Analize27 Sep 2021

KPA u nda për afatin e ankimit ndaj konfirmimit të Anton Martinit dhe cënimin e besimit të publikut

Kolegji konkludoi unanimisht se prokurori i Tiranës Anton Martini ka kryer deklarim të pasaktë për burimet e një kësti të apartamentit që zotëron, ndërkohë që është ndarë për procedurën e shqyrtimit të kundërankimit të subjektit për afatet e ankimit dhe gjetjet mbi cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Anton Martini dhe avokati Jualian Mërtiri pas seancës në KPA. Foto:Vladimir Karaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA ndryshoi më 10 qershor vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për konfirmimin në detyrë të ish-kandidatit për SPAK, prokurorit Anton Martini. Kolegji e shkarkoi Martinin për deklarim të pasaktë dhe mungesë burimesh të një kësti të apartamentit të vetëm që zotëron – si dhe për cënim të besimit të publikut në përdorimin e një kredie të butë, në dërgimin një mesazhi dhe për mënyrën e shpërndarjes së çështjeve në Prokurorinë e Shkodrës kur ai ishte drejtues. Konkluzionet lidhur me çështjet e hetuara nga subjekti dhe denoncimet ndaj tij, u konsideruan të pamjaftueshme si shkaqe shkarkimi.

Trupi gjykues i KPA i kryesuar nga Ardian Hajdari, me relatore Albana Shtyllën dhe anëtarë Natasha Mulajn, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomon, në mënyrë unanime vlerësoi se prokurori Martini ka kryer deklarim të pasaktë lidhur me burimin e pagesës së këstit të parë të apartamentit, si dhe nuk ka pasur mundësi për pagesën e kësaj shume në vlerën 50 mijë euro në vitin 2015.

Kolegji vëren se një pjesë e mbetur e kredisë së butë në vlerën 2.5 milionë lekë që nuk është investuar në bono thesari, pas tërheqjes së saj nga llogaria bankare përbënte shtim të gjendjes cash në banesë dhe duhej të ishte deklaruar në vitin 2007. “Po kështu edhe në deklaratën e interesave privatë të vitit 2008, subjekti i rivlerësimit duhet të deklaronte shtimin e gjendjes cash në banesë, në vlerën 2.500.000 lekë, për shkak të tërheqjes së investimit në bono thesari të të ardhurave nga kredia”, vijon argumentimin trupi gjykues.

KPA vlerëson se mosdeklarimi i këtyre vlerave si shtesa të cash-it në banesë, krijon bindjen se nuk mund të kenë shërbyer si burim krijimi për investimet në fondin e investimeve në Raiffeisen Invest në vitet 2013 e 2014, tërheqja e të cilave në vitin 2015 është pretenduar nga subjekti i rivlerësimit si burim krijimi për pagesën e këstit të parë për blerjen e apartamentit në po të njëjtin vit.

Ndërkohë, Kolegji është ndarë në vlerësimin e kundërankimit dhe çështjeve për cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Kundërankimi për afatet

Vendimi u ankimua në qershor të vitit 2020, disa javë pas afatit, por Komisioneri Publik, Florian Ballhysa argumentoi se veprimtaria e tij ishte pezulluar për shkak të pandemisë.

Martini kreu kundërankim dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor në KPA kërkoi që të prishet vendimi i Komisionit për pranimin e ankimit, si dhe të mos pranohej ankimi i kryer nga Komisioneri, pasi ishte dorëzuar jashtë afatit 15 ditor.

Dukje ju referuar ligjit për vetingun si dhe Kodit të Porcedurave Administrative dhe atij Civil, Martini pretendoi se Komisioneri Publik ka marrë dijeni për vendimin e KPK-së që më datë 24 mars 2020 kur është publikuar në faqen zyrtare në interent. Ai shtoi se Komisioneri kishte marrë dijeni edhe nëpërmjet komunikimit elektronik me e-mail dhe me anë të një shkrese të dërguar zyrtarisht nga KPK, por ka refuzuar ta protokollojë duke njoftuar se kishte pezulluar afatet e ankimit për shkak të hyrjes në fuqi të aktit normativ lidhur me menaxhimin e situatës së pandemisë nga covid-19.

Ndryshe nga pretendimet e Martinit, KPA vëren se nuk ekziston asnjë akt që konfirmon se Komisioneri ka marrë dijeni më datë 24 mars 2020. Sipas Kolegjit, edhe Komisioni ka pranuar të njëjtin fakt duke u shprehur se i ka ridërguar Komisionerit Publik të njëjtën shkresë më datë 28 maj 2020. KPA vlerëson se njoftimi i vendimit konsiderohet i përmbushur nëse plotësohen dy kushte kumulative: dërgimi i njoftimit dhe marrja dijeni nga ana e Komisionerit Publik ose nga subjekti të rivlerësimit.

Kolegji thekson se në kushtet kur nuk provohet se Komisioneri e ka marrë në dorëzim nëpërmjet protokollit zyrtar shkresën e dërguar më 24 mars 2020, njoftimi nuk mund të konsiderohet i përfunduar në këtë datë.

Lidhur me publikimin e vendimit në faqen zyrtare, Kolegji vëren se kjo mënyrë nuk përbënë një nga format e njoftimit. Sipas KPA, qëllimi i dispozitave është që subjektit të rivlerësimit, Komisionerëve Publikë dhe Vëzhguesve Ndërkombëtarë t’u njoftohet vendimmarrja e Komisionit në formën e aktit të shkruar. Sipas shumicës së Kolegjit, në rastin e Komisionerit, vendimi duhet të jetë i shoqëruar edhe me dosjen e plotë të hetimit administrativ të zhvilluar nga Komisioni.

Kolegji ka rrëzuar si të pabazuar edhe pretendimin tjetër se vendimi është komunikuar nëpërmjet email-it duke argumentuar se njoftimet nëpërmjet postës elektronike përcaktohet në ligj si mënyrë komunikimi e organeve të rivlerësimit me subjektet, me qëllim lehtësimin e procesit.

Në përfundim, trupi gjykues arrin në konkluzionin se ankimi i Komisionerit Publik ndaj vendimit të KPK për Martinin është paraqitur brenda afatit ligjor prej 15 ditësh.

Anëtarja e trupi gjykues të KPA, Natasha Mulaj ka dalë me mendim paralel duke e kundërshtuar procedurën e ndjekur nga shumica për shqyrtimin e kundërankimit të prokurorit Martini.

Mulaj sjell në vëmendje se Martini kërkoi shqyrtimin e kërkesës paraprake për mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik që, sipas tij ishte depozituar jashtë afatit ligjor, përpara se të shqyrtonte themelin e çështjes.

Mulaj vëren se dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative, Kodit të Procedurës Civile dhe Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë kanë trajtuar në mënyrë të qartë shqyrtimin e kërkesave paraprake. Sipas saj, ku tipar kryesor i përbashkët i këtyre kodeve është se gjykata, pas shpalljes së përbërjes së trupit gjykues zgjidh kërkesat paraprake të palëve duke u shprehur në çdo rast me anë të një vendimi të ndërmjetëm, përpara shqyrtimit të çështjes në themel.

“[…]çmoj se shumica e trupit gjykues në fillim duhet të kishte trajtuar nëse ky ankim ishte paraqitur apo jo brenda afatit ligjor dhe me vendim të ndërmjetëm të kishte vendosur për pranimin ose jo të kërkesës[…], shprehet Mulaj.

Ajo vlerëson se kërkimi i subjektit kishte natyrë të veçantë dhe e konsideron të padrejtë vendimin e shumicës për ti dhënë përgjigje gjatë shqyrtimit të çështjes. Mulaj e konsideron si shkelje të rëndë procedurale vendimin e shumicës për hapjen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes pa marrë vendim të ndërmjetëm lidhur me kërkesën paraprake.

“[…]raste të tilla të ngjashme çojnë në paragjykimin e çështjes”, Konkludon Mulaj por nuk shprehet nëse qëndron ose jo kërkimi i prokurorit Martini.

Mendimi kundër për cënimin e besimit

Në vlerësimin tërësor të çështjes, trupi gjykues i KPA vlerësoi se Martini ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë në mënyrën e përdorimit të një kredie të butë, gjatë komunikimit me një avokate si dhe në organizimin e punës për shpërndarjen e çështjeve në Prokurorinë e Shkodrës kur ishte drejtues.

Ashtu si Komisioneri, edhe shumica e Kolegjit vlerëson se subjekti ka përfituar fonde nga buxheti i shtetit në mënyrë të dyfishtë e të padrejtë – duke përdorur një kredi të përfituar me kushte lehtësuese në vitin 2007 për strehim, në investim bono thesari gjatë periudhës 2007-2008.

Martini argumentoi se me fondet e përfituara nga investimi në bono thesari kishte paguar pjesërisht qiranë e banesës dhe se ato të ardhura fitoheshin pikërisht për strehimin e tij përderisa nuk kishte blerë ende një banesë. Ai theksoi se veprimi i kryer në menaxhimin e kredisë jo vetëm që ishte ligjor, por edhe thellësisht njerëzor. Martini pretendoi se kredia ishte përdorur në çdo moment e fazë të lëvirimit të saj sipas qëllimit dhe destinacionit të dhënë, për strehim.

Mulaj shprehet kundër shumicës lidhur me këtë konstatim. Ajo argumenton se subjekti ka aplikuar për kredinë e butë konform ligjit dhe se kredinë nuk e ka transferuar tek ndonjë i afërm i familjes për përfitime të tjera.

Ajo vëren se subjekti ka shpjeguar në seancë se, i ndodhur në kushtet e urdhër mbrojtjes nga Policia e Shtetit, për shkak të detyrës si prokuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë, nuk ka qenë e mundur gjetja e një ambienti të përshtatshëm dhe të sigurt për të jetuar në qytetin e Tiranës në momentin e marrjes së kredisë.

“Me konsideratë deklarimet e subjektit në seancë gjyqësore publike dhe korrektësinë në deklarimin e situatës së tij, në vitin përkatës, të krijohet bindja që subjekti i rivlerësimit nuk ka pasur tendencë të fshehë apo të ketë pasur qëllim marrjen e kësaj kredie për të përfituar në bono thesari[…]”, vlerëson Mulaj dhe thekson se Martini ka qenë në kushtet e pamundësisë reale për gjetjen e banesës së duhur në mënyrë të menjëhershme, për të jetuar me familjen në përmbushje të kritereve të urdhrit të mbrojtjes.

Sipas Kolegjit, Martini ka thyer rregullat e etikës në përdorimin e disa shprehjeve gjatë komunikimeve me mesazhe telefonike nga telefoni i punës me avokaten E.Ç., si dhe ka kërkuar të ndikojë në mënyrë të papërshtatshme për familjarët e tij.

“Trupi gjykues vëren se subjekti i rivlerësimit, teksa gëzonte funksionin e prokurorit, i ka dërguar shtatë mesazhe telefonike avokates E. Ç., me një përmbajtje që kishte për qëllim t’i tregonte asaj se subjekti i rivlerësimit dhe familjarët e tij ishin të zhgënjyer nga qëndrimi i saj, në disfavor të të afërmit të subjektit të rivlerësimit”, citohet në vendim.

Trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se gjuha e përdorur nga subjekti i rivlerësimit në komunikimin mes tij dhe avokates, përbëjnë sjellje që nuk i shërben qëllimit për rikthimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë. Sipas shumicës, përfshirja e subjektit krijon përshtypjen se ai ka pasur për qëllim të përdorë autoritetin e funksionit të prokurorit për të ndikuar mbi avokaten Ç., me qëllim përmbushjen e interesave të të afërmit të tij.

Mulaj në pakicë, e kundërshton këtë konkluzion të shumicës dhe vlerëson se komunikimi privat nëpërmjet mesazheve telefonike duhej të ishte trajtuar në kuadër të etikës së magjistratit. Ajo sjell në vëmendje se në asnjë rast tjetër nuk ka rezultuar që subjekti të kishte probleme me komunikimin ose të ishin të përsëritura raste të tilla.

Mulaj vlerëson ndryshe edhe lidhur me konstatimin e shumicës se Martini ka dështuar të organizojë dhe dokumentojë shpërndarjen e çështjeve të regjistruara në Prokurorinë e Shkodrës, kur ai ishte drejtues. Vlerësimi i shumicës erdhi pas verifikimit të një denoncimi anonim ku pretendohej se subjekti për shtatë muaj nuk ka hedhur shortin në prokurorinë e Shkodrës dhe se çështjet i ka shpërndarë sipas dëshirës dhe interesave të tij.

Gjyqtarja Mulaj sjell në vëmendje se kjo çështje është ngritur për shqyrtim pranë Kolegjit nga një denoncim anonim i ardhur për shqyrtim pranë institucioneve të rivlerësimit dhe se në asnjë rast nuk u provua se subjekti i rivlerësimit, në cilësinë e drejtuesit të prokurorisë, për muajt dhjetor 2017 dhe janar 2018 të ketë kryer shpërndarjen e çështjeve në kundërshtim me ligjin.

Ajo shton se nga shqyrtimi në KPA ka rezultuar se në vitin 2017 ka pasur probleme sistemi CAMS për shkak të fikjes së serverave të Prokurorisë se Përgjithshme, si dhe dëmtimit të databases së sistemit e mos rikuperimit të të dhënave. “Hedhja e shorteve dhe regjistrimi për këto çështje është bërë manualisht në çdo prokurori”, thekson Mulaj dhe shton se Martini nuk rezulton të ketë shkelur ansjë prej dispozitave që rregullojnë shpërndarjen e çështjeve në prokurori.

“[…]gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje duhet të kishte analizuar dhe vlerësuar në harmoni provat ligjore të administruara dhe situatën faktike të subjektit të rivlerësimit të krijuar për shkak të detyrës, si faktin që subjekti ka qenë në mënyrë të vazhdueshme me urdhër mbrojtjeje fizike për vete dhe familjen, si dhe duhet të mbante parasysh faktin e kërkesave të shumta të tij gjatë ushtrimit të detyrës për dhënien e dënimit me burgim të përjetshëm”, konstaton Mulaj dhe vlerëson se nuk ka cënim të besimit të publikut as në këtë rast.