Analize2 Jan 2021

KPA thotë se Komisioni e shkarkoi Fuat Vjerdhën duke vlerësuar në kapërcim të kompetencave

Kolegji i Posaçëm i Apelimit arsyeton se konkluzionet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe cënim të besimit të publikut tek drejtësia lidhur me aspektin etiko-profesional janë të pabazuara në fakte dhe në ligj.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i Gjykatës së Apelit Shkodër. Fuat Vjerdha | Foto nga : LSA

Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e gjyqtarit Fuat Vjerdha ishte i pari që u përmbys si i pabazuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, i cili riktheu në detyrë ish-kryetarin e Gjykatës së Apelit Shkodër.

Në vendimin e arsyetuar, Kolegji rendit argumentet kundër thuajse të gjitha konkluzioneve të Komisionit për pasurinë, profesionalizmin dhe cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.

KPK vendosi më 10 qershor 2019 të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Fuat Vjerdha duke konkluduar se ka kryer deklarime të pamjaftueshme për gjendjen cash dhe likujditetet në llogaritë bankare; mangësi profesionale të përsëritura dhe se kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia për sa i takon aspektit etiko-profesional. Ndërkohë, Vjerdha u vlerësua pozitivisht për kriterin e figurës.

Gjyqtari Fuat Vjerdha e ankimoi vendimin e KPK duke e konsideruar të njëanshëm, kontradiktor dhe të marrë në kundërshtim me provat e administruara. Bashkëlidhur parashtrimeve të paraqitura dy muaj pas ankimit, Vjerdha ka paraqitur një peticion të nënshkruar nga 6224 persona, të cilët janë dakordësuar me faktin se ai nuk e ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë. Kolegji ka vlerësuar të mos e marrë si prove këtë peticion, duke argumentuar se nuk plotësonte kriterin që lidhet me afatin e depozitimit të provës së re së bashku me ankimin.

Pasuritë me burime të ligjshme

KPA konstaton se shkaku i vetëm i rëndësishëm që lidhet me kontestimin e konkluzionit të KPK se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarime të pamjaftueshme në deklaratën veting dhe nuk ka justifikuar në mënyrë bindëse mospërputhjen e kësaj të fundit me deklaratat periodike, lidhet me kursimet cash dhe gjendjet likuiditet në llogaritë bankare.

Komisioni ka konkluduar se Vjerdha, ose ka kryer deklarim të pamjaftueshëm në deklaratën veting për mospasqyrimin e posedimit të likujditeteve në shumën 1 milion e 683 mijë lekë, ose ka kryer së paku katër deklarime vjetore të pamjaftueshme që lidhen me shuma cash të deklaruara jo me vërtetësi duke mos i poseduar ato realisht.

Sipas KPK, bazuar në deklarimet vjetore për periudhën 2007-2015, subjekti duhej të kishte pasur gjendje cash në momentin e plotësimit të deklaratës veting shumën prej 1 milion e 683 mijë lekësh, ndërkohë që ka deklaruar se ka gjendje vetëm shumën prej 200 mijë lekësh.

Vjerdha ka shpjeguar se në kohën e përpilimit të deklaratës veting ka pasur realisht gjendje cash vetëm shumën e deklaruar 200 mijë lekë dhe se likuiditetet e akumuluara në vite e të përllogaritura prej tij, janë disponuar nga babai i cili jeton me të.

Ai ka paraqitur disa akte shkresore që tregojnë për faktin se babai zotëron depozita bankare dhe ka kryer disa pagesa duke përdorur pikërisht këto të ardhura të transferuara nga subjekti tek ai, për shkak të marrëdhënieve të posaçme dhe jetesës në një familje.

Trupi gjykues i KPA sjell në vëmëndje se nga analizat financiare të kryera në KPK dhe në Kolegj, Vjerdha ka pasur të ardhura të ligjshme të mjaftueshme për të përballuar të gjitha shpenzimet e kryera prej tij. “Për pasojë, subjekti plotëson në këtë mënyrë detyrimin kushtetues të provimit të burimit të ligjshëm të pasurive të tij[…]”, citohet në vendim.

KPA vëren se Komisioni ka mbajtur qëndrim të ndryshëm në analizën e deklarimeve periodike për gjendjen cash. Sipas Kolegjit, Komisioni e pranon se në vitin 2014, ka pasur ndryshim të likuiditeteve të Vjerdhës në vlerën prej 1,6 milion lekësh. “[…]do të thotë se e lexon gjendjen cash të deklaruar në këtë vit, prej 195.000 lekësh, si pakësim të gjendjes cash të akumuluar në vite sipas deklarimeve”, citohet në vendim.

Sipas vlerësimit të Kolegjit, konkluzioni i Komisionit se subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë, pasi në deklaratën veting nuk ka shënuar shumën cash që disponon realisht, është një konkluzion i pambështetur në ndonjë dhënë të dalë nga ndonjë provë që vërteton këtë fakt. “Kjo mënyrë të interpretuari mbetet thjesht matematikore dhe jologjike apo e mbështetur në një vlerësim të harmonizuar të rrethanave, të kuadrit ligjor e të qëllimit të procesit të rivlerësimit”, shprehet Kolegji.

Trupi gjykues çmon se, edhe nëse do të qëndronte konkluzioni i Komisionit se subjekti në të paktën katër deklaratat periodike ka deklaruar në mënyrë të pasaktë gjendjen e tij të cash-it, për sa kohë që nuk shoqërohen me mungesa të burimeve të ligjshme, nuk mund të përbëjnë shkak shkarkimi.

Profesionalizmi dhe cënimi i besimit

Konkluzionet e KPK se Vjerdha ka shfaqur mangësi profesionale të përsëritura, shkelje procedurale dhe gjykim të dobët për të cilat duhet të shkarkohet, Kolegji i cilëson të padrejta dhe jo në harmoni me dispozitat ligjore. KPA konstaton se disa prej gjetjeve të KPK përfaqësojnë vlerësime e qëndrime në kapërcim të objektit të organeve të rivlerësimit lidhur me kontrollin e këtij kriteri. Ndërsa dy gjetjet e Komisionit të cilat u konsideruan si të bazuara, për Kolegjin nuk mjaftojnë për të arritur në përfundimin se subjekti i rivlerësimit është nën nivelin minimal kualifikues.

KPK ka konstatuar penalizuese gjetjet për 6 çështje të veçanta të denoncuara nga publiku. Nga gjashtë çështjet e gjykuara nga Vjerdha që janë verifikuar nga Komisioni, Kolegji vëren probleme në vetëm dy prej tyre, por i konsideron jo penalizuese.

Për tre çështje penale Penale dhe një civile, Kolegji vlerëson se Komisioni ka arsyetuar përgjithësisht jashtë kompetencës të tij.

“Kolegji konstaton se të gjitha vlerësimet e Komisionit lidhen dhe i adresohen zgjidhjes në themel të çështjes penale, duke tentuar të kryejë një arsyetim e analizë të ndryshme të fakteve e rrethanave të çështjes nga ajo që ka kryer vetë Gjykata e Apelit në vendimin e saj. Në këto konkluzione të Komisionit, Kolegji verën se gjendemi para një tejkalimi të kompetencës lëndore që kanë organet e rivlerësimit në drejtim të kontrollit e verifikimit të aftësisë profesionale të subjekteve të rivlerësimit”, citohet në arsyetimin e Kolegjit për një çështje penale me të gjykuar M.M dhe F.M, të akuzuar për “Mashtrim”, për të cilët trupa gjykuese e Apelit Shkodër ku bënte pjesë edhe Vjerdha, ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Lezhës, duke e shpallur të pafajshëm një prej të pandehurve si dhe ulur e pezulluar dënimin e tjetrës.

Kolegji konstaton se qëndrimi i Komisionit se subjekti, si pjesë e trupës gjykuese që ka shqyrtuar çështjen, ka shfaqur mangësi në zbatimin e ligjit sepse nuk ka ngritur akuza të reja ndaj të gjykuarve që lidhen me akuzat për falsifikim aktesh, është i gabuar dhe i pambështetur në dispozitat ligjore që normojnë dhe përcaktojnë rolin procedural të gjykatës në një proces penal.

Sipas KPA, Komisioni ka konfonduar kompetencat që ka prokuroria dhe gjykata lidhur me ngritjen e akuzave dhe merr atribute në tejkalim të kompetencave të tij. Kolegji shpjegon se të drejtën dhe detyrimin për ngritjen e akuzave e ka prokuroria dhe jo gjykata.

“[…]Komisioni tejkalon kompetencën e tij kushtetuese e ligjore duke vlerësuar vendimmarrjen dhe zgjidhjen në themel të një çështjeje gjyqësore, atribut vetëm i një gjykate më të lartë”, konstaton Kolegji në shqyrtimin e ankimit lidhur me çështjen penale të gjykuar nga Vjerdha, në ngarkim të F.Sh, F.M e Gj.P. të akuzuar për “shpërdorim detyre”, për shkak të dhënies së lejes së ndërtimit prej Këshillit Bashkiak Shodër, për miratimin e një objekti të përfunduar më parë, pa leje.

Edhe pse në këtë rast, vendimi i Gjykatës së Apelit Shkodër për shfajësimin e dy prej tre të akuzuarve është rrëzuar nga Gjykata e Lartë, Kolegji vlerëson se fakti që një gjykatë më e lartë, ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm në vlerësimin e një çështjeje gjyqësore, nuk mund të përdorej apriori si një argument për të vlerësuar negativisht aftësitë profesionale të magjistratit. “[…]veçanërisht ato që lidhen me zgjidhjen e çështjes, siç është rasti konkret”, vëren trupi gjykues i KPA.

Kolegji sjell në vëmendje se edhe vlerësimi periodik i magjistratëve, nuk parashikon matjen e aftësive për gjykim apo arsyetimin ligjor të magjistratëve në varësi të qëndrimit që gjykatat më të larta mbajnë mbi vendimet e tyre.

Kolegji vëren probleme në një çështje civile të gjykuar nga Vjerdha, ku denoncuesi A.Gj quante të paligjshëm vendimin e pezullimit të tij nga detyra nga ana e kryetarit të Bashkisë Lezhë.

Komisioni ka vlerësuar se në këtë rast Vjerdha ka kryer shkelje procedurale duke evidentuar mangësi të rënda dhe të shumëfishta profesionale, si marrjen e provave përtej kompetencës; administrimin dhe përdorimin e një prove që nuk kishte lidhje me objektin e çështjes që po shqyrtohej; gjykim të dobët dhe  dhënie sugjerimesh apo këshillash jashtë seancës gjyqësore formale, me mikrofona të fikur, në favor të njërës palë dhe në dëm të tjetrës.

KPK ka çmuar se këto shkelje lidhen me procedurat e gabuara dhe joetike të ndjekura përgjatë një procesi gjyqësor dhe kanë se kanë cënuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Kolegji vëren se sjellja e trupës gjykuese me vendimin për të riçelur kryesisht hetimin gjyqësor e marrjen e një prove e cila nuk ishte paraqitur prej palës në momentin e duhur kohor dhe as ishte pretenduar, është në tejkalim të rolit të gjykatës në një proces civil, nën dritën e ndryshimeve të reja që ka pësuar procedura civile.

Sipas KPA, në rastet kur gjykata do të vendosë kryesisht riçeljen e hetimit gjyqësor, ajo do të ketë të drejtën të rimarrë prova të marra nga gjykata e shkallës së parë nën nevojën e sqarimit të situatës faktike apo shqyrtimit të drejtpërdrejtë të ndonjë prove.

Trupi gjykues verën se me të drejtë Komisioni në këtë rast ka konstatuar se subjekti i rivlerësimit ka vepruar në tejkalim të kompetencave e rolit të një gjykate në një proces civil duke performuar një rol aktiv që, sipas ndryshimeve të reja procedurale, nuk e gëzon më.

Ndërkohë, Kolegji vëren se nuk mund të provohet vetëm me deklarimin e denoncuesit se Vjerdha ka sugjeruar paraqitjen e kësaj prove dhe e konsideron jo bindëse këtë gjetje të Komisionit.

Kolegji çmon se vendimi i Komisionit në lidhje me këtë çështje është i drejtë për sa i përket konstatimit se subjekti ka vepruar në kundërshtim me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, duke marrë një provë të re kryesisht, por e konsideron si mangësi në drejtim të njohurive ligjore që do të konsiderohet në vlerësimin e përgjithshëm të kriterit të aftësisë profesionale

Edhe lidhur me gjykimin e çështjen penale të vitit 2011 në ngarkim të të gjykuarve S.M., B.K. e E.K., të akuzuar për vrasjen e të miturit A.L., Kolegji vlerëson mangësi ligjore të Vjerdhës.

I pandehuri S.M. dhe dy të pandehurit e tjerë u akuzuan se masakruan me mjete të forta deri në vdekje të miturin A.L. teksa ai po kulloste bagëtitë. Trupa gjykuese e Apelit ku bënte pjesë edhe Vjerdha ndryshoi kualifikimin ligjor për veprën penale për të cilën akuzohej S.M., nga “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në “Sigurim i kushteve për të kryer vrasje” e “Moskallëzim krimi”. Pas daljes nga burgu, S.M. kreu vrasjen e një çifti çek, që kishin mbërritur në alpet shqiptare për turizëm.

Kolegji konstaton se kualifikimi i ri ligjor i veprimtarisë së të gjykuarit M., nuk është korrekt dhe në përputhje me ligjin për sa i përket konkluzionit se ai ka konsumuar veprën penale të sigurimit të kushteve për vrasje. Në konkluzion të këtij arsyetimi, KPA arrin në përfundimin se lidhur me këtë çështje penale, subjekti do të konsiderohet se ka shfaqur mangësi në drejtim të njohurive ligjore.

Në vendim thuhet se Komisioni nuk ka kryer një analizë e shqyrtim autonom për të vlerësuar aftësinë profesionale të subjektit në këtë çështje gjyqësore, pasi ka vendosur vetëm mbi konkluzionet e inspektimit të kryer nga Ministria e Drejtësisë në Gjykatën e Apelit Shkodër.

“Kolegji konstaton gjithashtu se as vendimet e gjykatave respektive, të cilat janë referuar në vendim, nuk janë administruar prej Komisionit gjatë hetimit administrativ, në mënyrë që ai të kryente një proces vlerësimi të pavarur nga organe e tjera[…]”, konstaton Kolegji.

Duke ju referuar një interpretimi të Gjykatës Kushtetuese, Kolegji vlerëson se shkeljet e Vjerdhës në zbatim të gabuar të Kodit të Procedurës civile dhe Kodit Penal nuk mund të bëhen shkak për rezultat negativ.

Në vendimin e Komisionit, qëndrimi në lidhje me cënimin e besimit të publikut te drejtësia gjendet i pasqyruar në dy çështjet e sipërcituara ku edhe Kolegji vëren probleme. Por, KPA konstaton se elementet që Komisioni ka përdorur për të arritur në këtë konkluzion, nuk janë të tilla që meritojnë të ngrihen në nivelin e një sjelljeje të subjektit që cënon besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

“[…]nga verifikimi i akteve, nuk rezulton i qartë roli dhe aktiviteti i subjektit të rivlerësimit në orientimin e një pale ndërgjyqëse për të paraqitur një provë, orientim i cili pretendohet se është kryer jashtë seancës gjyqësore”, vëren trupi gjykues lidhur me konkluzionin e KPK se Vjerdha kishte sugjeruar marrjen e një prove jashtë seancës gjyqësore.

Sipas KPA Komisioni duhej të kishte analizuar nëse veprimi ka qenë për të favorizuar palën e paditur apo i natyrës organizative e administruese të procesit në funksion të dhënies së një vendimi mbështetur në të gjitha provat që konsideroheshin të nevojshme.

Lidhur me gjetjen për kohëzgjatjen e kohës së gjykimit të çështjes gjyqësore që i përket të gjykuarit S.M, jashtë afatit të normuar nga vendimi i KLD, si edhe me faktin që të gjitha seancat gjyqësore kanë filluar me vonesë, Kolegji vëren se këto shkelje janë konstatuar vetëm nga raporti i inspektoriatit të ministrisë së Drejtësisë dhe jo nga verifikimi i drejtë i KPK.

Sipas KPA, përgjegjësia mbi këto zvarritje bie mbi gjyqtarin relator të çështjes dhe për arsye se Vjerdha ka qenë në cilësinë e anëtarit, nuk mund të diskutohet për përgjegjësi të subjektit për këtë shkak.

Kolegji çmon se elementet e përdorura prej KPK si bazë për të konkluduar se subjekti ka cënuar besimin e publikut te drejtësia, nuk kanë një natyrë e peshë të tillë për të shkaktuar perceptimin e publikut se drejtësia nuk funksionon dhe e quan vendimin e Komisionit të pambështetur në ligj dhe në fakte.