Analize14 Oct 2018

KPK shkarkoi prokurorin Bujar Hoti, për “veprime të paligjshme e fshehje pasurie”

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit renditi 19 shkelje të prokurorit të Apelit në Durrës Bujar Hoti, sa i përket kriterit të pasurisë, përfshi përfitimin e 4 mijë metrave tokë arë si bujk, në një kohë kur ishte prokuror. Hoti u shkarkua për veprime të përsëritura fiktive në transaksionet me apartamentet dhe pamjaftueshmëri deklarimi e burimesh financiare.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Seanca e prokurorit Bujar Hoti në KPK | Foto nga : Besar Likmeta

Problemet jo të pakta me pasurinë e prokurorit të Apelit të Durrësit Bujar Hotit sipas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të zbardhur sëfundmi, fillojnë me përfitimin në mënyrë të paligjshme të 4 mijë metrave katrorë arë, të rregjistruar në vitin 1996, në fshtatin Fllakë.

Hoti, i cili prej vitit 1986 kishte filluar punë si hetues në Lushnje dhe më pas vijoi karrierën si prokuror, kishte nënshkruar përfitimin e tokës si ish-punonjës i ndërmarrjes Bujqësore Bisht-Kamëz. KPK vlerësoi se ai në këtë rast kishte kryer veprime të paligjshme që “cënonin figurën e prokurorit”, ndërsa rrëzoi disa justifikime që ai paraqiti, përfshi faktin që kishte punuar si stazhier i ndërmarrjes buqësore për 10 muaj në vitet 1981-1982.

Treshja e Komisionit të Pavarur i Kualifikimit, e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtar Olsi Komici, renditi në total 19 shkelje të Hotit përfshi fshehje pasurie, fiktivite kontratash e mosdeklarime.

Sipas vendimit të zbardhur rezulton se problemi kryesorë i ish-prokurorit të Apelit ishin një sërë kontratash noteriale të ndryshme nga deklarimet për KPK-në apo edhe më herët për Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI).

Hoti i cili u përfshi në listën e subjekteve prioritare për shkak se ishte kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, u mbrojt duke justifikuar problemet kryesisht si pasaktësi. Mbrojtësi i tij ligjorë gjatë seancës dëgjimore duke iu drejtuar përfaqësuesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Theo Jacobs i cili froi Hotin të thoshte këtë herë të vërtetën, foli për “realitet shqiptar” në përpjekje për të justifikuar problemet e gjetura.

Në një rast Hoti ai vuri fajin kompanisë së ndërtimit për mosrakordimin e të dhënave, por KPK në arsyetim lë të kuptohet se ky pretendim ishte i rremë dhe bëhej “duke injoruar në këtë mënyrë faktin se e kanë nënshkruar edhe ata këtë kontratë sipërmarrjeje”. Hetimi për Hotin ndryshe nga raste të ngjashme ku pas konstatimit të problemeve me pasurinë hetimi ndërpritej, u krye në të tre kriteret. Atij nuk iu gjetën probleme sa i përket profesionalizmit dhe pastërtisë së figurës.

Lexo edhe:

 Ara e paligjshme

KPK gjeti se Bujar Hoti kishte deklaruar në vetëdeklarimin fillestar në vitin 2003 se kishte marrë dhuratë nga babai 4 mijë metra katrorë tokë arë në fshatin Fllakë. Në dokumentet e pronësisë së kësaj toke KPK gjeti se toka ishte rregjistruar direkt në emrin e Hotit dhe se ai kishte nënshkruar në vitin 1996 si përfitues i saj.

Komisioni thotë se nisur nga ky konstatim vendosi të bënte hetime më të thelluara. Fillimisht ata i kërkuan Hotit të sillte një kontratë dhurimi. Ish-prokurori i Apelit në Durrës i tha komisionit se nuk kishte një të tillë dhe se babai e kishte rregjistruar tokën në emër të tij që në vitin 1991. Hoti pretendoi se toka i takonte si banor i fshatit dhe si pjesë e ndërmarrjes bujqësore.

Por hetimi i Komisionit zbuloi një situatë tjetër. KPK thotë se për shkak se në kohën kur është bërë ndarja e tokës Hoti ishte prokuror, pasi kishte filluar punë që në vitin 1986 si hetues në Lushnje, ai nuk kishte të drejtë përfitimi sipas ligjit 7501. Ai po ashtu nuk mund të përfitonte përshkak të të qenit pjesë e trungut familjar me babain, pasi ky i fundit si drejtues i një ndërmarrje bujqësore, kishte përfituar tokë në dy fshatra të tjerë.

Familja e tyre po ashtu rezultonte të kishte përfituar strehim nga Enti Kombëtar i Banesave gjë që automatikisht i përjashtonte ata nga përfitimi i tokës sipas ligjit 7501. Hoti sidoqoftë u përpoq ta justifikonte përfitimn e pronës, me faktin që kishte punuar stazhier në ish-ndërmarrjen Bujqësore Bisht-Kamëz sektori Fllakë.

Përpjekjet e tij sidoqoftë ishin larg të bindnin KPK-në. Ndërsa nuk është ndalur në vlerën e pronës, Komisioni arsyetoi se veprimet e kryera ishin të paligjshme. “Përfitimi i një pasurie në rrugë të paligjshme, jo në përputhje me dispozitat ligjore, në bazë të së cilave pretendohet që të jetë përfituar pasuria 4000 metra tokë, vlerësohen si sjellje përtej standardeve etike, si dhe veprime që cënojnë besimin e publikut te magjistrati”, thuhet në arsyetimin e KPK-së.

Apartamente dhe shtesa

Megjithëse veprimet me tokën arë u konsideruan të paligjshme, problemet kryesore të Hotit dolën kur KPK hetoi disa veprime të tij dhe bashkëshortes me pasuri të paluajtshme. KPK thotë se gjeti një sërë kontratash që nuk përputheshin më pas me deklarimet vjetore apo edhe me deklarimet për llogari të vetingut.

Kështu për një apartament 156 metra katrorë në Durrës me një shtesë të mëvonshme prej 30 metrash kontratat noteriale dhe deklarimet ishin në mospërputhje si në kohë ashtu edhe në shumat e paguara apo çmimet e përcaktuara.

Kështu Hoti pretendoi në ‘deklaratën veting’ se kishte paguar apartamentin në karabina me vlerë 3 milion lekë. Por pasi hetimi administrative gjeti probleme me këtë pasuri, ish-prokurori pranoi sipas KPK-së “se çmimi i kontratës së shitblerjes nuk është shuma që ai ka paguar realisht për këtë pasuri, duke pohuar se vlera totale e apartamentit nuk është 3.000.000 lekë, por 5.400.000 lekë”.

E ndërsa e cilësoi deklarimin e ndryshëm si shkelje, KPK shkoi mëtej duke vënë në dukje se apartamenti kishte kushtuar sipas kontratave noteriale 70 mijë euro për 156 metrat e para. KPK thotë se Hoti kishte paguar 20 mijë euro në dorë në fillim dhe një pjesë tjetër me kredi.

Ky 20 mijë eurosh rezultoi problematik, pasi Hoti nuk e justifikonte atë si pasuri. Pretendimi i tij se këto para nuk ishin paguar pasi ishte hequr dorë nga blerja e garazhit dhe një sërë shpjegimesh të tjera për kohën e blerjes dhe kohën e marrjes në dorëzim, u gjetën nga KPK të pamjaftueshme dhe jo në përputhje me dokumentacionin.

Hoti solli një dëshmi të noterit se ai “nuk mbante mend që pagesa e 20 mijë eurove të ishte bërë në zyrën e tij” siç thuhej në dokument, por kjo dëshmi siç del në vendimin e zbardhur erdhi 8 ditë pasi KPK kishte marrë nga i njëjti noter një dëshmi krejt të ndryshme ku konfirmohej pagesa e bërë në zyrë.

Vetëm për këtë apartament dhe transaksionet e kryera mbi të Komisioni gjeti 7 shkelje. Në vendimin e zbardhur thuhet se Hoti bëri “deklarim të rremë për çmimin e blerjes, fshehje të pasurisë/likuiditetit në vlerën 20.000 euro, fshehje e burimit të ligjshëm të depozitës pranë bankës “NBG Bank” në vitin 2004, në vlerën 39.000 euro, mosdeklarim të likuiditeteve në vlerën 10.014 euro në fund të vitit 2004, deklarime të ndryshme dhe kontradiktore me realitetin e fakteve të vërtetuara nga dokumentet dhe deklarim çmimi fiktiv”.

“Përfundimisht, në analizë të provave të administruara në lidhje me pasurinë apartament, me sipërfaqe 157 m², plus shtesë me sipërfaqe 30 m² (total 187m²) në qytetin e Durrësit, pallati “(***)”, trupit gjykues i rezulton se subjekti i rivlerësimit nuk ka sjellë asnjë argument dhe asnjë provë që të hedhë poshtë apo të ndryshojë rezultatin e hetimit dhe konkluzionin e Komisionit në hetimin administrativ”, thuhet në vendimin e KPK-së.

Probleme të ngjashme u gjetën edhe me blerjen e një apartamenti të dytë 85.4 metra po në Durrës. KPK hasi dy kontrata të ndryshme. Një kontratë me një kompani ndërtimi dhe një tjetër me një bankë kredidhënëse. Në njërën prej kontratave apartamenti identifikohej si një i tërë dhe vlerësohej me çimin 1100 euro metri, ndërsa në kontratën për bankën rezultonin dy apartamente që shiteshin me 550 euro metri.

KPK thotë se duke u referuar sipërfaqeve rezultonin se prokurori kishte paguar rreth 3 mijë euro më shumë. Po ashtu në këtë rast u gjet problematik fakti se asnjë nga kompanitë që dilnin në kontratat nuk kishin marrë paratë dhe KPK vuri dyshim në destinacionin e kredisë së dispursuar.

Po ashtu rezultoi se kompania që shiste apartamentin në fakt ishte thjeshtë sipërmarrës ndërtimi, ndërsa kompania që kishte të drejtë shitje, nuk kishte kontratë me Hotin. Në këtë rast KPK doli në përfundimin se Hoti kishte kryer 5 shkelje. Sipas vendimit të zbardhur lidhur me apartamentin kishte pasur “deklarim të pasaktë të gjendjes së pasurisë në deklaratat e pasurisë 2007, 2008 dhe në deklaratën “Vetting” të 2017-ës, fiktivitet të çmimit dhe mënyrës së pagesës, fiktivitet për dy kontrata sipërmarrjejer, për një dhe për dy apartamente, veprime fiktive me qëllim përfitimin e kredive bankare, mosdeklarim të destinacionit të vërtetë të shumës 68.578 euro të disbursuar nga banka”.

Hoti nuk mundi po ashtu të argumentonte edhe problemet me blerjen e një zyre nga bashkëshortja. KPK thotë se nga hetimi fillimisht u zbulua një komplikim i çuditshëm i mënyrës së pagesës për këtë pasuri, e cila nuk u sqarua as nga dëshmitë e prokurorit.

Aty rezultoi se bashkëshortja në vend që të paguante çmimin e pasurisë që blinte lidhi një kontratë me një kompani ndërtimi për një apartament dhe pagoi aty shumën prej 2 milion lekësh. Kontrata do shërbente si parapagim për familjen që po i shiste asaj apartamentin që më pas shërbeu si zyrë.

KPK thotë se hetimi po ashtu nxorri edhe një mori problemesh të tjera, përfshi një ndërtim pa leje, të cilin Hoti u përpoq ta “shiste” si të bërë me leje nga bashkia. KPK verifikoi se në fakt bashkëshortja e Hotit kishte pasur një leje për përshtatje të apartamentit, por jo leje për shtesë dhe se për këtë kishin aplikuar për legalizim. Komisioni thotë se nga hetimi për këtë rast rezultuan si shkelje: “fiktiviteti i çmimit, mënyrës së pagesës, fiktivitet i shpenzimeve për ndërtimin shtesë dhe rikualifikimin e mjedisit, deklarim i pamjaftueshëm pasurie për tre vite dhe ndërtim i paligjshëm”.

KPK thotë në vendimin e zbardhur se gjeti ndër të tjera dhe një sërë problemesh me transaksionet e tjera të subjektit. Hetimi zbuloi se ai kishte bërë deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme në në deklarimet vjetore të pasurisë për vitet 2012 dhe 2013 dhe atë veting, për blerjen e një makine Nissan-Juke.

Po ashtu kishte fshehur pasjen në pronësi të një automjeti “Opel Astra” në vitin 2005, që kishte sjellë për pasojë “mosdeklarim të burimit të ligjshëm” për fitimin e automjetit “Peugot OxyGO”, në vitin 2007 e në fund deklarim të pamjaftueshëm për burimin e ligjshëm të të ardhurave për automjetin “Nissan-Juke” në deklaratën “Vetting”. Analiza finaciare po ashtu rezultoi problematike. Hoti  nuk justifikonte 6,9 milion lekë.

KPK thotë në arsyetim se të gjitha këto çuan në shkarkimin e Bujar Hotit. Sipas vendimit ai shkarkohet për “deklarim të pamjaftueshëm” dhe “cënim të besimit të publikut te drejtësia”.