Lajm13 Sep 2019

KPK shkarkon gjyqtarin Gjovalin Pernoca

Problemet me pasurinë të gjyqtarit të Apelit për Krime të Rënda Gjovalin Pernoca u cilësuan shkarkuese prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari Gjovalin Pernoca pas seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Foto: E.Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të premten shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Apelit për Krime të Rënda, Gjovalin Përnoca. Përnoca u përball  në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me një seri dyshimesh mbi pasurinë, ndërsa u vu në dukje se nuk i ishin gjetur probleme të figurës dhe profesionalizmit.

Trupa gjykuese përbëhej nga Xhensila Pine kryesuese, Olsi Komici relator dhe Suela Zhegu anëtare vendosi se problemet e pasurisë së gjyqtarit ishin shkarkuese.

Gjovalin Përnoca e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si ndihmës-prokuror dhe prokuror në Kukës e në Mirditë. Në vitin 2003, ai është zgjedhur gjyqtar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, detyrë të cilën e ushtron tashmë prej 15 vitesh.

Gjatë seancës dëgjimore relatori Olsi Komici vuri në dukje se gjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda kishte marrë një raport negativ nga ILDKPKI, i cili konstatonte deklarime të pasakta dhe mungesë burimesh të ligjshme për pasurinë. Po ashtu edhe gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit shkuan në të njëjtën linjë me raportin e ILDKPKI-së.

Probleme u vunë  në dukje për një një apartament me sipërfaqe 108.4 m2 me vlerë 49 860 m2 në katin e gjashtë të një pallati dhe dy garazhe nga 19 m2 të ndodhura në Tiranë, në bashkëpronësi me biznesmenin S.G.

KPK ngriti dyshime edhe për blerjen e një apartamenti në Golem në vlerën 1.9 milionë lekë në vitin 2005, e shitur gjashtë muaj më pas me dyfishin e vlerës; në 3.4 milionë lekë. KPK ka gjetur se edhe personi që e kishte blerë nga Përnoca apartamentin, e kishte shitur sërish këtë apartament në vlerën 1.95 milionë lekëve. Sipas Komisionit, Përnoca ka shpjeguar se e ka shitur më shtrenjtë pasi ka kryer punime dhe vlera e shtëpisë ishte rritur dhe se nuk e di përse blerësi e ka rishitur në një vlerë të ulët. Komisioni ngre dyshimet për veprime fiktive të blerjes dhe shitjes së apartamentit në Golem.

Gjyqtari Përnoca i cilësoi lapsuse problemet me pasurinë.  “Ndihem krenar për figurën dhe profesionalizmin. Tek pasuria kam gabime e lapsuse, por nuk kam fshehje. Mendoj se jam më i dobishëm se sa i dëmshëm për drejtësinë dhe se do e meritoja emrin gjyqtar,” tha Përnoca në mbrojtjen e tij gjatë seancës dëgjimore.