Lajm11 Feb 2020

KPA rrëzon kërkesën e Besnik Canit për pezullim të procesit

Anëtari i KLP-së, Besnik Cani i kërkoi Kolegjit të ndërpritej procesi ndaj tij për shkak të një padie në Gjykatën Kushtetuese për verifikimin e mandatit të 2 anëtarëve të Kolegjit dhe një procedimi penal të filluar nga SPAK. Kërkesa u rrëzua dhe palëve iu kërkua të përgatisin konkluzionet përfundimtare.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Besnik Cani dhe avokati i tij, Eduard Halimi të hënën në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: LSA

I njohur paraprakisht me rrëzimin nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit i kërkesës për përjashtim të dy anëtarëve të trupës gjykuese, Ardian Hajdari dhe Luan Daci, Eduard Halimi, avokati mbrojtës i prokurorit Besnik Cani e nisi seancën me një kërkesë të re proceduriale.

Halimi pretendoi se ishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një padi në të cilën kërkohej të verifikimi i mandateve të Hajdarit dhe Dacit dhe se Prokuroria e Posaçme kishte nisur një procedim penal mbi akuzat për falsifikim ndaj anëtarit të KPA, Luan Daci.

Kërkesa u rrëzua në një vendim të ndërmjetëm të Kolegjit dhe pas ndërprejes, Komisioneri Publik dhe Cani paraqitën argumentet mbi çështjen në tërësi, duke lënë të kuptohet se nuk kishin ndryshuar qëndrime pas njohjes me parashtrimet paraprake në seancën e 20 janarit.

Besnik Cani e kaloi fazën e parë të vetingut më 27 nëntor 2018, ndonëse 3 çështje që lidheshin me etikën dhe profesionalizmin u dërguan për inspektim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkoi ankimin e vendimit përmes një rekomandimi, ndërsa Komisioneri Publik kërkon në Kolegj shkarkimin e tij. Në Kolegj, Cani po gjykohet nga trupa e drejtuar nga Rezarta Schuetz, me relator Ardian Hajdarin dhe anëtarë Albana Shtylla, Luan Daci dhe Sokol Çomo.

Debati për dy gjyqtarët e KPA

Eduard Halimi ishte një prej anëtarëve të komisionit Ad-Hoc të Kuvendit, i cili intervistoi dhe më pas votoi anëtarët aktualë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Por të martën, Halimi në cilësinë e avokatit të prokurorit Bensik Cani, këmbënguli sërish se dy prej anëtarëve të përzgjedhur nga komisioni ku ai kishte qenë pjesë, nuk duhej të ishin zgjedhur.

Halimi tha se për llogari të prokurorit Cani ishte depozituar një padi në Gjyaktën Kushtetuese për të verifikuar mandatin e Ardian Hajdarit dhe Luan Dacit, të cilët i akuzoi se kishin gënjyer gjatë intervistimit në Kuvend dhe se nuk plotësonin kriteret formale. Për këtë të dytin, Halimi tha se pas kallëzimit të bërë nga Cani, kishte nisur ndërkohë një procedim penal në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit mbi dyshimet e falsfikimit të dokumenteve.

Ai i kërkoi KPA-së që të pezullonte procesin ndaj Canit deri sa Gjykata Kushtetuese dhe Prokuroria e Posaçme të dilnin me një vendim mbi paditë.  Avokati i anëtarit të KLP iu referua nenit 297  të Kodit të Procedurës Civile, sipas të cilit një çështje pezullohej në rast se “nuk mund të zgjidhet para se të zgjidhet një çështje tjetër penale, civile ose administrative”.

I pyetur nga BIRN për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Halimi bëri “mea-culpa”. “Nuk duhej të ishin zgjedhur,” tha ai, ndërsa pretendoi se verifikimet nuk ishin kryer si duhet, për shkak se votimi u bë gjatë fushatës elektorale.

Dy anëtarët e akuzuar të KPA-së dhe Kolegji i Apelimit nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN në lidhje me akuzat. Ndërkohë, Kolegji pas një ndërprerje prej dy orësh të seancës doli me vendim të ndërmjetëm për të rrëzuar kërkesën e Canit.

KPA tha se nuk plotësoheshin kushtet e nenit 297 të Kodit Civil dhe se procesoit ndaj Canit duhej të vazhdonte. Më herët, Kolegji kishte rrëzuar pretendimin e Canit për të përjashtuar dy anëtarët e sipërpërmendur.

Qëndrimet e palëve

Vendimi i Kolegjit për të vazhduar gjyqin nuk u kundërshtua nga palët. Menjëherë pas kësaj, Komisioneri Publik Florian Ballhysa paraqiti qëndrimet e tij në lidhje me parashtrimet dhe provat e reja të sjella nga Cani në seancën e kaluar.

Përmbledhtasi Ballhysa vuri në dukje se provat e reja nuk kishin ndryshuar qëndrimin e Komisionerit dhe se ai i qëndronte ankimit në të gjitha pikat. Ballhysa tha se bazuar në dokumentacionin e ri, analiza financiare e Canit përmirësohej me vetëm disa dhjetra mijëra lekë, ndërsa tha se ai kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm dhe s’kishte pasur burime për disa vite në shumën prej rreth 2 milionë lekë.

Ballhysa tha se provat e sjella nga Cani nuk ndryshonin shumë në të ardhurat e tij. Një pjesë e provave, sipas Komisionerit ishin përfshirë më herët në analizën financiare, ndërsa të tjerat sillnin ndryshim të papërfillshëm. Formalisht megjithatë Ballhysa i cilësoi të rregullta dokumentet e dorëzuara nga Cani.

Komisioneri vuri në dukje po ashtu se Cani nuk kishte sjellë prova të reja mbi çështjet e ngritura në kritetrin e profesionalizmit. Ai tha se Komisioneri i qëndronte ankimit në këtë pikë, e cilësoi marrëdhënien e Canit me kompaninë Kastrati si shkelje të etikës dhe tha se binte ndesh me “Parimet e Bangalores”.  Komisioneri vuri në dukje se kompania kishte hequr dorë nga një pjesë e pronës vetëm pak kohë pas investimit dhe e kishte bërë këtë pa kundërshpërblim.

Komisioneri po ashtu parashtroi se nuk kishte dokumente të reja as për çështjet penale që ishin ankuar dhe as për aplikimin për të përfituar statusin e të pastrehut nga Bashkia e Fierit, ndërsa prokuroria, që ai drejtonte atëherë, po hetonte bashkinë për abuzime me këtë status.

Halimi nga ana tjetër pretendoi se Komisioneri Publik nuk i ishte përgjigjur disa pyetjeve në lidhje me analizën financiare të Canit. Ai akuzoi se Komisioneri Publik kishte mbajtur qëndrime të ndryshme për të njëjtat probleme dhe nuk kishte apeluar çështje të ngjashme. “Kjo ka të bëjë me integritetin e procesit,” tha Halimi. Ai po ashtu tha se Cani dhe bashkëshortja kishin një pasuri normale dhe se shuma e pretenduar si e pajustifikuar ishte e papërfillshme nëse vendosej në propocion me kohën.

Halimi mbrojti kontratën me kompaninë “Kastrati”. Sipas tij, kjo ishte një kontratë qiraje dhe të ngjashme do të gjeje në të gjithë rajonin dhe po ashtu ishte model që përdorej nga British Petroleum. Sipas mbrojtjes, Cani kishte kërkuar mendim për këtë kontratë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, i cili ishte shprehur se nuk kishte konflikt. Halimi tha se megjithëse ky mendim vinte nga i vetmi institucion që kishte të drejtë të shprehej për këtë rast, klienti i tij ishte gati të hiqte dorë nga kontrata nëse kjo do të cilësohej me probleme nga institucionet e vetingut.

Cani nga ana e tij tha se i ishin bërë disa analiza financiare nga KPK që kishin dalë me rezultate të ndryshme dhe se në analizën e fundit ai kishte rezultuar me bilanc pozitiv. Ai tha se ishte i habitur me ndryshimet nga një analizë në tjetrën dhe se nuk e kuptonte nga “dilte 2 milionëshi” i pajustifikuar sipas Komisionerit, në këtë analizë të fundit.

Kolegji u kërkoi palëve mendim për tre denoncime, por pasi Komisioneri u shpreh se ato nuk do t’i përfshinte në ankim dhe pas qëndrimit të njëjtë të Canit, KPA  vendosi të mos i hetonte. Kolegji nga ana tjetër tha se cilësonte të mbyllur procesin përsa kohë palët nuk kishin prova të tjera për të sjellë.

Ndonëse Cani edhe Komisioneri u shprehën fillimisht të gatshëm për të dhënë konkluzionet përfundimtare menjëherë pas vendimit të KPA-së për pranimin e provave dhe mbylljen e procesit, u dakordësua që seanca e rradhës të vendosej më 18 shkurt në orën 11.00.