Analize20 Oct 2021

KPK e shkarkoi prokuroren Daniela Sulaj për bilancin negativ në blerjen e një trualli

Prokurorja Daniela Sulaj u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK për një bilanc negativ prej 1.9 milion lekësh për blerjen e një trualli në vitin 2013, ndërsa problemet e gjetura në kriterin e profesionalizmit nuk u cilësuan shkarkuese.  Sulaj këmbënguli se kishte dhënë shpjegime sqaruese.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurorja Daniela Sulaj duke dalë nga seanca e KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e bazoi shkarkimin e prokurores Daniela Sulaj në mungesën e burimeve financiare për të mbuluar blerjen e një trualli për shtëpi në periferi të Tiranës në vitin 2013. Në vendimi e zbardhur KPK thotë se kishte një mospërputhje mes deklarimeve të Sulajt për çmimin dhe sipërfaqen dhe dokumenteve të administruara nga Komisioni për këtë transaksion.

Trupa e kryesuar nga nga Roland Ilia, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Etleda Çiftjan, vlerësoi se Sulaj rezultonte me një bilanc negativ prej 3.4 milionë lekësh në shtator të vitit 2013 kur ishte kryer kontrata e shit-blerjes, ndërsa duke llogaritur të gjithë vitin bilanci negativ zbriste në 1.9 milion lekë.

Komisioni nuk i gjeti probleme Sulajt sa i përket hetimit të figurës. Problemet e gjetura në hetimin e dy dosjeve hetimore të pushuara për akuzat e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe një mjeku u cilësuan nga KPK si jo shkarkuese.

Prokuroroja Daniela Sulaj, e cila punonte sëfundmi si inspektore pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ka kundërshtuar gjetjet në kriterin e pasurisë dhe këmbëngul se diferenca është pasojë e kontratës së shit-blerjes së truallit në të cilën është vendosur një vlerë më e lartë, për shkak të kërkesave të ligjit. Sulaj po ashtu këmbënguli se kishte kryer hetimet në dy rastet e procedimeve për korrupsion.

Hetimi i pasurisë

Në vendimin e zbardhur të KPK hetimi i pasurisë ndaj prokurores Sulaj u fokusua te dy kontratat e shit-blerjes së një trualli. Siç del nga vendimi procesi ka filluar në vitin 2003 me një kontratë premtimi shitje për një sipërfaqe 333 metra me çmim 1.9 milion lekë dhe është përmbyllur në vitin 2013 me një kontratë shit-blerje për 450 metra katrorë truall dhe çmim 13.5 milionë lekë. Pasuria është blerë nga bashkëshorti dhe vëllai i tij. KPK i kaloi barrë prove Sulajt për të argumentuar diferencat në sipërfaqe dhe ato në çmim.  Komisioni arsyeton se referuar dokumentacionit çmimi i blerjes ishte ai në kontratën e 2013 dhe se për këtë çmim Sulaj rezultonte me diferencë negative.

“Nga analiza financiare e kryer nga Komisioni në datën e blerjes së pasurisë subjekti dhe personi i lidhur me të rezulton se nuk kanë pasur të ardhura të mjaftueshme për të paguar me burime të ligjshme vlerën 5,763,275 lekë, duke rezultuar me pamjaftueshmëri financiare në shumën prej -3,408,493 lekë për të përballuar blerjen e pasurisë në datën e blerjes”, thuhet në vendim.

Prokurorja siç del nga vendimi pretendoi se bëhej fjalë për të njëjtën pasuri dhe se çmimi i blerjes ishte paguar në vitin 2003. Ajo këmbënguli se në vitin 2003 kontrata kishte pasur të parashikuar se çmimi nuk mund të ndryshohej në të ardhmen dhe se në vitin 2013 kjo kontratë vetëm ishte formalizuar. Sulaj pretendoi se në formalizim noteri kishte këmbëngulur të vendoste si vlerë për transaksionin çmimin e referencës për zonën në këtë kohë dhe jo çmimin e shitjes të paguar që në vitin 2003.

Sulaj tha se kjo ishte bërë vetëm formalisht dhe se nuk kishte pasur pagesë ekstra për këtë pasuri. Ajo po ashtu arsyetoi se shtesa në sipërfaqe kishte ardhur nga rregullimi që i ishte bërë tokës pas blerjes për ndërtimin e dy shtëpive. Ajo tha se kishte një kontratë verbale mes palëve që për këtë shtesë të mos kishte pagesë ekstra.

Por në vlerësimin përfundimtarë KPK arsyeton se pretendimet e Sulajt  dhe një deklaratë noteriale e shitësit që mbështet atë, janë deklarative dhe nuk rrëzojnë barrën e provës.

“Për sa më lart, si dhe bazuar në nenin 690 të Kodit Civil, sipas të cilit kontrata e lidhur ka forcën e ligjit për palët, trupi gjykues vlerëson se subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën e barrës së provës në lidhje me blerjen e pasurisë truall prej 450 m2 (në pjesën takuese) pa paguar asnjë çmim për të”, thuhet në vendim.

Sipas Komisionit nuk u provua deklarimet e subjektit se sipërfaqja shtesë prej 117 m2 ishte marrë kundrejt të njëjtit çmim të paguar në vitin 2003. Në fund KPK tha se Sulaj rezultonte me diferencë negative në këtë transaksion dhe se deklarimi i saj për kriterin e pasurisë ishte i pamjaftueshëm

“Trupi gjykues arrin në përfundimin se subjekti nuk ka burime financiare të ligjshme për të justifikuar blerjen e pasurisë truall në datën 02.09.2013 dhe investimin e kryer për shtëpinë e banimit në vitin 2013, sipas pikës 3 të nenit D të Aneksit të Kushtetutës dhe pikës 5 germa “b” e nenit 33 të ligjit 84/2016, duke rezultuar me pamjaftueshmëri financiare në shumën prej -3,408,493 lekë në datën e blerjes dhe për vitin 2013 në shumën – 1,911,246 lekë”, thuhet në vendim.

Dosjet me probleme

Në vendimin e zbardhur KPK shprehet se kishte veçuar nga hetimi profesional i prokurores dy dosje të përzgjedhura nga shorti.

Dosja e parë siç del në vendim ka të bëjë me kallëzimin e një shtetasi britanik ndaj ortakut të tij shqiptarë të identifikuar nga KPK si E.D. Sulaj siç thuhet në vendim ka vendosur pushim të hetimeve për akuzën e mashtrimit, por KPK vë në dukje se shtetasi britanik në deklarimet e tij kishte ngritur akuza për pagesë ryshfeti ndaj një ish-ministri.

“Ka referuar midis të tjerave edhe disa fakte mitmarrjeje ku përfshihen zyrtarë të lartë si z. E.H, në lidhje me favorizimin për marrjen e licencës për krijimin e një resorti turistik në G të Kavajës”, thuhet në vendim”, thuhet në vendim.

Nga të dhënat e përmendura në vendim, në të cilin thuhet se zyrtari i lartë kishte qenë ministër i Jashtëm në vitet 2010-2011,  rezulton se ish-ministri është Edmond Haxhinasto.

KPK thotë se prokurorja këmbënguli se kishte kryer hetimin dhe se për akuzat e ngritura nga biznesmeni nuk ishin indicie të mjaftueshme. Sipas saj qoftë Haxhinasto dhe biznesmeni shqiptarë kishin mohuar akuzat për ryshfet dhe kishin pretenduar se takimet mes tyre ishin për shkak të njohjes.

Por KPK thotë se shpjegimet e subjektit nuk ishin bindëse. “Subjekti nuk arriti të shpjegojë bindshëm në lidhje me kryerjen e veprimeve të plota hetimore për zbardhjen e fakteve penale të referuara në kallëzim për kryerjen e veprimeve korruptive nga funksionarë të lartë shtetërorë”, thuhet në vendim.

KPK shkon edhe më tej duke bërë të ditur se arsyet për hetimin e çështjes kishin qenë të qarta, pasi nga analiza e dosjes penale rezultoi se faktet e referuara nga kallëzuesi dhe ato të deklaruara nga shtetasit e marrë në pyetje konvergonin me njëra tjetrën. Sipas Komisionit në deklarime përmendeshin takime me funksionarë të lartë shtetëror “për favorizimin e marrjes së një licence për ushtrimin e aktivitetit turistik në fshatin G të Kavajës”.

Komisioni arsyeton se këto takime nuk kishin qenë të nevojshme, pasi për dhënien e licecës në këtë fushë parashikoheshin veprime të tjera.

Njëlloj Komisionit i rezultoi e pahetuar plotësisht edhe kallëzimet ndaj kirurgut kardiolog E.P. në dhjetor 2012, hetimi për të cilat ishte pushuar nga Sulaj. Në vendim nuk përmendet emri i kirurgut, por në Komisioni vë në dukje se në momentin e kallëzimit ai ishte “me detyrën e Shefit të Shërbimit të Kardiologjisë të QSUT-së “Nënë Tereza”. Të dhënat përkojnë me kohën kur këtë detyrë e kryente Edvin Prifti, i cili u arrestua në shkurt 2021 dhe është nën hetim nga SPAK për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Sipas KPK Sulaj nuk rezulton të ketë kryer veprime hetimore për të identifikuar një infermiere që përmendej në kallëzim dhe as nuk e kishte marrë në pyetje këtë të fundit. KPK vë në dukje se kishte pasur zgjatje të afateve të hetimit, por nuk kishte pasur vendim për këtë zgjatje. Shpjegimet e prokurores nuk u gjetën të mjaftueshme nga Komisioni. “Duket se subjekti i rivlerësimit ka qenë pasiv për kryerjen e veprimeve të duhura hetimore”, thuhet në vendim, ndërsa theksohet se prokurorja nuk arriti të shpjegojë arsyet e zgjatjes së afatit të hetimeve.

Megjithatë Komisioni del në përfundimit se problemet e gjetura në dy dosje nuk çonin në vlerësim negativ për prokuroren në kriterin e profesionalizmit. “Gjetjet e konstatuara në lidhje me këtë çështje, nuk janë në atë masë sa të cenojnë nivelin profesional të subjektit”, thuhet në vendim.

Në fund Komisioni arsyeton se Sulaj shkarkohej vetëm bazuar në pikën 3 të nenit 61 të ligjit për vetingun, për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *