Analize26 Dec 2018

KPK e ndarë në vendimin për shkarkimin e ndihmësit ligjor Artor Ylli

Shumica në KPK shkarkoi ndihmësin ligjor Artor Ylli për “mungesë etike”, por relatori votoi kundër duke arsyetuar se gjetjet nuk ishin shkarkuese. Ylli pretendon se KPK ka shkelur afatin e zbardhjes së vendimit, duke penguar apelimin.  

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Ndihmësi ligjor pranë Gjykatës Administrative Artor Ylli, gjatë seancës së KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Transfertat që ndihmësi ligjor Artor Ylli ka kryer në favor të një shtetasi Kinez, që sipas tij i ka bërë për llogari të avokatit N.M., ishte një nga pikat  mbi të cilat shumica vendosi për shkarkimin e tij.

Relatoi i ccështjes Roland Ilia në pakicë arsyetoi se vendimi ishte i gabuar dhe se nuk rezultoi që “subjekti i rivlerësimit të ketë kryer veprime të kundërligjshme apo veprime që kanë cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”.

Ylli vetë në një letër drejtuar Komisionit Ndërkombëtar të Juristëve në Gjenevë të Zvicrës ankohet se KPK ka shkelur afatin e zbardhjes së vendimit, ndërsa pretendon se është hetuar për një periudhë kur nuk ka qenë në detyrë.

Ylli ishte ndër të parët ndihmës ligjor që iu nënshtrua procesit të rivlerësimit në fillim të nëntorit. Trupi gjykues i përbërë Etleda Çiftja kryesuese, Roland Ilia relator dhe Brundilda Bekteshi anëtare, shqyrtoi atë në të tre kriteret. Vendimi për shkarkimin e tij i marrë nga komisioneret Cciftja e Bekteshi u bazua kryesisht mbi mungesën e transparencës të disa transfertave bankare për në Kinë. Ylli pretendoi se transfertat ishin kryer prej tij në mirëbesim dhe se ai nuk kishte shkelur ligjin.  Vendimi i KPK e përjashtoi atë nga vijimi i studimeve në Shkollën e Magjistraturës dhe po ashtu nga vijimi i punës si ndihmës ligjor pranë Gjykatës Administrative.

Lexo edhe:

Mendimi i shumicës

Pavarësisht se Artor Ylli dhe avokati N.M. kanë deklaruar se paratë janë transferuar për llogari të këtij të fundit, me qëllim kryerjen e pagesave për blerjen e mallrave të ndryshëm që do të tregtoheshin në Shqipëri, mungesa e dokumentacionit ligjor nuk e ka bindur shumicën në komisionin.

Në lidhje me vlerësimin e pasurisë KPK ka argumentuar se; “për transfertat e kryera nga banka “ICB”, Ylli nuk arriti të provojë bindshëm se shumat që ai ka transferuar për llogari të shtetasit kinez, z.Zh., kanë burim tregtinë e mallrave ose që detyrimi dhe borxhi  ndaj shtetasit Zh. ishte për blerje mallrash, pasi subjekti nuk paraqiti asnjë dokument për ta vërtetuar këtë gjë”.

Gjithashtu, KPK vlerëson se ndihmësi ligjor Artor Ylli, nuk provoi dot me dokumentacion justifikues ligjor të ardhurat e ligjshme nga ai vetë apo, z. N.M., lidhur me krijimin e shumave të transferuara për llogari të një shtetasi kinez. Konkretisht të shumave; 16 mijë USD më datë 14 dhjetor 2010, 30 mijë USD më datë 13 shkurt 2012 me qëllim shlyerje detyrimi dhe transfertë cash të 10 mijë dollarëve më datë 02 nëntor 2010.

Sipas KPK, Ylli nuk provoi me dokumentacion ligjor provues lidhjen dhe shkakun se përse ai duhet ta kryente këtë transfertë në favor të z. N.M. apo biznesit të tij familjar. Gjithashtu, në vendim shkruhet se ai nuk povoi dot se ka qenë asistent pranë avokat N.M., ashtu si kishte deklaruar dhe se nga hetimi administrativ ka rezultuar se subjekti rivlerësimit nuk ka paraqitur as dokumente që provonin se N.M., kishte qenë avokat dhe as vërtetim nga Dhoma e Avokatisë Tiranë se ai ishte regjistruar në regjistrin e asistentëve avokatë pranë Av. N.M..

“Subjekti i rivlerësimit pranon se i ka kryer këto transferta në vitet 2010-2012 dhe në vite të tjera deri në janar të vitit 2015, ka transferuar jashtë vendit në çdo rast shumën e lejuar prej 3,5 milion lekësh, duke e ditur që ky ishte një veprim i cili favorizonte biznesin e z. N.M., duke kryer evazion tatimor”, citohet në vendimin e komisionit.

Ndërkohë, një tjetër çështje që ka dëmtuar situatën e Yllit ka qenë edhe mospagimi i detyrimeve tatimore ndaj Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë në shumën prej 242.518 lekësh dhe detyrimet ndaj Njësisë Administrativ Kashar, në shumën prej 144.400 lekësh kur ai rezulton se ishte regjistruar si person fizik me aktivitet “aktivitete juridike”.  Komisioni e ka quajtur të pamjaftueshëm deklarimin e Yllit, pasi nuk ka deklaruar detyrimin tatimor ndaj Njësisë Administrative Kashar, në deklaratën “Vetting” të vitit 2017.

“Pavarësisht faktit që ai i ka paguar detyrimet në momentin kur ju paraqitën rezultatet e hetimit, ai duhej të kishte pasur dijeni dhe të kishte paguar atë para deklaratës “Vetting” të vitit 2017”, shkruhet në vendim.

Veprimet për transfertat bankare në mënyrë të përsëritur dhe mos deklarimi i detyrimeve që u paguan gjatë proicesit tregojnë sipas KPK “mungesë etike dhe integriteti, elementë të cilët cenojnë figurën e magjistratit”.

Ndërkohë, lidhur me pastërtinë e figurës Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar raportoi pranë komisionit përshtatshmërinë e Artor Yllit për vazhdimin e detyrës, pasi nuk ishin konstatuar kontakte të tij me persona me lidhje me krimin e organizuar. Gjithashtu, duke qenë se në testimet pranë Shkollës së Magjistraturës kishte kapur më shumë se 60% të pikëve, ky institucion ka çmuar se ai mund të vazhdonte trajnimin dy vjeçar për gjyqtar.

Mendimi pakicës

Në anën tjetër relatori i çështjes, Roland Ilia nuk është dakord me argumentet dhe vendimin e dy kolegeve të tij, Etleda Çiftja dhe Brunilda Bekteshi.

“Si anëtar i trupit gjykues nuk pajtohem me mendimin e shumicës, pasi çmoj se bazuar në provat, faktet dhe rrethanat e dala gjatë hetimit administrativ të kryer, nuk u provua që subjekti i rivlerësimit të ketë kryer veprime të kundërligjshme apo veprime që kanë cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, marrë në konsideratë këtu që, veprimet për të cilat shumica ka disponuar për shkarkimin e tij, janë kryer në një kohë që subjekti nuk ka qenë pjesë e sistemit të drejtësisë”, ka argumentuar relatori Roland Ilia.

Ilia thotë  se ndihmësi ligjor Artor Ylli duhet të konfirmohej në detyrë. Sipas tij, nga tërësia e akteve dhe provave të administruara në dosje, nuk konfirmohet dijenia e subjektit për qëllimin e fshehur të kryerjes së transfertave, por duket se ka vepruar në mirëbesim. “Ky fakt, përforcohet edhe nga dëshmia e z. N.M., i cili ka deklaruar se këto transferta janë kryer për llogari të tij, në mirëbesim dhe pa kundër shpërblim. Nën këto argumente, duken bindëse shpjegimet e dhëna nga ana e subjektit lidhur me qëllimin e kryerjes së këtyre transfertave”, citohet në vendim mendimi i relatorit Roland Ilia lidhur me dërgesat e shumave të valutës të kryera nga Ylli në favor të një shtetasi kinez.

Më tej ai i ka cilësuar si të sakta deklarimet për detyrimet ndaj Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë dhe ndaj Njësisë Administrative Kashar. Ndërkohë, ka vlerësuar se ndryshimi i vlerave të këtyre detyrimeve nga momenti i deklarimit me momentin e konfirmimit të tyre nga organet përkatëse, ka të bëjë me pagesa të kryera nga ana e subjektit, përfitim nga ligji i faljes së detyrimeve si edhe interesa të shtuara në rastin e detyrimeve ndaj Njësisë Administrative Kashar.

Ilia shprehet se problemet e vërejtura nuk duhej të ishin konsideruar shkarkuese dhe se Ylli duhej të ishte konfirmuar në detyrë.

Ankesa e Yllit

Në të njëjtën kohë që KPK bëri publik vendimin e zbardhur magjistrati Artor Ylli, i shkarkuar më 2 nëntor 2018 nga KPK prej detyrës si ndihmës ligjor panë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, dërgoi me e-mail një ankesë të tij ndaj këtij vendimi.

Ylli thotë se i është drejtuar me një letër Komisionit Ndërkombëtar të Juristëve në Gjenevë të Zvicrës, ku pretendon për vonesën e vendimit të arsyetuar tej afatit 30 ditor. Sipas Yllit, vonesa i ka shkaktuar një pasiguri të konsiderueshme në pozicionin e tij dhe se i është mohuar mundësia për të apeluar vendimin.

Më tej ai e cilëson vendimin  KPK-së të marrë jashtë kompetencës duke hetuar gjatë një periudhe ku nuk ka qenë në detyrë. Duke e cilësuar veten si një student të thjeshtë që i duhet të marrë tre autobusë për të shkuar në shkollë, Artor Ylli këmbëngul se sjellja e tij si avokat ka qenë gjithmonë etike dhe se transaksiont e kryera në emër të tij për llogari të z.N.M., janë kryer në mirëbesim.

Ylli parashtron në ankesë se në vendim është përcaktuar si shkelje e normave të sjelljes gjyqësore, sjellja e tij kur punonte si asistent avokat për të cilën pretendon se ka qenë etike. “Unë nuk mendoj se qëllimi i reformës ishte sanksionimi i njerëzve si unë, përkundrazi, qëllimi i tij është krijimi i hapësirës për kandidatët e rinj profesionalë dhe të ndershëm si unë” shkruan ndër të tjera Artor Ylli në ankesë.