Analize10 Apr 2019

KPK: Prokurori Arqile Koça cënoi besimin te drejtësia

Në vendimin e KPK-së për prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Arqile Koça, trupi gjykues vendosi t’i konsideronte deklarimet e pasakta dhe të pamjaftueshme në formularin periodik të ILDKPKI, si provë me te njëjtën rëndësi sa dhe deklarimet e pasakta e të pamjaftueshme në deklaratën veting.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Arqilea Koça, pas vendimit të KPK që e shkarkoi nga detyra e prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme. Foto:BIRN

Sipas ligjit për rivlerësimin kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë, subjektet e rivlerësimit dhe personat e lidhur, pasurinë e deklarojnë nëpërmjet deklaratës së pasurisë për procesin e rivlerësimit, ose siç njihet ndryshe deklarata veting.

Përveç deklaratës veting, subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të, paraqesin në KPK dhe të gjitha dokumentet që justifikojnë vërtetësinë e deklarimeve për ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurive.

Ligji gjithashtu shprehet në nenin 32, pika 4, se ‘deklarimet e interesave privatë dhe pasurorë, të paraqitura më parë tek ILDKPKI-ja mund të përdoren si provë nga Komisioni dhe Kolegji i Apelimit.

Megjithatë, në vendimin e saj për shkarkimin nga detyra të prokurorit Arqile Koça, trupa gjykuese e KPK-së e përbërë nga Etleda Çiftja kryesuese, Firdes Shuli relatore dhe Roland Ilia si anëtar, ka vendosur t’i trajtojë deklarimet periodike të interesave private pranë ILDKPKI si “provë me të njëjtën rëndësi sa dhe deklarimet e pasakta e të pamjaftueshme në deklaratën veting.”

Në konkluzion të hetimit administrativ të subjektit, KPK ka arritur në përfundimin se Koça kishte bërë deklarime të pamjaftueshme për kriterin e kontrollit të pasurisë dhe nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tij kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia .

Gjatë seancës dëgjimore të mbajtur më 6 mars, prokurori Koça ka dhënë shpjegime mbi gjetjet për të cilat KPK i ka transferuar barrën e provës dhe ka kërkuar konfirmimin  në detyrë nga Komisioni. Kërkesa e subjektit nuk është marrë parasysh nga trupa gjykuese, e cila 2 ditë më vonë ka shpallur vendimin për shkarkimin nga detyra të subjektit.

Deklarata periodike dhe veting

Arqilea Koça e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri në vitet ’90. Ai punon prej 15 vitesh në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka mbajtur edhe postet drejtuese të luftës kundër krimit të organizuar, drejtorisë së hetimit dhe të ndjekjes penale dhe së fundmi drejton zyrën e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë.

Paralelisht me detyrën si prokuror, Koça ka qenë edhe pedagog i Jashtëm në Shkollën e Magjistraturës si dhe anëtar për tre vite i Këshillit të Prokurorisë. Në vitin 2017, ai kandidoi për t’u zgjedhur Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm, post i cili u fitua nga Arta Marku.

Procesi i rivlerësimit të prokurorit Koça është bërë për të tre kriteret e vetingut. Në këtë kontekst KPK ka administruar aktin e vlerësimit të pasurisë për subjektin të përgatitura nga Inspektoriati i Larte i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, raportin për pastërtinë e figurës nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe raportin për vlerësimin profesional nga grupi punës në Prokurorinë e Përgjithshme.

Sipas aktit të vlerësimit të pasurisë së subjektit të përgatitur nga ILDKPKI, subjekti ka bërë deklarim të saktë dhe në përputhje me ligjin, ka burime financiare të ligjshme dhe justifikon pasuritë, nuk ka kryer fshehje të pasurisë, nuk ka krye deklarim të rremë dhe subjekti nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesit.

Megjithatë, përtej përfundimit të organit ndihmës, Komisioni ka ndërmarrë një proces të plotë hetimi administrativ mbi pasuritë e subjektit, duke u bazuar në deklarimet e subjektit pranë ILDKPKI-së, provat shkresore të administruara nga ky institucion dhe raporti i dorëzuar pranë Komisionit, si dhe çdo dokument ligjor që përbën mjet prove ligjore të kërkuar nga Komisioni gjatë procesit të rivlerësimit.

Hetimi administrativ i Komisionit është kryer në lidhje më 5 pasuri të paluajtshme në Tiranë të përfituara nga një kontratë shkëmbimi me një kompani ndërtimi, ku përfshihen 2 garazhe, një njësi me sipërfaqe 101 m2, një apartament me sipërfaqe 178 m2 dhe një apartament me sipërfaqe 120 m2.

Sipas KPK-së subjekti i ka marrë në pronësi këtë pasuritë në vitin 2009, por në kundërshtim me ligjin ato nuk janë deklaruar nga subjekti deri në deklaratën periodike të vitit 2014, kur është bërë regjistrimi i tyre në ZVRPP dhe në deklaratën veting. KPK e hedh poshtë pretendim e subjektit se nuk i ka deklaruar pasuritë sepse nuk ka qenë de juro pronar i tyre si në kundërshtim me ligjin, pasi sipas KPK-së ai ka ushtruar të drejta reale pronësie mbi këto asete duke i shitur ose duke i dhënë në huapërdorje.

Edhe pse mosdeklarimi i këtyre aseteve shtrihet në deklaratat periodike të viteve 2008-2013, trupa gjykuese arsyeton se Kushtetuta e shtrin procesin e rivlerësimit edhe në shqyrtimin e deklarimeve periodike të pasurisë.

“Neni 32, pika 5, i ligjit nr. 84/2016 parashikon: “Deklarimet e interesave privatë dhe pasurorë, të paraqitura më parë tek ILDPKI-ja mund të përdoren si provë nga Komisioni dhe Kolegji i Apelimit”,” shprehet KPK në vendim.

“Duke qenë se përcaktimet kushtetuese dhe ligjore të sipërcituara u kanë dhënë deklarimeve periodike të pasurisë vlerën e provës, ato mund të konsiderohen të së njëjtës rëndësi me deklaratën “Vetting”,” shton ajo.

Për këtë interpretim KPK mbështetet tek vendimi i shumicës së Kolegjit të Apelimit me nr.9, datë 24.10.2018, për konfirmimin e shkarkimit të ish-gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj. Sipas paragrafit 42 të këtij vendimi – i mbështetur nga gjyqtarët në shumicë Natasha Mulaj, Albana Shtylla, Luan Daci dhe Ardian Hajdari deklaratat periodike konsiderohen me të njëjtën vlerë.

Ndërkohë në mendimin e pakicës, gjyqtarja Ina Rama e ka kundërshtuar këtë qëndrim duke u shprehur se pasaktësia në deklaratat periodike do të ishte objekt verifikimi dhe mund të përdorej si një shkak për shkarkimin e subjektit, nëqoftëse është shoqëruar me përpjekje për të fshehur pasurinë apo për të deklaruar me qëllim në mënyrë të pasaktë.

Origjina e pasurisë

Përveç deklarimeve periodike të pasurive të paluajtshme të subjektit, KPK ka hetuar dhe origjinën e tyrë. Sipas hetimit administrativ të KPK-së, pasuritë e paluajtshme të subjektit e kanë origjinën tek një tokë arë e blerë nga shtetasi me iniciale F.A.

ZRPP-ja e Tiranës ka vënë në dispozicion të KPK-së dy Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi, AMTP, të shtetasit F.A, një me sipërfaqe 830 m2 e vitit 1999 dhe një tjetër me sipërfaqe 3910 m2 e vitit 1992.

Nëpërmjet një kontrate në maj 2000, shtetasi F.A ja shet tokën me sipërfaqe 830 m2 për 450 mijë lekë subjektit të rivlerësimit. Më tej subjekti e ka dhënë këtë tokë një kompanie ndërtimi në shkëmbim të 26 % të sipërfaqes së ndërtimit.

Sipas deklaratave të subjektit dhe dëshmitarit F.A, shitje e tokës subjektit ishte rakorduar në një marrëveshje verbale që nga viti 1996 dhe çmimi i blerjes është paguar me këste dhe pa dokument shkresor nga subjekti i rivlerësimit, deri në vitin 2000. Sipas pretendimeve të subjektit dhe dëshmitarit F. A., shkak i marrëveshjes verbale, ka qenë fakti se pasuria ka qenë e paregjistruar në ZVRPP-në Tiranë.

KPK i ka kaluar barrën e provës subjektit për të provuar që prona që ai ka blerë i përkiste AMTP-së të përfituar nga F.A në vitin 1992.  Sipas KPK-së të dy AMTP-të e përfituara nga F.A kanë të njëjtin numër akti dhe AMTP-ja e përfituar në vitin 1992 është dukshëm e korrigjuar.

Në përfundim, bazuar në provat dhe faktet e sipërcituara, Komisioni, çmon se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë bindshëm burimin e krijimit të pasurisë tokë arë me sipërfaqe 830 m2, e cila ka shërbyer si origjinë për përfitimin e pasurive të paluajtshme.

Huapërdorja e pasurive

Gjatë hetimit administrativ KPK ka zbuluar nga të dhënat e OSHEE-së se subjekti ka dhënë në huapërdorje disa nga pasuritë e tij të paluajtshme. Në periudhën dhjetor 2015 – janar 2016, subjekti i ka dhënë në huapërdorje shtetasit L.D njësinë me sipërfaqe 101 m2. Sipas subjektit shtetasi L.D e ka përdorur këtë pasuri si periudhë prove për të bërë biznes. Të dhënat e administruara mbi shtetasin L.D nga OSHEE dhe QKB, përputhen me deklarimet subjektit.

Sipas KPK-së në muajin prill 2014, subjekti i ka dhënë gjithashtu në huapërdorje një sipqefaqe garazhi prej 20 m2 shtetasi R.S. Sipas subjektit ky shtetas do të merrte përsipër mirëmbajtejn e garazheve dhe do të mdihmonte me administrimin e pasurive. Sipas KPK-së nga përmbajtja e aktmarrëveshjes me shtetasin R. S., datë 25.04.2017, rezulton se ky shtetas, e ka përdorur këtë garazh në huapërdorje pa kundërshpërblim që nga prilli i vitit 2014 e në vijim, me qëllim administrimin e pasurive të subjektit.

Sipas KPK-së, për shkak se subjekti ka jetuar tek ky pallat që nga viti 2015-të, është e paqartë pse ka vazhduar t’ia lejë në huapërdorje shtetasit R.S pasuritë.

Gjithashtu, pasuria apartament me sip. 110 m2, shitur shtetases L. D. në 13.06.2018, për periudhën korrik 2013 – qershor 2015, është përdorur nga vjehrra e subjektit, znj. S. Sh., në kushtet e huapërdorjes, dhe në periudhën korrik 2015 – korrik 2018, është përdorur nga shtetasi M. G. po si huapërdorjes.  Sipas KPK-së për vjehrrën e subjektit, znj. S. Sh., nuk ka një akt shkresor që të vërtetojë huapërdorjen, ndërsa për shtetasin M. G., është vënë në dispozicion kontratë huapërdorje, datë 18.07.2015 . Me këtë shtetas, nuk është vërtetuar që subjekti të ketë pasur konflikt interesi.

Për pasurinë apartament 86 m2, e cila i është shitur shtetasit R.M, për periudhën shtator 2012 – dhjetor të vitit 2013, është përdorur nga nipi i subjektit shtetasi Th .Gj., dhe nga shkurti i vitit 2014 – korrik të vitit 2015, kjo pasuri i është dhënë në huapërdorje shtetasit M. G. Subjekti ka paraqitur një deklaratë dore të  lëshuar nga nipi, z. Th. Gj., më datë 11.11.2018, me të cilën vërtetohet se për periudhën shtator 2012 – dhjetor 2013, ai ka banuar në apartamentin, pronë e subjektit, gjatë periudhës që ka qenë student në Tiranë. Subjekti gjithashtu ka paraqitur një kontratë huapërdorje me shtetasin M.G me afat të pacaktuar.

Sipas KPK-së deklarimi i subjektit për përdorimin e apartamentit 110 m2 nga vjehrra e tij është i pavërtetë dhe i dyshimtë. Komisioni arrin të njëjtin përfundim për përdorimin e këtij apartamenti pa shpërblim  nga shtetasi M.G.  Gjithashtu, për apartamentin 86 m2, KPK shprehet se fakti që subjekti nuk ka paraqitur prova shkresore për të vërtetuar nëse shtetasi M. G ka pasur në pronësi pasuri të tjera të paluajtshme në Tiranë në periudhën që ai ka marrë në huapërdorje këtë pasuri, çfarë sipas KPK-së e bën gjithashtu të dyshimtë përdorimin pa shpërblim të kësaj banese nga ana e tij.

Nga analiza e shpenzimeve të energjisë elektrike, KPK ka ngritur gjithashtu dyshime mbi përdorimin nga subjektit të apartamentit  137.8 m2 ku ai banon që nga viti 2015. Sipas KPK-së, nga verifikimi i informacionit të OSHEE-së, rezulton se për këtë apartament banimi, në periudhën korrik 2013 – dhjetor 2014, ka pasur shpenzime të konsiderueshme të energjisë elektrike, ndërkohë subjekti ka filluar ta përdorë këtë pasuri në vitin 2015 dhe vazhdon ta përdorë aktualisht.

KPK shprehet se nga informacioni i OSHEE-së për shpenzimet e energjisë elektrike, por dhe nga shpjegimet e subjektit, rezulton që për këtë periudhë (korrik 2013 – dhjetor 2014), ai dhe familja e tij të ketë banuar njëkohësisht në dy apartamente, gjë që “praktikisht është e pamundur.”

“Këto fakte e lënë të dyshimtë përdorimin e kësaj banese nga ana e subjektit të rivlerësimit për periudhën korrik 2013 – dhjetor 2014,” shprehet KPK.

Burimi i të ardhurave

KPK ka hetuar gjithashtu burimin e të ardhurave të apartamentit 161 m2 të blerë në një fshtat të Sarandës nga subjekti në vitin 2011. Në deklaratën veting subjekti e ka deklaruar burimin e pasurisë së të ardhurave për ketë apartament nga shitja e apartamenteve në Tiranë në bashkëpronësi me bashkëshorten.

ZRPP-ja Sarandë konfirmon se subjekti i rivlerësimit ka të regjistruar në emër të tij këtë pasuri dhe OSHEE-ja vërteton përdorimin e kësaj pasurie nga ana e subjektit të rivlerësimit. Subjekti ka deklaruar në deklaratën veting se ka shpenzuar 20 mijë euro për blerjen e kësaj pasurie, përfshirë 5 mijë euro investim në 2013, 700 mijë lekë investim në 2015, 600 mijë lekë (investim + arredim) në vitin 2016.

Kjo pasuri është deklaruar në deklaratat periodike për vitet 2011, 2013, 2015, duke deklaruar shtim vlere të pasurisë në shumat përkatëse por, pa deklaruar burim të të ardhurave, çfarë sipas KPK bie ndesh me ligin për deklarimin periodik të të ardhurave.

KPK ka hetuar gjithashtu një tokë bujqësore në pronësi të subjektit në një fshat të Korçës, mbi të cilën janë hedhur themelet për një banesë. Sipërfaqja e tokës është 360 m2 dhe është blerë në vitin 2011 për 2.2 milionë lekë.

Gjatë hetimit administrativ ZRPP Korçë ka konfirmuar regjistrimin e pasurisë në emër të subjektit. Nga deklarimet periodike subjekti ka deklaruar në vitin 2011, tokë bujqësore, në fshatin ***, me sip. 360 m2, në vlerën 700 mijë lekë, pa deklaruar burim. Në vitin 2012, subjekti ka deklaruar ndërtim themelesh për shtëpi në këtë truall në vlerën 10 mijë eurosh, pa deklaruar burim.

Sipas KPK-së nga deklarimet periodike, vihet re se për vitet 2011 dhe 2012, nuk është deklaruar burimi i krijimit të kësaj pasurie.  KPK gjithashtu ka fajësuar prokurorin Koça për mosdeklarimin në deklaratën periodike të vitit 2017-të të burimit të të ardhurave për blerjen e një automjeti tip ‘Honda’ me vlerë 1.3 milionë lekë, si dhe mos deklarimin e krijimit të burimit të gjendjes së likuiditetit bankar 1.4 milionë lekë dhe 1421 euro edhe pse këtë likuiditete vijnë nga të ardhura të ligjshme.

Statusi si i pastrehë

Gjatë hetimit administrativ KPK ka arritur të provojë se subjekti i rivlerësimit ka përfituar më shumë se një herë statusin e personit të pastrehë.

Ai ka marrë një kredi të butë me vlerë 5 milionë lekë nga ish-Banka e Kursimeve, me statusin e të pastrehut, për blerjen e pasurisë apartament banimi, me sip. 100 m2, në Tiranë në vitin 2000. Gjithashtu, disa  muaj pas përfitimit të kësaj kredie, subjekti ka privatizuar një pasuri të paluajtshme po me statusin e të pastrehut, në qytetin e Korçës.

Lidhur me këtë pasuri është konstatuar se subjekti ka deklaruar në deklaratën “Vetting”, të ardhura të përfituara nga shitja e një apartamenti në qytetin e Korçës, të fituar nëpërmjet privatizimit, me sip. 100 m2, me kontratën nr. ***, datë 26.03.2001, në vlerën prej 1.25 milionë lekësh.

Sipas KPK-së, kur subjekti ka përfituar si i pastrehë pasurinë në Korçë, prej 100 m2 truall dhe 100 m2 ndërtim, ai e kishte konsumuar marrjen e kredisë së butë prej 5 milionë lekë, duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe për këtë fakt i ka kaluar barrën e provës Koçës.

Gjatë seancës dëgjimore, Koça është shprehur se : “përfitimi i pasurisë në qytetin e Korçës ka qenë një e drejtë që mua më ka takuar qysh me fillimin e marrëdhënieve të punës në atë qytet në vitin 1989 që ka ardhur për shkak se pushteti lokal nuk ka përmbushur detyrimin për strehimin e tij gjatë periudhës që ka banuar në Korçë.”

“Në këtë aspekt, përfitimi i kësaj pasurie ishte realizim i vonuar i një të drejte që i takonte,” ka shtuar ai.

Subjekti ka shpjeguar se pasuria në fjalë nuk përbënte një apartament të banueshëm por një magazinë të vjetër dhe të rrënuar. KPK shprehet se është e paqartë si e ka përfituar këtë aset subjekti, pasi me ligjin për privatizimin e banesave të ish-NKB-së, lejohej vetëm privatizimi i apartamenteve. Sipas KPK-së ky aset është përfituar në mënyrë të padrejtë dhe është shitur brenda vitit nga subjekti, me qëllim përfitimi.

Subjekti gjithashtu nuk ka deklaruar të ardhura nga shitja e kësaj pasurie në deklarimin për vitin 2003, por vetëm në deklarimin për “Vetting”. Për shkak se KPK e vlerëson si përfitim të paligjshëm shumën 1.25 milionë lekë të përfituar nga shtija e kësaj pasurie, deklarimi i saj në deklaratën veting si e ardhur e ligjshme është konsideruar deklarim i rremë.

Gjithashtu në vitin 1996, subjekti s ka ndërtuar një banesë-objekt provizor, me sip. 36 m2 në Tiranë. Nga informacioni i marrë nga ALUIZNI, ky objekt është ndërtuar mbi truallin prej 830 m2 në Linzë. Sipas KPK-së subjekti nuk e ka deklaruar këtë objekt informal në deklaratën e vitit 2003.

Në mars 2005, subjekti ka bërë vetëdeklarimin për legalizim të objektit shtëpi-banimi, me sip. 36 m2, ndërtuar në vitin 1996, duke deklaruar se kërkesa për legalizim është bërë me qëllim kthimin e tokës arë në truall për ndërtim.

Gjithashtu, sipas KPK-së kredia lehtësuese e marrë nga subjekti nga ish-Banka Kursimeve është marrë në tejkalim të kritereve të parashikuara nga ligji.

Sipas KPK-së këto veprime apo mosveprime që vijnë në kundërshtim me etikën e një prokurori të Prokurorisë së Përgjithshme, emëruar në këtë funksion që nga viti 1994, cenojnë besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.