Lajm18 Jun 2019

KPK konfirmon Kastriot Selitën, referohet për procedim disiplinor çështja Valikaj

Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit Kastriot Selita u konfirmua me shumicë votash, ndërsa vendimi i tij në favor të bashkëshortit të deputetes së PS Ermonela Felaj u kalua për procedim disiplinor. Selita e cilësoi procesin të domosdoshëm.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Kreu i Gjykatës Administrative të Apelit Kastriot Selita, pas vendimit të KPK. Foto:BIRN

Megjithëse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u nda në vendimarrjen për kreun e Gjykatës Administrative të Apelit dhe shumica që vendosi konfirmimin në detyrë,  vendosi po ashtu të dërgonte për procedim disiplinor një prej vendimeve të tij, një sallë e mbushur me përkrahës shpërtheu në duartrokitkje.

Vendimi për gjyqtarin Kastriot Selita u dha mëngjesin e të martës nga një trupë gjykuese e kryesuar nga Olsi Komici kryesues, Brunilda Bekteshi relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar. Vetë gjyqtari tha për mediat se procesi i vettingut “ishte i domosdoshëm”.

Ashtu siç ishte lënë të kuptohej edhe gjatë seancës dëgjimore vendimmarrja e Selitës dhe dy kolegëve të tij për padinë e Bledar Valikaj, bashkëshorti i deputetes së PS Ermonela Felaj, ndaj vendimit të Presidentit të Republikës, rezultoi si problemi kryesorë i gjyqtarit.

KPK bëri me dije gjatë seancës dëgjimore se ndaj Selitës kishte 17 denoncime, por u veçua denoncimi i kryer nga një grup gjyqtarësh anonimë, që pretendonin se gjyqtari Selita kishte vepruar në kundërshtim me legjislacionin në çështjen me palë paditëse Bledar Valikajn dhe Presidentit të Republikës.

Relatorja Bekteshi tha se nga verifikimi i kësaj çështjeje duket sikur trupi gjykues pjesë e të cilit ishte Selita, ka luajtur rol aktiv në këtë process duke u favorizuar paditësin ndryshe nga sa parashikohet në ligj. Sipas Bekteshit, subjekti ka shpjeguar se është bazuar në vendimarrje në të drejtat kushtetuese. Ajo shtoi se gjyqtari Selita ka paraqitur si provë edhe një vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

KLP vendosi në favor të Valikajt duke përdorur peshën e votës së kryetarit parashikuar si element zhbllokues, pasi  nuk arriti të merrte një vendim me shumicë për rastin, pasi anëtarët u ndanë në 5 vota pro e 5 kundër dhënies së statusit dhe emërimit prokuror. BIRN gjeti në një shkrim të mëparshëm se vendimet e njëpasnjëshme të gjykatave dhe më pas KLP në favor të tij, e futën sistemin në ngërç. Nisur nga ky rast PD akuzoi KLP se ishte “kapur nga qeveria”.

Në fjalën e tij Selita tha se kishte vepruar në përputhje me ligjin. “Në lidhje me çështjen e Bledar Valikajt kemi vepruar në përputhje me ligjin dhe kushtetutën”, tha Selita. Ai la të kuptohej se ndryshimet ligjore bënin që veprimi të dukej me probleme, duke shtuar se në atë kohë ishte bërë kalimi procedurial i kopetencave nga Presidenti tek KLP dhe se gjykata nuk mund të mos e merrte parasysh padinë.

Gjatë seancës dëgjimore Kastriot Selitës nuk iu bënë me dije probleme të pasurisë apo figurës, megjithatë u theksuan dyshimet për konflikt interesi në shqyrtimin e çështjeve ku palë ka qenë Drejtoria e Tatimeve ku punonte bashkëshortja. Selita mohoi të kishte qenë në konflikt dhe paraqiti si provë dhënien e mbi 200 dorëheqjeve.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të enjten në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit u lexua po ashtu edhe denoncimi i një grupi gjyqtarësh anonimë të Gjykatës Administrative të Apelit, Tiranë, të cilët pretendonin për lidhje të mundshme të gjyqtarit Selita me një person të përfshirë në krimin e organizuar. Por relatorja tha se pretendimet në denoncim nuk u vërtetuan.

Selita ka një karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor. Ai ka nisur punë në vitin 2001 në Durrës e më pas, në vitin 2002 është emëruar kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër. Në këtë post ka shërbyer deri në vitin 2010, kohë kur është transferuar si gjyqtar në Durrës. Pas dy vitesh ai është promovuar si kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit.