Lajm17 Jan 2020

KPK konfirmon në detyrë kryetarin e Gjykatës së Posaçme

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoj në detyrë gjyqtarin Sandër Simoni, kryetar i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Kreu i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Sandër Simoni | Foto : Edmond Hoxhaj /BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi të premten në detyrë gjyqtarin Sandër Simoni, dukë përmbysur një raport të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, që e vlerësonte atë si të papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

Kreu i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është rivlerësuar për të tre kriteret e vetingut, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Gjatë seancës dëgjimore u relatuan dy raporte të DSIK-së, ku në njërin konstatohej përshtatshmëria e gjyqtarit dhe në tjetrin papërshtatshmëria e Simoni për vazhdimin e detyrës.

Simoni e kundërshtoi raportin e dytë të DSIK duke e quajtur të pabazuar në prova e të pavërtetë duke i kërkuar Komisionit që të kryejë verifikimet përkatëse.

“Në raportin e parë nuk rezulton të ketë probleme. Një ditë më pas DSIK ka ndryshuar qëndrim duke ju referuar disa sekserëve që kanë përdorur emrin tim. Ky raport nuk plotëson kushtet dhe nuk përmban asnjë element provues. Nuk është bërë asnjë verifikim për këto informacione prandaj kërkoj që vendimmarrja e Komisionit të bazohet në raportin e parë”, deklaroi gjyqtari Simoni, gjatë seancës dëgjimore.

“Duket qartë se raporti i dytë s’ka asnjë provë, por vetëm me mundet…; dyshohet…; dhe përmendet një sekser. Por nuk sqarohet ç’kam bërë unë, nëse jam takuar me dikë, apo me kë… . Gjithçka është hamendësim”, shtoi ai.

Trupa gjykuese përbëhej nga Brunilda Bekteshi kryesuese, Olsi Komici relator dhe Roland Ilia anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Sandër Simoni ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2000 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Në dhjetor 2003, Simoni u emërua gjyqtar i Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe në vitin 2004 u promovua si kryetar i kësaj gjykate.

Paralelisht me punën si gjyqtar, Simoni është angazhuar në mësimdhënie si në Shkollën e Magjistraturës ashtu edhe në Fakultetin e Drejtësisë. Në fund të vitit 2019, Simoni u caktua përkohësisht kryetar i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar deri në një vendim përfundimtar të institucioneve të vetingut.