Lajm14 Jun 2019

KPK konfirmon në detyrë kandidaten për SPAK, Enkeleda Millonai

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë drejtuesen e Prokurorisë së Elbasanit Enkeleda Millonai, e cila kandidon për në Prokurorinë e Posaçme.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Drejtuesja e Prokurorisë së Elbasanit Enkeleda Millonai. Foto:BIRN

Drejtuesja e Prokurorisë së Elbasanit Enkeleda Millonai u konfirmua të premten nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Milloani që kandidon për një vend në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, u gjet pas procesit të vettingut pa probleme në të tre kriteret.

Ajo pati një seancë dëgjimore të kehtë të enjten, pavarësisht se u përball me pyetjet rreth pushimit të një çështje me akuza për falsifikim ndaj gjyqtares së Elbasanit Pajtime Fetahu.

Millonai e pyetur nga trupa që hetoi çështjen, shpjegoi se kishte kryer hetime të plota duke dhënë detaje të procedurës së ndjekur dhe bindur KPK se kishte bërë detyrën.

Millonai u hetua nga një trupë gjykuese e kryesuar nga Pamela Qirko, me anëtare Brunilda Bekteshi dhe relator Roland Ilia. Gjatë leximit të relacionit nuk u vunë në dukje probleme sa i përket pasurisë së prokurores, u tha se ajo nuk kishte probleme të pastërtisë së figurës dhe u vu në dukje se ajo ishte vlerësuar shumë mirë profesionalisht. Ndaj saj ishin bërë 8 denoncime të cilat KPK i listoi, pa dhënë shpjegime.

Drejtuesja e Prokurorisë së Elbasanit, Enkeleda Millonai, njëherazi kandidate për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Në vitin 2016, Millonai u komandua zv.drejtuese e Prokurorisë së Elbasanit, ndërsa në prill të vitit 2018 ajo mori drejtimin e kësaj prokurorie.