Lajm26 Feb 2020

KPK shtyn seancën për t’i dhënë gjyqtarit Bib Ndreca kohë për mbrojtjen

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pranoi t’i jepte kohë shtesë gjyqtarit të Gjykatës së Posaçme Bib Ndreca, ndërsa shtyu seancën dhe rrëzoi kërkesën për hapje të hetimit në dy kriteret e tjera veç atij të pasurisë.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Bib Ndrenca, gjyqtar i Gjykatës së Posaçne Anti Korrupsion gjatë seancës në KPK. Foto:Vladimir Karaj

Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme Bib Ndreca e ndërpreu prezantimin formal të kryesueses së seancës dëgjimore ndaj tij të mërkurrën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit duke mbajtur në dorë një letër që siç tha ishte kërkesë paraprake.

Xhensila Pine, që kryesonte trupën me anëtare Etleda Çiftja dhe Pamela Qirko, këmbënguli të përfundonte leximin e rregullave. Menjëherë pas kësaj gjyqtari Ndreca lexoi shpejt, aq sa vëzhguesja e ONM-së ndërhyri vetë për ta ngadalësuar në mënyrë që fjala e tij të përkthehej, se ati i ishte mohuar koha e mjaftueshme për të mbojtur dhe përfudnimi i hetimit vetëm në një kriter (atë të pasurisë)  “kontaminonte të gjithë procesin”. Ndreca iu referua Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe tha se asgjë nuk e pengonte Komisionin që të hetonte të tre kriteret e rivlerësimit.

Ai këmbënguli po ashtu se dokumentet që ai kishte sjellë nuk ishin marrë parasysh në analizën financiare që kishte marrë para seancës. Ndreca kërkoi që t’i jepej kohë të përgatiste mbrojtjen dhe po ashtu këmbënguli që KPK të rihapte hetimin në të tre kriteret. “Unë po kërkoj të hetohem dhe jo të mos hetohem”, tha Ndreca.

Trupa gjykuese që u mblodh për vendim të ndërmjetëm u kthye në sallë për të njoftuar pranimin e pjesshëm të kërkesave. Pine lexoi se për rihapjen e hetimeve Ndreca kishte marrë tashmë një qëndrim të trupës, ndërsa tha se atij i duhej dhënë më shumë kohë për mbrojtjen, ndërsa seanca e re u caktua në 3 mars në orën 15.00.

Gjyqtari Bib Ndreca ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Tropojës. Në vitin 2013, Ndreca është emëruar kryetar i Gjykatës së Pukës, ndërsa në vitin 2015 është dekretuar si anëtar i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Ndreca është aktualisht gjyqtar i përkohshëm në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për një emërim të përhershëm, atij i duhet të kalojë me sukses procesin e vetingut.