Lajm10 Sep 2020

KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin e Apelit Tiranë, Artur Gaxha

Komisioni evidentoi mungesë të burimeve në vlera të mëdha për krijimin e pasurive ndër vite. Konstatimet negative u kundërshtuan nga Gaxha, i cili u shpreh se procesi ishte i paragjykuar.  

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Artur Gaxha në seancën dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Foto: LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të enjten vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Apelit Tiranë, Artur Gaxha. Ky i fundit nuk ishte i pranishëm në seancën e shpalljes së vendimit në KPK. Trupa gjykues që kreu procesin e vetingut për gjyqtarin Gaxha përbëhet nga Firdes Shuli kryesuese, Pamela Qirko relatore dhe Roland Ilia anëtar.

Artur Gaxha e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995. Ai ka punuar për më shumë se një dekadë në Gjykatën e Tiranës, ndërsa në vitin 2016 u emërua gjyqtar i Gjykatës së Apelit Tiranë.

Gjatë seancës dëgjimore të premten, më 4 shtator, KPK identifikoi mungesë të burimeve financiare në vlerën e 45 milionë lekëve për investimet e kryera ndër vite nga gjyqtari i Apelit të Tiranës, Artur Gaxha dhe bashkëshortja e tij. Gjithashtu u evidentuan edhe mosdeklarim i disa pasurive, burimeve të tyre dhe i një huaje.

Gjyqtari Gaxha u vlerësua pozitivisht për figurën dhe për profesionalizimin nuk u identifikuan probleme.

Në fjalën e tij, Gaxha e cilësoi raportin e Komisionit për kriterin e pasurisë me gabime të rënda, të pabazuar në prova dhe në tejkalim të ligjit. Në fund të seancës dëgjimore ai pretendoi se provoi burimet e pasurisë së tij dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.