avokat, duke arsyetuar se për to nuk ishte paraqitur dokument i pagesës së tatimeve.

Kolegji rrëzoi po ashtu edhe pretendimet se mundësitë financiare për një pagesë prej 131 mijë eurosh në vitin 2008 duheshin hetuar deri në vitin 2013 kur ishte mbyllur kontrata. Kolegji thotë se kjo nuk ishte e nevojshme pasi pagesa ishte kryer në vitin 2008 dhe hetimi duhej të provonte mjaftueshmërinë e burimeve në këtë kohë.

KPA gjeti të bazuar arsyetmin e Komisionit se në këtë moment bashkëjetuesja e Abdullait kishte mungesë burimesh të ligjshme për 5.9 milion lekë. Ndërkohë rrëzoi arsyetimin e tij për një jetë modeste, duke vënë në dukje se shpenzimet përllogariteshin mbi bazë të minimumit jetik.

Pretendimi i ish-gjyqtarit se prindërit e tij kishin ndihmuar finaciarisht duke dhënë shuma të caktuara për nipin, duket se e fundën Abdullain më shumë në qorrsokak. Kolegji arsyeton fillimisht se prindërit nuk kishin pasur mundësi finaciare dhe pastaj se vetë subjekti nuk kishte deklaruar marrjen e shumave prej tyre.

“Nga verifikimi i deklaratave periodike të subjektit të rivlerësimit në vite, trupi gjykues konstaton se subjekti nuk ka deklaruar ndihmë apo kontribut financiar të dhënë nga prindërit e tij, drejtuar fëmijëve të tij”, thuhet në vendim.

Përndryshe Abdullai u ngarkua me përgjegjësi edhe për mosdeklarimin e të ardhurave të prindërve, përfshi një fond investimi në bankë. KPA arsyeton në vendim se përtej një ngatërrese të supozuar gjatë dorëzimit të formularëve në ILDKPKI, ishte ish-gjyqtari ai që duhej të kishte garantuar deklarimin e plotë të pasurisë nga të afërmit. “Për sa më sipër, subjekti kishte detyrimin të dorëzonte bashkëlidhur me deklaratën e tij edhe atë të prindërve dhe të vëllait të tij, si persona të lidhur të përmendur në certifikatën e tij familjare”, thuhet në vendim.

Duke iu referuar këtij fakti KPA shprehet se mjafton mosdeklarimi i likuiditeteve të prindërve të tij në shumën 2.900.000 lekë, për të arritur në masën disiplinore të shkarkimit. “Subjekti në deklaratën e pasurisë së rivlerësimit nuk ka përmbushur detyrimin kushtetues dhe ligjor për deklarimin e pasurisë së personave të lidhur sipas përbërjes së certifikatës familjare, rrethanë kjo e mjaftueshme për t’u mbajtur në konsideratë në vlerësimin tërësor të kriterit të pasurisë, në drejtim të ngarkimit të subjektit me përgjegjësi disiplinore”, thuhet në vendim.

Gjatë arsyetimit KPA vë në dukje edhe se Abdullai i referohet në disa raste të drejtës penale, ndërsa në vendim thuhet se arsyetimet e Komisionit janë bazuar në të drejtën civilo-administrative. Po ashtu vihet në dukje se ai kishte referuar gabim një vendim të KPA.

Ankimi për procedurën

Gjyqtari i shkarkuar Bledar Abdullai ankimoi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ato që sipas tij ishin shkelje të procedurës nga KPK. Abdullai pretendoi ndër të tjera se Komisioni nuk kishte qenë efikas në komunikimin me të dhe se nuk e kishte njoftuar në kohë reale përbërjen e trupës gjykuese.

Abdullai pretendon se vetëm pas seancës dëgjimore në KPK ai është vënë në dijeni se ishte në konflikt interesi me relatoren e çështjes ndaj tij Suela Zhegu. Gjyqtari i shkarkuar pretendon ndër të tjera se bashkëshortja e tij nuk kishte përpiluar një kontrsatë noteriale për Zhegun dhe të afërmit e saj. Ai ankohet se bashkëshorti i Komisioneres kishte pasur çështje në gjykatën e Tiranës me kolegët e tij dhe se Zhegu dikur si punonjëse pranë Autoritetit Përgjegjës në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Sipas Abdullait kjo e ka bërë gjykimin ndaj tij të njëanshëm dhe se është shkeluar parimi i gjykimit nga një gjykatë e paanshme.

Por Kolegji e ka rrëzuar këtë pretendim duke arsyetuar fillimisht se Abdullai ishte njohur me trupën dy herë para seancës dëgjimore dhe se megjithëse ishte bërë me dije e drejta për të deklaruar konflikt të mundshëm interesi nuk e kishte bërë këtë. “Rezulton se në deklaratat e bëra pas kësaj date, subjekti nuk është shprehur për ndonjë konflikt të mundshëm interesi me secilin prej anëtarëve të trupit gjykues”, thuhet në vendimin e Kolegjit.

Po ashtu KPA bën me dije se as gjatë seancës dëgjimore Abdullai nuk ka vënë në dukje mundësinë e një përplasje të tillë. KPA më tutje sqaron se edhe në rast se merreshin të mirëqena ankesat e gjyqtarit, asnjë prej pretendimeve të tij nuk mund të konsideroheshin si konflikt interesi. Sipas trupës gjykuese nuk kishte asnjë provë të ndonjë armiqësie mes tij, bashkëshortes dhe relatores Zhegu.

“Trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se faktet e deklaruara nga subjekti nuk përbëjnë shkaqe serioze njëanshmërie”, thuhet në vendim, ndërsa KPA shprehet se pretendimi ishte i pabazuar.

Ngjashëm KPA rrëzoi pretendimin e Abdullait se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ishte ndikuar nga raportimet në media dhe një fushatë të pretenduar shpifjesh ndaj tij. Abdullai pretendoi se kjo kishte “krijuar bindjen se ndikimi i tyre në trupin gjykues ka qenë i drejtpërdrejtë”. Ai pretendon se ishin raportuar në media shifra absurde të pasurisë së prindërve të tij.

Por KPA thotë se “subjekti nuk i ka ngritur në asnjë fazë të procesit të rivlerësimit në Komision”, këto çështje. Ndërkohë duke iu referuar Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut çështjes “Craxi (ish-kryeministër i Italisë) kundër Italisë” të vitit 2003 KPA citon se komentet e ashpra në shtyp për çështjet të ndjeshme janë të paevitueshme. “Interesi i medias për procesin e rivlerësimit ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, nën dritën e jurisprudencës së GjEDNj, por edhe vetë qëllimit të parashikimeve kushtetuese dhe ligjit nr. 84/2016, është më se i kuptueshëm”, thuhet në arsyetim.

Megjithatë KPA pranon se shifrat e përmenduar nga mediat për të cilat ankohej gjyqtari nuk ishin të njëjta me ato të referuara nga KPK. “Nuk kanë asnjë lidhje me shifrat e përmendura në aktet procedurale”, thuhet nga KPA. Kolegji ndërkohë ka rrëzuar pretendimin e Abdullait se mediat kanë luajtur “rolin e “zëdhënësit” të Komisionit”, duke thënë se ai nuk kishte sjellë asnjë provë për këtë. Kolegji po ashtu shprehet se pretendimet se ndaj Abdullait ishte shpifur nuk ishin pjesë e procesit të rivlerësimit.

Kolegji rrëzoi si të parëndësishme pretendimin e ish-gjyqtarit se KPK ishte bazuar në denoncimin e një të vdekuri. KPA arsyetoi se ai ishte vlersuar pozitivisht në kriterin e profesionalizmit dhe se këto denoncime nuk kishin luajtur asnjë rol në vendimin për shkarkimin e tij dhe nuk ishin marrë parasysh nga Komisioni.

Abdullai pretendoi po ashtu që ishte gjykuar nga një trupë gjykuese me nivel arsimorë më të ulët se i tij. KPA shprehet se nuk kishte kompetencë për të verifikuar “kriteret ligjore dhe kushtetuese të emërimit në detyrë të një anëtari të institucioneve të rivlerësimit”.

KPA rrëzoi edhe pretendimet për vonesë të procesit të rivlerësimit dhe zbardhje me vonesë të vendimit. Sipas Kolegjit “procesi i rivlerësimit për këtë subjekt, është kryer brenda një afati të arsyeshëm”, ndërsa vonesa e pretenduar e zbardhjes së vendimit nuk i kishte cënuar atij asnjë të drejtë.

KPA e ka gjetur të pavërtetë pretenidmin e Abdullait se nuk ishte njohur me aktet. Sipas Kolegjit, KPK i kishte kthyer përgjigje të plotë ish-gjyqtarit dhe në dosje nuk ishin përfshirë vetëm rregulloret për funksionimin e brendshëm të KPK-së që mund të shkarkoheshin online në faqen e Komisionit.

KPA shprehet se Abdullai gjatë seancës dëgjimore kishte konfirmuar marrjen në dorëzim të dosjes fizikisht dhe elektronikisht.

Të pavërteta u gjetën po ashtu edhe pretendimet se nuk i ishte dhënë mundësi reale për të ushtruar barrën e provës kryesisht mbi kohën e bashkëjetesës. KPA thotë se bashkëjetesa ishte sjellë në diskutim jo nga Komisioni, por nga  nga vetë subjekti. I cili përmes saj ka pretenduar të justifikojë “kontributin e tij në rritjen e fëmijëve, si dhe për të theksuar se pasuritë e znj. A.O. janë krijuar në një periudhë kur ajo nuk ishte në marrëdhënie bashkëjetese me vetë subjektin”.

Kolegji arsyeton edhe se Komisioni me të drejtë nuk ka pranuar thirrjen e dëshmitarëve pasi ato nuk ishin të rëndësishëm në marrjen e vendimit.  Pasi rrëzon edhe disa pretendime të tjera për shkelje proceduriale, KPA shprehet në fund se “Komisioni i ka garantuar subjektit të gjitha të drejtat procedurale dhe, për rrjedhojë, trupi gjykues vlerëson se pretendimi i tij është i pabazuar”.

Abdullaiu pretendon se seancë dëgjimore duhej të ishte bërë me dyer të mbyllura pasi në të do të diskutohej jeta private e bashkëjetueses së tij dhe familjarëve të saj dhe po ashtu ka akuzuar KPK se “ka fshehur e manipuluar fakte me pasojë shkeljen e parimeve të procesit të rregullt ligjor”.

Por KPA vë në dukje se Komisioni nuk kishte cekur elemente ngushtësisht personale në hetimin e tij, përkundrazi sipas Kolegjit ishte vetë ai që “ka paraqitur Komisionit prova për rrethana dhe fakte personale të znj. A.O.”

Kolegji megjithatë i ka tërhequr vëmendjen Komisionit për citimin e disa pohimeve të vetë Abdullait në vendimin e zbardhur. KPA thotë se ato nuk kanë qenë qëllim denigrimin, siç pretendon ish-gjyqtari, pasi Komisioni i është referuar thënieve të tij, por në këtë rast KPK duhej “të kishte treguar vëmendje më të madhe”. Disa gabime në shifra në vendimin e zbardhur të KPK janë cilësuar si lapsuse që nuk kishin pasojë në vendim nga Kolegji.  Kërkesat për prova të reja u rrëzuan nga Kolegji, që i cilësoi ato të panevojshme.