Lajm21 Jul 2021

KPK shkarkon nga detyra prokurorin e Shkodrës, Arben Smaçi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi unanimisht të largojë nga detyra prokurorin e  Prokurorisë së Shkodrës, Arben Smaçi pas problemeve të evidentuara për kriterin e pasurisë.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori i Prokurorisë së Shkodrës, Arben Smaçi pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të mërkurën vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Shkodrës, Arben Smaçi, i cili nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së vendimit.

Hetimi administrativ për prokurorin Smaçi u përfundua vetëm për kriterin e pasurisë. Gjatë seancës dëgjimore të enjten më 15 korrik, Komisioni evidentoi se prokurori Arben Smaçi kishte kryer deklarim të pasaktë dhe të rremë për çmimin e një apartamenti, ndërsa rezultoi me mungesa financiare të mëdha për justifikimin e pasurisë.

Trupi gjykues që kreu procesin e rivlerësimit për prokurorin Smaçi kryesohej nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Firdes Shulin dhe anëtar Olsi Komicin.

Smaçi e ka filluar karrierën në vitin 2010 në prokurorinë e Durrësit dhe në vitin 2011 është emëruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër.