Lajm11 Oct 2019

KPK shkarkon nga detyra prokurorin Ndini Tavani

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi të premten nga detyra prokurorin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ndini Tavani – njëkohësisht kandidat për Strukturën ë Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK.  

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Ndini Tavani pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA

Trupa gjykuese e KPK-së e përbërë nga  Alma Faskaj kryesuese, Brunilda Bekteshi relatore dhe Roland Ilia anëtar, vendosi me shumicë votash shkarkimin nga detyra të prokurorit Ndini Tavani.

Procesi i rivlerësimit për prokurorin Ndini Tavani është kryer në të tri kriteret e vetingut, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Ndini Tavani ka përfunduar studimet për drejtësi dhe ka ushtruar profesionin e avokatit në vitet 2003-2004. Më pas, ai ka vazhduar studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe pas vitit 2007 ka ushtruar funksionin e prokurorit në Durrës, Vlorë dhe Tiranë.

Gjatë seancës dëgjmore të mbajtur me 7 tetor, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar probleme për të tre kriteret e rivlerësimit dhe i ka kaluar subjektit barrën e provës.

Tavani ka dhënë shpjegimi për problemet e konstatuara nga hetimi administrativ dhe ka kërkuar konfirmimin në detyrë. Shpjegimet e dhëna nga prokurori kanë bindur vetëm një anëtar të trupës gjykuese të KPK-së. Dy anëtarët e tjerë kanë vendosur për shkarkimin nga detyra të prokurorit.