Lajm3 Jul 2019

KPK ngre pikëpyetje mbi burimin e pasurive të gjyqtares Valbona Durraj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi se gjyqtarja Valbona Durraj nuk i kishte deklaruar burimet e pasurive të saj, ndërkohë që ngriti dyshime se ajo kishte kryer vepra penale, përfshirë evazion fiskal dhe ndërtim pa leje.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Kryetarja e Gjykatës Administriave Shkodër, Valbona Durraj gjatë një seance të KPK-së mër 03.07.2019 | Foto nga : Edmodn Hoxhaj

Kryetarja e Gjykatës Administrative të Shkodrës, Valbona Durraj (Seknaj) u përball të mërkurën me procesin e vetingut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK. Trupa gjykuese e KPK që përbëhej nga Xhensila Pine kryesuese, Suela Zhegu relatore dhe Olsi Komici anëtar ka përfunduar procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Durraj vetëm në kriterin e pasurisë. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme gjatë seancës dëgjimore, Marie Tuma.

Që në fillim të seancës, gjyqtarja Valbona Durraj u shpreh se nuk ishte dakort me vendimin e Komisionit për të përfunduar rivlerësimin e saj vetëm për kriterin e pasurisë dhe i kërkoi trupës gjykuese që të rihapte hetimin edhe për dy kriteret e tjera.

“Jam gjyqtare administrative dhe jam me medalje të artë. Kërkesa ime është për riçeljen e hetimeve edhe për kriterin e pasurisë dhe profesionalizimin”, deklaroi Durraj.

Trupa gjykuese pasi u tërhoq për disa minuta për të shqyrtuar kërkesën e Durrajt, vendosi ta rrëzojë atë  dhe të vazhdojë seancën dëgjimore.

Valbona Durraj e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1998. Për më shumë se një dekadë, ajo ka punuar në gjykatën e shkallës së parë të shkodrës, ndërkohë që në vitin 2013 ajo u dekretua gjyqtare në Gjykatën Administrative të Shkodrës.

Relatorja Suela Zhegu pohoi se sipas raportit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, gjyqtarja Durraj kishte kryer deklarim të pasaktë të pasurive, nuk kishte pasur burime të ligjshme për krijimin e tyre, kishte kryer deklarim të rremë dhe fshehje, ndërsa nuk gjendej në kushtet e konfliktit të interesit.

Zhegu tha se Komisioni ka kryer hetim administrativ të pavarur për deklarimet e pasurive nga ana e kreut të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, Valbona Durraj, nga ka rezultuar se kjo e fundit nuk i ka pasqyruar burimet e krijimit të pronave që zotëron.

Lidhur me një apartament me sipërfaqe 115 m2 në Tiranë, të porositur më 8 dhjetor të vitit 2004 në vlerën e 78 mijë eurove e të realizuar me akt shit-blerje në vitin 2013, relatorja Zhegu theksoi se subjekti nuk kishte deklaruar burimin e krijimit të shumës së sipërcituar.

Sipas Zhegut, gjyqtarja Durraj ka shpjeguar gjatë hetimit administrativ se burim krijimi për këtë pasuri kanë qenë të ardhurat e përfituara nga shitja e një apartamenti në vlerën 4.5 milionë lekë, të ardhura nga biznesi dhe pagat, qiraja e përfituar nga apartamenti në Tiranë në total në vlerën e 19 200 eurove dhe një hua në shumën 10 mijë euro e marrë nga vëllai i saj.

Komisioni ka konkluduar se gjyqtarja Durraj nuk ka saktësuar shumat e kursyera dhe se prej analizës financiare për periudhën 2004-2010, të ardhurat zyrtare krahasuar me ato të deklaruara janë me bilanc negativ në vlerën -3.2 milionë lekë. KPK ka gjetur se ekzistojnë dy kontrata për shitjen e një apartamentit, nga shtija e të cilit subjekti deklaron se ka përfituar 4.5 milion lekë dhe është përdorur si burim për blerjen e apartamentit në Tiranë me vlerë 78 mijë euro . Sipas Komisionit këto kontrata të nënshkruara në noterë të ndryshëm kanë vlera të ndryshme të çmimit të shitjes së apartamentit, një në vlerën 2 milionë lekë dhe tjetra në vlerën 4.5 milionë. Zhegu tha se subjekti e ka quajtur si një gabim material të noterit pasqyrimin e vlerës 2 milionë lekë në një prej kontratave noteriale dhe se sipas saj duhej të kishte qenë 1 milion lekë, pa dhënë detaje shtesë.

Komisioni ngriti dyshime se akti i shitjes së apartamentit në vlerën 2 milionë lekë ka pasur si qëllim shmangien e pagesës së detyrimeve financiare dhe ka vlerësuar si burim të ligjshëm vetëm këtë shumë. Relatorja Suela Zhegu identifikoi edhe faktin se subjekti i ka paguar pas tetë vitesh detyrimet tatimore.

Lidhur me huanë e marrë prej vëllait, KPK ka konstatuar se edhe pse ai ka pasur aktivitet privat, nuk ka pasur të ardhura për ti dhënë të motrës shumën prej 10 mijë euro.

Komisioni konstatoi se gjyqtarja Valbona Durraj nuk ka pasur burime të ligjshme për blerjen e apartamentit 115 m2 në Tiranë, se ka kryer fiktivitet në shitjen e apartamentit të mëparshëm dhe evazion fiskal për shkak të mos shlyerjes së detyrimeve. Zhegu pohoi se prej analizës financiare ka rezultuar se gjyqtarja Durraj ka pasur një mungesë burimesh në vlerën -4.2 milionë lekë për blerjen e apartamentit në Tiranë, ndërkohë që nuk është arritur të vërtetohet me dokumente marrja e huasë nga vëllai.

Sipas relatores Zhegu, gjyqtarja Durraj nuk ka deklaruar burimin e krijimit as në deklaratat periodike dhe as në atë veting edhe për një sipërfaqe toke 360 m2 të blerë në fshatin Pulaj të Velipojës në vlerën 881 mijë lekë. Nga analiza financiare është konkluduar se Durraj ka pasur mungesë të ardhurash në vlerën -760 mijë lekë në vitin 2013 për blerjen e kësaj pasurie. Komisioni ka gjetur se në këtë tokë gjendet edhe një godinë dykatëshe e ndërtuar pa leje. Sipas relatores Zhegu, kjo godinë dy katëshe i është dhënë për zhvillim investitorit N.M. . Ajo shtoi se fakti se ky ndërtim me sipërfaqe totale 200 m2 në të dy katet është kryer pa leje në vitin 2013, përbënë vepër penale.

Mospërputhje janë konstatuar edhe në deklarimin e vlerës së investimit për godinën dy katëshe të pasqyruar në shumën e 3.5 milionë lekëve. Nga përllogaritjet e Komisionit ka rezultuar se investimi i kryer gjatë viteve 2013-2014, minimalisht duhej të kishte qenë në vlerën e 6.2 milionë lekëve. Zhegu theksoi se edhe pse investitori N.M ka pasur të ardhura të ligjshme, nuk ka pasur mundësi për të ndërtuar objektin dy katësh dhe për të kryer mobilimin.

Tjetër mospërputhje që ka gjetur komisioni, kanë qenë edhe ato mes përfitimeve të deklaruara nga gjyqtarja Durraj kur ajo ka punuar si avokate nga viti 1992 deri në vitin 1997 dhe atyre zyrtare. Sipas Zhegut, Durraj ka deklaruar se ka përfituar 6.8 milionë lekë, ndërkohë që nga verifkimi i dokumenteve zyrtare ka rezultuar të ketë fituar 1.8 milionë lekë.

Zhegu pohoi se për gjithë gjetjet e Komisionit lidhur me pasuritë e gjyqtares Durraj, kjo e fundit ka dorëzuar pranë Komisionit shpjegime dhe prova të reja të cilat do të shqyrtohen dhe merren parasysh para marrjes së vendimit.

Komisioni ka identifikuar problematika edhe në deklarimin e pasurive të bashkëshortit të gjyqtares Valbona Durraj. Kështu, është konstatuar mungesë burimesh në vlerën 3.4 milionë lekë për blerjen e një dyqani 46 m2 nga ana e bashkëshortit të saj në vitin 1997 në shumën 30 mijë dollarë. Gjithashtu, është konkluduar se bashkëshorti i Durrajt nuk ka pasur burime të ligjshme edhe për blerjen e një pjese dyqani m sipërfaqe 10 m2 në vitin 2006 në shumën 500 mijë lekë. Nga analiza financiare është konkluduar se në këtë vit ai ka pasur një mungesë burimesh në vlerën -400 mijë lekë. Për këtë pasuri nuk është pasqyruar burimi i krijimit në deklaratën veting.  Subjekti nuk ka deklaruar burimin e krijimit edhe për blerjen e një autoveture tip Benz në vitin 2014. Komisoni nuk ka gjetur problematika lidhur me një apartament me sipërfaqe 71 m2 që i kanë dhuruar prindërit bashkëshortit të gjyqtares Durraj në vitin 1994. Ky apartament ka rezultuar të jetë përfituar nga privatizimi në vitin 1993 dhe rezultatet e hetimit janë përputhur me deklarimet e gjyqtares.

Relatorja Suela Zhegu u shpreh se; edhe për gjetjet lidhur me pasuritë e bashkëshortit të saj, gjyqtarja Durraj ka dorëzuar shpjegime dhe prova të reja që do të merren parasysh gjatë vendimmarrjes.

Gjyqtarja Valbona Durraj(Seknaj) i kundërshtoi gjetjet e KPK-së lidhur me mungesën e burimeve të ligjshme të krijimit të pasurive, për evazionin fiskal dhe ndërtimin pa leje. Ajo shpjegoi se në analizën financiare të KPK-së për periudhën 2004-2010 është kryer përllogaritje e gabuar e të ardhurave të përfituara nga paga e saj si gjyqtare, pasi ka pasaktësi për vitin 2007 dhe se nuk janë përfshirë dietat. Ajo shprehu rezerva edhe për llogaritjen që Komisioni ka kryer në analizën financiare duke e konsideruar si një kalkulim matematikor dhe jo në përputhje me ligjin. Për apartamentin e shitur në vitin 2004, Durraj pohoi se kishte deklaruar që e kishte blerë 2 milionë lekë në vitin 2001 dhe se vlera e shitjes kishte qenë 4.5 milionë lekë. Gjyqtarja Durraj tha se ishte e ndërgjegjshme për ligjshmërinë e këtij burimi që kishte shërbyer për pagesën e një pjese të çmimit të apartamentit në Tiranë.

Më tej ajo sqaroi se vëllai kishte pasur mundësi t’i jepte huan në shumën 10 mijë euro, pasi aktiviteti që ai zotëron ishte vijimësi e biznesit të të atit që prej vitit 1994. Gjyqtarja Durraj i cilësoi si të fryra përllogaritjet për shpenzimet jetësore dhe ato të përllogaritura bazuar në sistemin TIMS duke konsideruar se analiza duhej të ishte bazuar në të dhënat zyrtare që sipas saj janë më të ulëta nga ato të referuara prej ILDKPKI. Ajo shtoi se përllogaritja për shpenzimet bazuar në TIMS në vlerën 50 euro dita nuk ishte normale, pasi kjo duhej të konsiderohej për udhëtimet në shtet e Bashkimit Evropian. Durraj tha se kishte udhëtuar e qëndruar shpesh në Malin e Zi, prej edhe nga kishte prejardhjen ajo dhe bashkëshorti, por se shpenzimet për të udhëtuar e qëndruar në këtë vend duhej të përllogariteshin jo më shumë se 20 euro në ditë.

Durraj kontestoi gjetjen e analizës financiare për balancën negative në vlerën 4.2 milionë lekëve dhe theksoi se shitja e apartamentit nuk ishte fiktive dhe se nuk kishte kryer evazion fiskal pasi i kishte paguar detyrimet.

Durraj pohoi se ka pasur burime të ligjshme për blerjen e tokës 360 metra katrorë në fshatin Pulaj në Velipojë në vlerën 881 mijë lekë, ndërsa tha se nuk kishte lidhje me ndërtimin pa leje pasi ajo ishte pronare e truallit. “Nuk kam bërë asnjë ndërtim pa leje, as unë, as bashkëshorti”, pohoi ajo. Lidhur me ligjshmërinë e burimit të të ardhurave të investitorit N.M. që sipas saj ka ndërtuar objektin dykatësh, Durraj pretendoi se personi në fjalë kishte jetuar në periferi dhe kostoja e jetesës së tij ishte më e ulët nga ajo e përllogaritur, duke shtuar se në këto kushte kishte pasur mundësi për të kryer investimin.

Edhe për pasuritë e bashkëshortit Durraj tha se ishin krijuar me burime të ligjshme. Ajo kërkoi që Komisioni të konsideronte të ligjshme të ardhurat e saj si avokate nga viti 1992 deri në vitin 1997. “Dyqanin e bleva me të ardhurat e profesionit tim. Unë kam qenë e regjistruar atëherë dhe në atë kohë avokatët e regjistruar numëroheshin me gishtat e dorës”, pohoi Durraj. Ajo pohoi se nga përllogaritjet e saj rezultonte me balancë pozitive edhe në vitin 2006 kur ka blerë pjesën 10 m2 të një dyqani. Durraj tha se burimet e saj ishin të ligjshme dhe të mjaftueshme edhe për likuidimin e apartamentit. Më pas, dorëzoi dokumente shtesë, përfshi edhe lidhur me aktivitetin e të atit. Trupi gjykues u tërhoq dhe vendosi t’i administrojë të gjithë dokumentacionin e dorëzuar prej Durrajt.

Në fund të seancën dëgjimore, gjyqtarja Durraj i kërkoi trupës gjykuese të KPK-së që ta konfirmonte në detyrë duke marr parasysh edhe profesionalizmin e saj ndër vite, faktin se kishte qenë gjithmonë në ngritje, se ishte vlerësuar me medalje ari dhe ishte vlerësuar me 92 pikë për detyrën në gjykatën administrative, si edhe se kishte mbajtur një ngarkesë pune 150%. KPK do të shpallë vendimin më datë 4 korrik ora 09:30.