Lajm2 Nov 2021

KPK ndërpret vetingun për gjyqtarin e dorëhequr, Ardian Kalia

Gjyqtari i Tiranës, Ardian Kalia u dorëhoq nga detyra një vit e gjysmë pasi ndaj tij kishte filluar procesi i rivlerësimit kalimtar. 

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjatë një seance në KPK.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 21 tetor të ndërpresë procesin e rivlerësimit për gjyqtarin e Tiranës, Aridan Kalia për shkak të dorëheqjes së tij, si dhe ti ndalojë rikthimin në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Në vendimin e arsyetuar të Komisionit sqarohet se Kalia e ka dhënë dorëheqjen nga statusi i magjistratit në korrik të vitit 2021, pasi kishte kaluar një vit e gjysmë nga nisja e procesit të vetingut ndaj tij.

Pas dorëzimit të kërkesës për dorëheqje, Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ ka vendosur më 16 korrik të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për këtë subjekt rivlerësimi. Komisioni ka pezulluar procedurën deri në momentin kur Gjykata Administrative e Apelit ka konfirmuar se Kalia nuk e ka ankimuar vendimin e KLGJ-së dhe në vijim e ka njoftuar për pasojat e dorëheqjes për shkak të procesit të rivlerësimit.

Kalia është shprehur se nuk dëshironte të dëgjohej në seancë dëgjimore dhe ka rikonfirmuar për KPK vullnetin e tij të lirë në lidhje me dorëheqjen.

Në përfundim, trupi gjykues i kryesuar nga Alma Faskaj, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Genta Tafa Bungon ka vendosur të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për gjyqtarin Ardian Kalia. Gjithashtu, është deklaruar edhe humbja e së drejtës për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *