Lajm9 Sep 2019

KPK shkarkon drejtuesin e Prokurorisë së Matit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimi shkarkoi nga detyra të hënën kreun e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, Hysni Vata.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Kreu i Prokurorisë së Matit duke dalë nga seanca dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit | Foto : Edmond Hoxhaj

Trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimi, e përbërë nga komisionerët Firdes Shuli, Pamela Qirko dhe Lulzim Hamitaj, shpalli të hënën vendimin për procesin e rivlerësimit kalimtar të prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethi Gjyqësor Mat, Hysni Vata.

Pasi e vlerësoi karrierën e Vatës për të tre kriteret e vetingut, pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, KPK vendosi shkarkimin e tij nga detyra.

Në vitin 1992, Hysni Vata ka nisur punë si prokuror, por është larguar nga detyra me dekret të Presidentit të Republikës për shkelje të rënda në vitin 1998. Pasi fitoi në Gjykatën e Lartë të drejtën e rikthimit në sistemin e prokurorisë, me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm u emërua në 2008-ën si prokuror në Tropojë, më pas në Dibër, Kurbin e në Mat, ku prej vitit 2017 mban pozicionin e drejtuesit të kësaj prokurorie. Gjatë periudhës që ka qenë i larguar si prokuror, ai ka punuar në Policinë e Shtetit.

Gjatë seancës dëgjimore të mbajtur në KPK me 4 shtator, relatori i çështjes nënvijëzojë se Komisioni i kishte kaluar barrën e provës subjektit për një numër çështjes të identifikuara për të tre kriteret e vetingut.

Sipas KPK-së analiza financiare subjekti ka rezultuar balancë negative dhe mungesë e burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive. DSIK ka konstatuar gjithashtu papërshtatshmërinë e prokurorit Vata për vazhdimin e detyrës, ndërkohë që ONM i ka referuar Komisionit disa gjetje për hetimet e aksidenteve në punë në minierën e Bulqizës.

Vata i kundërshtoi gjetjet e hetimit administrativ për sa i përket pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit, duke kërkuar konfirmimin në detyrë – kërkesë që u hodh poshtë nga KPK me shpalljen e vendimit.