Lajm18 Feb 2019

KPK gjen probleme në pasurinë dhe profesionalizimin e prokurorit, Dritan Peka

Hetimi administrativ i KPK-së ka ngritur pikëpyetje mbi pasuritë të luajtshme dhe të paluajtshme të kreut të prokurorisë së Apelit, Dritan Peka.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Drtian Peka gjatë seancës dëgjimore në KPK, datë 18.02.2019 | Foto: LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbajti të hënën seancën dëgjimore për drejtuesin e Prokurorisë së Apelit në Tiranë, Dritan Peka. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut të prokurorit përbëhet nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Lulzim Hamitaj.

Dritan Peka e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri në vitin 1997. Ai ka punuar si prokuror i Prokurorisë së Tiranës deri në vitin 2008, kur është promovuar si prokuror i Apelit të Tiranës. Ai është drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Tiranës prej vitit 2015.

Gjatë seancës dëgjimore në KPK, Peka u asistua nga avokati, Besnik Çerekja. Vëzhgues ndërkombëtar gjatë kësaj seance dëgjimore ishte Znj. Elka Ermenkova. Prokurori Dritan Peka është vlerësuar për të trija kriteret e vetingut, përfshirë pastërtinë e figurës, pasurinë dhe profesionalizmin.

Relatori i çështjes, Lulzim Hamitaj pasqyroi raportin e vënë në dispozicion të dokumentacionit nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), sipas të cilit prokurori Dritan Peka kishte kryer deklarim të saktë në përputhje me ligjin, ka pasur burime të ligjshme, nuk ka kryer fshehje të pasurisë apo deklarim të rremë dhe se nuk ka konflikt interesi.

Megjithatë, Hamitaj deklaroi se hetimi i KPK-së i kishte kaluar prokurorit barrën e provës mbi dyshime për kontrata fiktive, përdorimin e papërshtatshëm të parave të përfituara nga një kredi e butë dhe blerjen e një makine me çmim fiktiv.

KPK konstatoi gjithashtu probleme edhe në aspektin profesional, duke nënvizuar se Peka – në cilësinë e drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Tiranë, nuk kishte marrë masa ndaj një prokurori për mos ushtrimin e rekursi. Komisioni ngriti dyshime edhe për ligjshmërinë e emërimit të një punonjësi të administratës i cili më pas rezultonte të mos kishte qenë në detyrë për një periudhë kohore disa mujore.

Peka i kundërshtoi gjetjet e KPK-së dhe kërkoin rikonfirmimin në detyrë.

Pasuritë e Pekës

Komisioni ka kryer një hetim të pavarur administrativ të asetve të prokurorit Dritan Peka, nga ku ka rezultuar se në pronësi të familjes së tij figurojnë dy apartamente. Sipas relatorit të çështjes, çifti Peka zotëron një apartament në Tiranë me sipërfaqe 94.6 m2 të blerë për 49 mijë e 440 dollarë amerikanë. Po ashtu, zotërojnë edhe një apartament me sipërfaqe 59 m2 në Orikum, Vlorë të blerë në vlerën 20 mijë euro.

Ndërkohë, prokurori Peka rezulton bashkëpronar edhe në një apartament tjetër në Tiranë me sipërfaqe 71 m2 me pjesë takuese 25%. Ky apartament është privatizuar nga familja  tij në vitin 1993 në vlerën 10 047 lekë. Tjetër pasuri që zotëron prokurori Peka është edhe një automjet tip BMË, blerë në shumën e 980 mijë lekëve.

Për blerjen e apartamentit 94.6 m2 është deklaruar si burim një kredi dhe të ardhura nga pagat. Komisioni ka gjetur se më datë 14 qershor 2010 është shlyer shuma e apartamentit jashtë zyrës së noterit. Ndërkohë, banka ka kryer deklaratë të noterizuar për shlyerje të shumës së 28 mijë eurove. Sipas komisionit, është konstatuar se janë kryer dy mandate pagese, një në vlerën e 20 mijë eurove dhe një 12 mijë euro. Certifikata e pronësisë ka rezultuar të jetë lëshuar më datë 30 maj 2012. Relatori Hamitaj u shpreh se janë gjetur mospërputhje me datat e mandate-pagesave 20 mijë euro e 12 mijë euro dhe kredisë së marrë në vlerën e 28 mijë eurove. Sipas komisionit, prokurori Peka nuk ka pasur mundësi paguese dhe ka mos përputhje të deklarimeve të tij me ato të administratorëve të shoqërisë që ka kryer shitjen.

Edhe për apartamentin e blerë në Orikum më datë 17 dhjetor 2011 në vlerën e 20 mijë eurove, prokurori Peka ka deklaruar si burim një kredi dhe të ardhurat nga paga. Çmimi prej 20 mijë euro ka rezultuar të jetë likujduar rreth një vit më parë, me lidhjen e kontratës. Si dokument justifikues të burimit financiar është depozituar edhe kontrata e kredisë së butë prej 5 milionë lekësh, që bashkëshortja e prokurorit Peka e ka përfituar për strehim. Relatori Hamitaj pohoi se shuma e kredisë 5 milionë lekë do të përdorej për shlyerjen e një apartamenti në Tiranë. Kredia është marrë më 8 korrik të vitit 2010 dhe si garanci hipotekore është lënë apartamenti në pronësi të familjes Peka, ku drejtuesi i Prokurorisë së Apelit Tiranë është bashkëpronar me pjesë takuese 25%.

Hamitaj pohoi se kontrata për kredinë e butë ishte përfituar pas një kërkese të bashkëshortes së Pekës drejtuar kryeministrit në vitin 2010 për tu trajtuar me strehim. Por, në kontratë është parashikuar se kërkuesi dhe përfituesi i kredisë së butë nuk do të kishin të drejta për pronësi të tjera në qytetin ku jetonin. Komisioni ka gjetur se çifti Peka kishte një apartament në bashkëpronësi, ndërkohë që vetë drejtuesi i Prokurorisë së Apelit Tiranë është bashkëpronar me pjesë takuese 25% edhe në një tjetër apartament në kryeqytet.

Pas përfitimit të kredisë, shuma prej 5 milionë lekësh i ka kaluar një shoqërie për blerjen e një apartamenti 100 m2 në Tiranë në vlerën e 3 mijë eurove. Për pjesën e pambuluar nga kredia për vlerën e shtëpisë, prokurori Peka ka deklaruar një hua prej 15 mijë eurosh që e kishte marr nga një miku i tij, të cilën e kishte paguar për këstin e parë. Por, kontrata për blerjen e këtij apartamenti është revokuar dhe shoqëria i ka kthyer paratë e paguara. Më pas ka rezultuar se bashkëshortët Peka i kanë përdorur paratë e kredisë së butë për të arreduar apartamentin ekzistues në Tiranë dhe për blerjen e apartamentit tjetër në Orikum. Sipas komisionit kredia është përdorur në mospërputhje me ligjin. Relatori i çështjes u shpreh se këto veprime kanë ngritur dyshime për fiktivitet të kontratave pasi nuk ka qenë nevoja për blerjen e një apartamenti tjetër në Tiranë.

Komisioni ka gjetur probleme edhe për blerjen e një automjeti tip BMW, në vitin 2013 në vlerën e 980 mijë lekëve. Sipas komisionit, makina rezulton të jetë blerë në Gjermani më 28 nëntor 2013 nga shtetasi S.M. me vlerë totale 2 milionë e 379 mijë lekë. Ndërkohë, që i është shitur Pekës vetëm pak ditë më vonë në vlerën e 980 mijë lekëve. Relatori Hamitaj pohoi se për diferencën, prokurori Peka kishte shpjeguar se makina kishte pasur defekt dhe për ta rregulluar duhej të paguhej një kosto tjetër. Po ashtu, edhe shtetasi S.M. ka deklaruar për komisionin se mjeti ishte blerë me defekt në Gjermani. Ai ka shpjeguar se kostoja e mjetit bashkë me pagesën për transportin dhe doganën kishte kapur vlerën e rreth 10 mijë eurove dhe jo 14 mijë euro ashtu si i rezulton KPK-së. Ai ka shtuar se do të merrte mbrapsht paratë që ishin mbi vlerën e mjetit. Relatori Hamitaj u shpreh se janë konstatuar mospërputhje mes deklarimeve të prokurorit Peka dhe shtetasit S.M. që i ka shitur mjetin. Gjithashtu ai shtoi se është konstatuar mungesë dokumentacioni për pagesën e makinës dhe ngriti dyshime për fiktivitet lidhur me çmimin e blerjes së këtij mjeti.

Bazuar në një analizë financiare, komisioni ka gjetur gjithashtu edhe mangësi burimesh për shpenzimet e kryera nga prokurori Peka gjatë viteve 2005, 2006 dhe 2009. Hamitaj shtoi se subjekti i rivlerësimit e ka cilësuar jo real këtë konstatim.

Ankesat e publikut zbulojnë probleme me profesionalizimin

Komisioni ka zbuluar probleme edhe në profesionalizmin e prokurorit Dritan Peka. Kështu, sipas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, ka pasur ankesë nga tre shtetas ndaj Pekës të cilët pretendonin se nuk ka ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë lidhur me një çështje. Grupi i punës së Prokurorisë së Përgjithshme ka dalë në konkluzionin se në këtë rast drejtuesi i Prokurorisë së Apelit Tiranë, Dritan Peka, ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe se duhej të kishte mbajtur qëndrim, pavarësisht veprimeve të prokurorit të çështjes i cili nuk kishte kryer rekursin.

Ndërkohë, komisioni ka shqyrtuar 4 denoncime nga publiku ndaj Pekës. Relatori Hamitaj pohoi se një denoncuese e akuzon Pekën për qëndrim të njëanshëm dhe pa aftësi për çështjen për të cilën nuk është ushtruar rekurs. Komisioni ka konkluduar se nuk rezulton të jenë kryer veprime nga pakurori i çështjes dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit Tiranë.

Pretendimi i një tjetër denoncuesi i cili është ankuar për lidhje të prokurorit me krimin e organizuar ka rezultuar të jetë i pavërtetë. Një tjetër denoncim ka mbërritur pranë ONM-së, ku pretendohej për shkelje në emërimin e një punonjësi të administratës së Prokurorisë së Apelit Tiranë. Në këtë denoncim është pretenduar se emërimi është kryer në kundërshtim me ligjin, pasi i punësuari nuk kishte shkollimin e duhur për atë vend pune. Ndërkohë, hetimi i komisionit ka gjetur se personi në fjalë kishte kryer më shumë lejë nga sa i takonte dhe se kancelaria e Prokurorisë së Apelit Tiranë nuk kishte pranuar të firmoste listë-prezencat për një periudhë kohore kur specialisti në fjalë nuk gjendej në punë. Sipas relatorit Hamitaj, për këtë çështje ka pasur edhe auditim nga Prokuroria  Përgjithshme e cila e ka referuar rastin në Prokurorinë e Tiranës, por kjo e fundit nuk ka nisur procedim me argumentimin se shkeljet ishin administrative.  I është kërkuar edhe Ministrisë së Financave të kryejë auditim, e cila ka refuzuar me argumentin se ishte kryer një auditim i mëparshëm nga organi qendror i akuzës për këtë gjë.

Sipas Hamitajt, kancelaria e Prokurorisë së Apelit Tiranë ka pretenduar para komisionit se i është kërkuar verbalisht nga drejtuesi që të kryejë pagesën e specialistit në fjalë, por se nuk e ka pranuar një gjë të tillë. Komisioni ka vlerësuar se për këtë rast prokurori Peka nuk ka marrë masat për personin përgjegjës dhe se dyshohet të ketë pasur urdhëra verbal prej tij, që ngrenë dyshime të arsyeshme për shkelje të rregullave të detyrës. Gjithashtu, komisioni ka konstatuar në disa raste deklarata kontradiktore të Pekës, u shpreh Hamitaj.

Ndryshe nga problemet e konstatuara për pasurinë dhe profesionalizimin, prokurori Peka është konsideruar i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës nga ana e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, pasi nuk janë gjetur kontakte të tij me persona me lidhje me krimin e organizuar.

Peka kundërshton gjetjet e Komisionit

Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit Tiranë, i cili u paraqit të hënën gjatë seancës dëgjimore me përfaqësues ligjor, i kundërshtoi gjetjet e komisionit për pasurinë dhe profesionalizimin. Peka i cili në të shumtën kohës u mbrojt vetë, u shpreh se lidhur me paqartësitë e mandat-pagesave për 28 mijë euro, ato kanë qenë së bashku 32 mijë USD. Ai u shpreh se ajo është vetëm një vlerë e paguar dhe se faturat i kishte kërkuar për t’u mbrojtur, por se atëherë datat nuk kishin qenë të rëndësishme për të. Gjithashtu, Peka theksoi se nuk ka mospërputhje të deklarimeve të tij me administratorët e shoqërisë ku ka blerë apartamentin.

Për huanë 15 mijë euro, Peka u shpreh se ato i’a ka dhënë një shok i tij i fëmijërisë i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se e ka shlyer këtë hua. Prokuori Peka pohoi se miku i tij ka vënë në dispozicion një deklaratë të noterizuar në SHBA, por se nuk zotëronte dokumentacion tjetër për këtë hua.

Lidhur me mospërdorimin e huasë së butë për blerjen e një apartamenti në Tiranë, ai pohoi para komisionit se kishte konstatuar pakënaqësi për planimetrinë dhe cilësinë e punimeve dhe për këtë arsye kishin prishur kontratën.

“Kredia e butë është në përputhje me ligjin. Bashkëshortja nuk ka aplikuar si e pastrehë, por për strehim sipas legjislacionit përkatës. Pronësia e ¼ së apartamentit të prindërve nuk mund të konsiderohet si banesë strehimi për familjen. Ndërkohë që për apartamentin tjetër kam qenë porositës, por nuk kemi qenë pronarë. Bashkëshortja ka aplikuar për të pasur një apartament të sigurt për familjen”, u shpreh ndër të tjera prokurori Peka. Ai shpjegoi më tej se për shkak të mungesës së legjislacionit për kthimin mbrapsht të kredisë e kishin përdorur atë për arredim dhe blerjen e apartamentit në Orikum.

Prokurori Peka pohoi se për makinën kishte shpjeguar se ishte me difekt dhe se vlera me të cilën e kishte blerë ishte ajo reale. Për analizën financiare për vitet 2005, 2006, ai tha se kishte kryer edhe ai një analizë të tijën nga ku shpenzimet i rezultonin më të ulëta.

Profesionalizmin, prokurori Peka e mbrojti me ngarkesën e madhe që ka funksioni që ushtron si drejtues i Prokurorisë së Apelit Tiranë. “Janë 20 mijë çështje të menaxhuara prej meje, veç atyre që kam përfaqësuar”, u shpreh ai.

Për mos ushtrimin e rekursit, ai theksoi se nuk ka qenë prokurori i kësaj dosjeje dhe se kishte pasur debat me prokurorin e çështjes për këtë gjë.  Ndërkohë, për punësimin e një punonjësi të administratës, Peka pohoi se bëhej fjalë për një pozicion pune mbështetës për të cilin nuk kishte procedurë prokurimi apo konkurrimi. Lidhur me mos paraqitjen e këtij punonjësi në punë ai shtoi se auditi nuk kishte konstatuar shkelje në listë-prezenca.

Pyetjes se relatorit të çështjes Lulzim Hamitaj, se cili ishte qëndrimi i tij për mos ushtrimin e rekursit, Peka ju përgjigj se për shkak të ngarkesës nuk mund të fokusohej vetëm në një çështje. Ai pohoi se prokurori i çështjes e kishte njoftuar me shkrim se do ta kryente rekursin, po më vonë nuk e kishte bërë një gjë të tillë. Peka sqaroi se nuk mund të niste proces disiplinor ndaj prokuorit vetëm për një çështje.

Relatori Hamitaj e pyeti Pekën edhe lidhur me procedurën e marrjes në punë të një punonjësi i cili për një periudhë kohe nuk kishte qenë në detyrë. Prokurori Peka u shpreh se nuk është përcaktuar në rregullore që të merrej miratim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe se kjo procedurë ishte kryer nga kancelaria. Për mungesën e këtij punonjësi në detyrë Peka pohoi se, për shkak të pozicionit nuk mund të kishte kontakt me gjithë punonjësit e administratës, por në këtë rast, në magazinë janë kryer veprime hyrje-dalje që vërtetonin se ai kishte qenë në punë. Ndërkohë, ai theksoi se ishte detyrë e kancelares që të kryente listë-prezencat dhe të verifikonte se cili prej punonjësve të administratës ishte ose jo në punë.

Në fund, prokurori Peka kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të shpallë vendimin më datë 21 shkurt 2019, ora 10:00.