Analize13 Jan 2020

KPK hodhi poshtë raportin e DSIK-së për prokuroren Doloreza Musabelliu

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të prokurores Doloreza Musabelliu, njëkohësisht kandidate për SPAK, ndërsa rrëzoi si të pavërtetë një raport të DSIK në të cilin Musabelliu cilësohej e papërshtatshme.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurorja e Krimeve të Rënda, Doloreza Musabelliu, njëherazi kandidate për në Prokurorinë e Posaçme, SPAK pas seancës në KPK. Foto:Edmond Hoxha

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar i dërgoi Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dy raporte për prokuroren Doloreza Musabelliu, e cila ishte në këtë kohë Prokurore e Krimeve të Rënda dhe njëkohësisht kandidate për Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion.

Raporti i parë, siç del nga vendimi i zbardhur i KPK, ishte pozitiv për Musabelliun. Por në raportin e dytë, që sipas vendimit ishte plotësues i të parit, DSIK shprehet se prokurorja ishte e “papërshtatshme” dhe se kishte dyshime për korrupsion dhe dekonspirim.

Megjithatë hetimet e KPK dhe dokumentet e siguruara nga çështja në të cilën ishte bazuar raporti i DSIK-së, zbuluan se një pjesë e veprimeve që i mvisheshin Musabelliut ishin kryer nga një prokuror tjetër dhe se kjo e fundit nuk rezultoi të kishte pasur në dorë “sekrete shtetërore” që t’i kishte dekonspiruar.

KPK, e cila konfirmoi Musabelliun, shprehet në vendim  se raporti “nuk është i bazuar në prova, dhe si i tillë nuk duhet të merret në konsideratë”.

Nga ana tjetër treshja që gjykoi Musabelliun e përbërë nga Alma Faskaj kryesuese, Firdes Shuli relatore dhe Pamela Qirko anëtare, vendosi të “falte” pasaktësitë e vërejtura në deklarimin e pasurive të bashkëjetuesit dhe njëkohësisht një balancë negative prej rreth 290 mijë lekësh në vitin 2016.

Musabelliu ka kryer Shkollën e Magjistraturës në vitet 2002-2005 dhe është emëruar më pas prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Pas shkrirjes së kësaj të fundit me krijimin e SPAK, Musabelliu u trasferua në Prokuorinë e Tiranës.

Raporti i DSIK

Vendimi i zbardhur sëfundmi i KPK-së tregon se pas administrimit të një raporti pozitiv nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar në vitin 2016, kjo e fundit ka dërguar një informacion plotësues në vitin 2019, i cili është deklasifikuar pjesërisht.

Në këtë raport të dytë Musabelliu akuzohet për “përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, shfaqur në formën e shpërdorimit të detyrës dhe ndërveprimit korruptiv; si dhe në lidhje me dekonspirimin e një informacioni të klasifikuar”.

Nga vendimi i KPK-së rezulton se bëhej fjalë për një procedim ndaj një personi të identifikuar aty me inicialet M.M, ndaj të cilit Prokurria e Krimeve të Rënda kishte nisur hetimet. Nga vendimi rezulton se ndaj Musabelliut në lidhje me këtë procedim ishte nisur po ashtu edhe një kallëzim në Prokurorinë e Përgjithshme, i cili ishte dërguar në Prokurorinë e Durrësit.

Në raport thuhet se Musabelliu kishte shpallur moskompetencë dhe kishte trasferuar hetimet ndaj M.M, ndërsa njëkohësisht kishte dekonspiruar informacion që sipas raportit ishte i klasifikuar si “sekret shtetërorë”.

KPK thotë se pas raportit kërkoi informacione shtesë dhe po ashtu i kaloi barrën e provës prokurores. Kjo e fundit e cilësoi gjatë senacës dëgjimore si të pavërtetë dhe dashakeq raportin e DSIK-së, ndërsa në vendimin e KPK-së citohet të këtë dhënë informacione shtesë mbi një hetim të nisur dhe të pushuar ndaj saj, si dhe mbi rrethanat në lidhje me këtë dosje.

Musabelliu është shprehur se ajo nuk kishte shpallur moskompetencë në hetimet ndaj personit të identifikuar si M.M dhe se hetimet për këtë person ishin në vijim. Po ashtu ajo pretendoi se nuk ishte kallëzuar për korrupsion, pasi çështja ndaj saj ishte trasferuar në Prokurorinë e Durrësit, ndërsa korrupsioni i prokurorëve hetohej vetëm nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Po ashtu ajo u mbrojt me vendimin e prokurorit A.SH, i cili kishte vendosur mosfillimin e çështjes ndaj saj.

Vetë KPK bën me dije se kishte administruar një sërë shkresash nga Prokuoria e Krimeve të Rënda, përmes të cilave kishte provuar se ndaj M.M rezultonin dy precedime në këtë prokurori. KPK thotë se i rezultoi që vendimin për trasferim të një çështje ndaj këtij personi për moskompetencë e kishte marrë prokurori K.B, ndërsa Musabelliu e kishte çështje në hetim.

Po ashtu Prokuroria e Krimeve të Rënda në tre shkresa rrezoi faktin se kishte marrë ndonjë informacion të klasifikuar si “sekret shetëror” mbi këtë person dhe se Musabelliu nuk kishte pasur informacion të tillë.

Në përfundim KPK duke iu referuar këtyre të dhënave shprehet s  informacioni i marrë nga DSIK nuk ishte i vërtetë dhe nuk duhej marrë në kosnideratë. KPK thotë se nga asnjë burim i ligjshëm nuk u provuan kontakte të papaërshtatshme apo veprime që binin ndesh me detyrën e Musabelliut si prokurore.

Pasuritë e bashkëjetuesit

KPK po ashtu doli me qëndrim pozitiv edhe sa i përket rivlerësimit të Musabelliut në dy kriteret e tjera, atë të poasurisë dhe profesionalizmit. Komisioni në vendim lë të kuptohet se prokurorja nuk kishte pasuri të palujtshme në emrin e saj, ndërsa pasuritë e bashkëjetuesit rezultonin të lidhura kryesisht me babain e këtij të fundit.

Nga hetimi KPK bën me dije se zbuloi pasaktësi në deklarimet vjetore të Musabelliut. Këto pasaktësi kishin të bënin sipas Komisionit me faktin që ajo nuk kishte deklaruar që prej vitit 2012 pasuritë e bashkëjetuesit dhe nuk kishte deklaruar në vijim një hua që ky i fundit kishte marrë nga babai i tij për të paguar një apartament me vlerë rreth 75 mijë euro.

Musabelliu u justifikua për mosdeklarimin duke iu referuar faktit se ajo nuk kishte pasur interesa në këto pasuri dhe se nuk kishte pasur detyrim t’i deklaronte dhe se kur ky detyrim kishte lindur ato ishin deklaruar nga bashkëjetuesi. Komisioni thotë se nuk gjeti probleme në marrëdhënien e huasë dhe duke qenë se kjo ishte baba-djalë ajo mund të ishte përfunduar edhe ma falje, ndërsa fakti që është deklaruar dhe një pjesë e saj ishte kthyer u konsiderua si provë në favor të Musabelliut.

Defekte të ngjashme u gjetën edhe në deklarimin e burimit financiar për një makinë po në emër të bashkëjetuesit me vlerë 12 mijë euro, por po ashtu KPK nuk i cilësoi ato si shkarkuese, ndërsa provoi se sërish bëhej fjalë për një marrëdhënie huaje baba-bir.

KPK edhe pse gjeti se në këtë rast ishin në kontradiktë deklarimi vjetorë me atë për llogari të vetingut, por arsyetoi se u provua mundësia financiare në burime të ligjshme.

Komisioni provoi në hetim se babai i bashkëjetuesit të prokurores kishte pasur burime të ligjshme për të dhënë huatë, madje pa përfshirë në analizë financiare të ardhura të tjera të ligjshme të familjes që ishin kosideruar si të përdorura për shpenzime jetese. Po ashtu KPK pranoi se Musabelliu nuk kishte pasur lidhje me këto dy pasuri. “Në asnjë rast nuk u evidentuan lidhje të drejtpërdrejta ose jo të subjektit të rivlerësimit”, thuhet në vendim.

Megjithatë  KPK gjeti se për pagesën e një pjese të huasë në shumën 2.5 milion lekë ishin përdorur paratë e kursyera nga Musabelliu. Kjo e fundit në vitin 2016 kur kishte kryer këtë pagesë rezultoi me bilanc negativ për shumën prej rreth 290 mijë lekësh. Komisioni megjithatë shprehet se në propocionalitet kjo balancë negative nuk mund të ishte shkarkuese.

“Pasaktësitë e konstatuara në deklarimet periodike qoftë nga subjekti, qoftë nga bashkëjetuesi i saj, si dhe balanca negative prej 289.482 lekësh gjatë vitit 2016, vlerësuar me objektivitet dhe në proporcion me të gjitha faktet e rrethanat e evidentuara gjatë procesit të rivlerësimit, nuk mund të konsiderohen si deklarime të pamjaftueshme”, thuhet në vendim.

Në kriterin e profesionalizmit KPK u ndal mbi dy denoncime, por vuri në dukje se nuk gjeti probleme në vendimarrjen e Musabelliut, ndërsa në një rast që vendimi i saj ishte rrëzuar në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda u konstatua se rrëzimi ishte për arsye formale dhe që nuk cënonte profesionalizmin e prokurores.