Analize2 Jul 2019

KPK u nda në konfirmimin e gjyqtarit Dhimitër Lara

Vendimi i zbardhur i KPK-së për gjyqtarin e Apelit për Krime të Rënda, Dhimitër Lara tregon se shumica e trupës dhe anëtarja me mendim pakice i vlerësuan në mënyrë të ndryshme deklarimet e pasakta të subjektit në deklaratën veting dhe atë periodike.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari i Apelit per Krime te Renda, Dhimiter Lara pas seances degjimore ne KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Me datë 29 maj Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi me shumicë votash në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Dhimitër Lara. Lara u vlerësuar për të tre kriteret e vetingut, përfshirë pastërtinë e figurës, profesionalizmin dhe pasurinë. Trupa gjykuese e KPK-së kryesohej nga Pamela Qiko, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Etleda Çiftja.

Gjyqtari Lara ka marrë vlerësime pozitive nga institucionet ndihmëse të procesit të rivlerësimit kalimtar për sa i përket të tre kritereve të vetingut. Ndërkohë, hetimi i thelluar administrativ i KPK-së ka konstatuar një seri pasaktësish në lidhje me deklarimin e burimeve që kanë shërbyer për këstin e parë të blerjes së një apartamenti në Tiranë në vitin 2006, ndërkohë që nuk ka konstatuar probleme për të dy kriteret e tjera.

Shumica e trupës gjykuese e përbërë nga kryesuese Qirko dhe relatorja Shuli, i ka vlerësuar pasaktësitë në deklarim të gjyqtarit Lara si pa pasoja juridike, duke arritur në përfundim se ai arrin besueshmërinë e mjaftueshme në kriterin e pasurisë. Ndërkohë, në mendim pakice anëtarja e trupës gjykuese Etleda Çiftja ka arsyetuar se mosdeklarimet dhe pasaktësitë e subjektit në deklaratën veting dhe atë periodike, përbëjnë shkak për shkarkimin e tij nga detyra.

Dhimitër Lara e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1999 si gjyqtar i Gjykatës së Fierit. Në prill të vitit 2004, ai është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, funksion të cilin vazhdon ta ushtrojë prej 15 vitesh.  Lara është gjithashtu autor i librit “Koment mbi Kodin e Procedurës Penale”, i cili është pjesë e kurrikulës në Shkollën e Magjistraturës.

Mendimi i shumicës

Nga aktet e Inspektoriatit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, rezulton se subjekti i rivlerësimit ka dorëzuar rregullisht deklaratat e interesave private për vitit 2003-2016, si dhe deklaratën veting sipas ligjit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Nga kontrolli i deklaratave, ILDKPKI ka arritur në përfundimi se subjekti ka bërë deklarim të saktë dhe në përputhje me ligjin, ka burime financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë, nuk ka kryer fshehje pasurie, nuk ka kryer deklarim të rremë dhe nuk është kushtet e konfliktit të interesit.

Megjithëse, ILDKPKI konsiderohet organi kompetent ndihmës i procesit të rivlerësimit për kontrollin e pasurisë, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e vetingut, KPK ka ndërmarrë një kontroll mirëfilltë dhe të thelluar për subjektin e rivlerësimit, i cili nuk kushtëzohet nga konkluzionet e organeve ndihmëse.

Si pjesë e hetimit administrative të pasurive të gjyqtarit Dhimitër Lara, KPK ka hetuar burimin e deklaruar të krijimit të një apartamenti 66 m2 + 25 m2 shtesë, blerë me çmimin 7.5 milionë lekë me datë 29 korrik 2006. Burim për krijimin e këtij aseti, subjekti ka deklaruar shitjen e një apartamenti të përfituar nga privatizimi i banesave më vlerë 3.4 milionë lekë me datë 29 gusht 2006 dhe një kredi 5 milionë lekë nga Banka Popullore.

Sipas kontratës së shitblerjes së këtij apartamenti të depozituar në ZRPP, çmimi i shitjes prej 7.5 milionë lekësh është likuiduar në dy këste. Kësti i parë prej 2.55 milionë është likuiduar nga subjekti gjatë hartimit të kontratës dhe pjesa e mbetur prej 4.95 milionë pas marrjes së kredisë nga Banka Popullore.

KPK nënvizon se në deklaratën periodike të vitit 2006, subjekti ka deklaruar shtimin e apartamentit me vlerë 7.5 milionë lekë, por nuk ka deklaruar burimin  e krijimit. Pas kalimit të barrës së provës nga KPK, subjekti ka shpjeguar se në formularin e deklarimit periodik të vitit 2006, “në kolonat detyruese për t’u përmbushur, në mënyrë të shprehur, nuk parashikohej se duhej të deklarohej burimi i krijimit të pasurisë së shtuar”. Lara gjithashtu ka shpjeguar se në këtë deklaratë periodike janë deklaruar pasuritë që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit, ku përfshihet shitja e apartamentit ekzistues dhe kredia bankare nga banka popullore.

Duke marrë parasysh që në deklaratën e vitit 2006, Lara ka deklaruar pakësimin e apartamentit në Durrës dhe kredinë bankare – edhe pse pa shpjeguar se kanë shërbyer si burim për blerjen e apartamentit 7.5 milionë lekë në Tiranë dhe faktin që këto veprime janë deklaruar si burim në deklaratën veting, shumica e trupës gjykuese shprehet se ky mosdeklarim nuk ka sjellë pasoja.

KPK ka hetuar dhe dy burimet financiare që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit në Tiranë, përfshirë kredinë nga Banka Popullore dhe shitjen e apartamentit të privatizuar nga shteti në vitin 1993. Nga hetimi i KPK-së ka rezultuar se huaja e marrë nga Banka Popullore është shlyer tërësisht nga subjekti me të ardhura të ligjshme.

Ndërkohë, për sa i përket shitjes së apartamentit në Durrës në vitin 2006, KPK shprehet se çmimi i shitjes është paguar në 2 këste. Kësti i parë prej 2.8 milionë lekësh është marrë dorazi jashtë zyrës noteriale në ditën e nënshkrimit të kontratës, 29 gusht 2006 dhe kësti i dytë prej 600 mijë lekësh është paguar me datë 16 shtator 2006.

Për shkak se shitja e apartamentit në Durrës ka ndodhur një muaj pas blerjes së apartamentit në Tiranë, për të cilën është deklaruar si burim, subjektit i janë kërkuar shpjegime nga KPK për këstin e parë të paguar për blerjen e apartamentit në kryeqytet me vlerë 2..25 milionë lekë. Subjekti ka shpjeguar se 1.2 milionë lekë i ka tërhequr nga llogaria bankare dhe 1.35 milionë lekë janë marrë cash nga bashkëshortja për një periudhë të shkurtër nga e motra, zonja A.B (S). Për të ardhurat e kësaj fundit që kanë shërbyer për huanë, subjekti ka sjellë një shkresë ku jepen detaje të biznesit person fizik të personit të lidhur për periudhën 2003-2006.

KPK i kaluar gjyqtarit Lara barrën e provës për mospërputhjen e deklaratës veting me deklarimet gjatë procesit të rivlerësimi në lidhje me burimin e këstit të parë të apartamentit të blerë në Tiranë me vlerë 2.25 milionë lekë, si dhe për ligjshmërinë e të ardhurave të kunatës.

Gjyqtari Dhimitër Lara ka shpjeguar se nuk e ka deklaruar kredinë afatshkurtër nga kunata për shkak se kjo nuk kërkohej nga ligji për deklarimin e interesave private.

“Në përgjigje të pyetjes, subjekti deklaroi se, në deklaratën e përgjithshme të çdo viti subjektet duhet të deklaronin ato veprime që kalonin dhe në vitin tjetër,” thuhet në vendimin e zbardhur të KPK-së.

“Ai nuk ishte i detyruar të deklaronte shumën në lekë që i mori znj. A. B, të cilën ia ktheu pas një muaji me shitjen e pasurisë në Durrës,” shton vendimi.

Në analizën e saj ligjore, shumica e trupës gjykuese shprehet se edhe pse subjekti nuk ka një dokument shkresor për kredinë afatshkurtër midis dy motrave, KPK ka vendosur ta marrë në konsideratë pretendimin ekzistencës së kësaj marrëdhënie financiare, duke listuar një sërë faktorësh, përfshirë dhe “realitetin shqiptarë të viteve 2000”

Gjithashtu, shumica e trupës gjykuese arrin në përfundimin, se kunata e subjektit, shtetasja A.B.S ka pasur të ardhura të mjaftueshme për huanë e dhënë të motrës. Ndërkohë, për sa i përket mospërputhjes së deklaratës veting, shumica e trupës gjykuese është shprehur se subjekti është shprehur ‘i pakujdesshëm’ në plotësimin e deklaratës veting.

“Komisioni vlerësoi se subjekti është treguar i pakujdesshëm në plotësimin e deklaratës “Vetting” dhe se pasaktësia në deklarim është një pasaktësi formale,” shkruan KPK.

“Komisioni krijoi bindjen se deklarimi pjesërisht i pasaktë në deklaratën “Vetting”, lidhur me burimin faktik që ka shërbyer për pagesën e shumës prej 2.550.000 lekësh, si këst i parë për blerjen e apartamentit në Tiranë, është një pasaktësi që nuk ka sjellë asnjë pasojë juridike dhe, si e tillë, nuk është konsideruar shkak për shkarkimin e subjektit nga detyra,” shton vendimi.

Mendimi i pakicës

Kundër vendimit të shumicës së trupës gjykuese ka dalë me mendimin pakice anëtarja e KPK-së Etleda Çiftja. Ajo nuk ndan të njëjtin mendim me shumicën për sa i përket deklarimit të pamjaftueshëm për sa i përket burimeve financiare të krijimit të apartamentit  66 m2 + 25 m2 shtesë në Tiranë, të blerë në vitin 2006.

Çiftja shprehet se subjekti nuk e ka deklaruar burimin e blerjes së këtij apartamenti në deklaratën periodike të vitit 2006. Gjithashtu ajo nënvizon se gjyqtari Lara nuk arriti të provojë bindshëm burimin dhe ligjshmërinë e tij, por “përkundrazi, me shpjegimet dhe me provat e dërguara gjatë hetimit dhe seancës dëgjimore, pranon se nuk ka deklaruar burimin e vërtetë në deklaratën “Vetting” të vitit 2017 në lidhje me burimin e krijimit të këtij apartamenti.”

Sipas anëtares Çiftja subjekti ka bërë deklarim të rremë për sa i përket shumës 2..25 milionë lekë që ka shërbyer si burim për këstin e parë për blerjen e apartamentit në Tiranë dhe ka pasaktësi në deklaratën periodike të vitit 2006, për shkak se nuk ka deklaruar burimin e blerjes së apartamentit.

Gjithashtu, sipas anëtares së KPK-së Etleda Çiftja, subjekti nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të të ardhurave të kunatës, të cilat kanë shërbyer për huanë afatshkurtër në vitin 2006. Sipas anëtares në pakicë Lara nuk provoi dot me dokumentacion ligjor justifikues se sa ka qenë fitimi i huadhënëses nga qarkullimi i deklaruar, me qëllim që të vlerësohej pastaj nëse janë paguar detyrimet tatimore apo jo,.

Çiftja shton gjithashtu se Lara nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme nga burime të ligjshme për të krijuar shumën prej 1.2 milionë lekësh të tërhequr nga llogaria e tij në vitin 2006, për pagesën e këstit të parë të shtëpisë.

“Bazuar në deklaratën vjetore të interesave privatë të vitit 2005, subjekti i rivlerësimit nuk deklaron gjendje cash apo depozitë në shumën 557.063 lekë në fund të vitit 2005, sikundër është përfshirë në analizën financiare të vendimit nga ana e shumicës,” shprehet Çiftja.

Ajo shton se subjekti nuk e ka deklaruar pakësimin e shumës 1.2 milionë lekë në deklaratën periodike të vitit 2006, duke nënvizuar se kjo përbën një pasaktësi tjetër në deklaratën periodike.

Çiftja ka kundërshtuar shumicën edhe për sa i përket justifikimit të burimeve të dy huadhënësve, nga të cilat subjekti ka marrë hua në vitin 2010 për të shlyer para kohe kredinë e marrë në Bankën Popullore.

“Në vlerësimin tërësor të çështjes: mbështetur në provat, faktet dhe rrethanat që Komisioni disponon për kriterin e vlerësimit e pasurisë, si dhe në vlerësimin tërësor të procedurave për këtë kriter, unë, si anëtar në pakicë/kundër, arrij në përfundimin se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur nivel të besueshëm në rivlerësimin e pasurisë, por ka bërë deklarim të pamjaftueshëm në lidhje me kriterin e pasurisë,” shkruan çiftja.

“Për këto arsye: unë, si anëtare në pakicë/kundër, vlerësoj se shumica e trupit gjykues nuk ka vepruar drejt duke konfirmuar në detyrë subjektin e rivlerësimit,” përfundon ajo.