Lajm1 Mar 2021

KPK ndërpret procesin e vetingut për 3 subjekte rivlerësimi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpreu procesin e rivlerësimit për dy gjyqtarë për shkak të dorëheqjes së tyre dhe përfundoi vetingun pa vendim për një prokuror pasi kishte dalë në pension.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Komisioneret Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu dhe Pamela Qirko gjatë seancës dëgjimore me prokuroren Besa Nikëhasani, të mbajtur në Tiranë më 17 prill 2018. Foto: Gent Shkullaku/LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka vendosur më 22 shkurt që të ndërpresë vetingun për gjyqtarin e Apelit Gjirokastër, Izet Salaj për shkak të dorëheqjes së tij nga statusi i magjistratit, si dhe t’i heqë të drejtën për t’u emëruar në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Në vendim thuhet se gjyqtari Salaj i është nënshtruar procedurave të rivlerësimit që prej marsit të vitit 2019.

Rreth dy vite më vonë, më 5 janar 2021, Salaj i ka dorëzuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGj dorëheqjen nga detyra. KLGj ka vendosur më 21 janar deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për Salajn, i cili rezulton të mos ketë ushtruar ankim.

Në përfundim, trupa gjykuese e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relator Roland Ilian dhe anëtare Etleda Çiftjan, ka vendosur ndëprerjen e procesit të rivlerësimit për Salajn dhe sanksionimin e tij.

Me vendimin e datës 17 shkurt 2021, Komisioni ka vendosur të ndërpresë gjithashtu procesin e rivlerësimit kalimtar për gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Fatbardh Çoniku, si dhe heqjen e të drejtës së tij për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Në vendimin e arsyetuar në KPK thuhet se Çoniku, më datë 5 tetor 2020 ka depozituar pranë KLGj kërkesën për dorëheqje, për mbarimin e statusit të magjistratit me motivacionin “për arsye të moshës së pensionit”.

Kjo kërkesë është miratuar nga KLGJ disa ditë më vonë, duke vendosur mbarimin e statusit të magjistratit për Çonikun.

KPK vëren se Çoniku është shprehur se nuk dëshironte të dëgjohej në seancë dëgjimore dhe se vendimi i KLGJ për mbarimin e statusit të magjistratit për këtë subjekt nuk është ankimuar dhe ka marrë formë të prerë.

Në përfundim, trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin ka vendosur të deklarojë ndërprejen e vetingut për Çonikun dhe vendosjen e sanksionit që i ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë.

Po më datë 17 shkurt, KPK ka vendosur të deklarojë të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar pa një vendim përfundimtar të çështjes për prokurorin e Lezhës Gjergji Rudi, për shkak të daljes së tij në pension.

Komisioni sqaron se vazhdimi i procesit të rivlerësimit për këtë subjekt i nisur një vit më parë është bërë i pamundur, pasi Prokurori i Përgjithshëm me vendimin e datës 25 qershor 2018, ka deklaruar mbarimin e emërimit të prokurorit Gjergji Rudi për shkak të mbushjes së moshës për pension. Pasi KPK ka verifikuar se ndaj vendimit të Prokurorit të përgjithshëm nuk është ushtruar ankim, është vendosur përfundimi i procesit pa një vendim përfundimtar.