Lajm12 Dec 2019

KPK shkarkon nga detyra kryetaren e Gjykatës Administrative Durrës, Mariana Velçani

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi shkarkimin nga detyra të kryetares së Gjykatës Administrative, Durrës, pas problemeve me pasurinë dhe profesionalizmin.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Kryetarja e Gjykatës Administrative të Durrësit, Mariana Velçani gjatë seancës në KPK. Foto:Edmond Hoxha

Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e përbërë nga nga Firdes Shuli kyesuese, Brunilda Bekteshi relatore dhe Roland Ilija anëtar shpallën mëngjesin e të enjtes më 12 dhjetor vendimin për shkarkimin nga detyra të kryetares së Gjykatës Administrative të Durrësit, Mariana Velçani. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të mërkurën më 11 nëntor, gjyqtarja Velçani u përball me pyetje mbi pasurinë dhe aspektin profesional.

Komisioni ngriti dyshime për burimin e krijimit të një apartamenti me sipërfaqe 111 m2 në qytetin e Beratit, blerë 3 milionë lekë në prill të vitit 2003. Hetimi administrativ ka evidentuar se kredia në vlerën 20 mijë euro është disbursuar 3 muaj pas blerjes së apartamentit. Komisioni identifikoi pamundësi financiare edhe për blerjen e një automjeti dhe për shpenzimet e kryera në vitet 2005 dhe 2012.

Komisioni identifikoi gjithashtu një sërë problemesh edhe në kriterin e profesionalizmit, kryesisht në zbatimin e procedurës, tejkalim të afateve dhe se nuk përdor praktikat e gjykatave më të larta në vendimet e saj.

Velçani këmbënguli gjatë seancës dëgjimore se kredia 20 mijë euro ishte marrë me qëllim blerjen e apartamentit në Berat dhe se puna e saj ishte produktive pasvarësisht konstatimeve të komisionit.