Lajm4 Nov 2021

KPK u nda në vendimin për konfirmimin e gjyqtarit Artan Çupi

Komisioneret Genta Tafa Bungo dhe Pamela Qirko në shumicë i konsideruan bindëse shpjegimet e Artan Çupit për problemet për pasurinë dhe vlerësuar rezultatet e rikualifikimit të tij në Shkollën e Magjistraturës, por relatorja Etleda Çiftja në pakicë këmbënguli që Çupi të shkarkohej për mangësi në të tre kriteret.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari Artan Çupi në KPK | Foto : Vladimir Karaj /BIRN

Gjyqtari i Gjykatës së Rrethit Gjyqsor Mat, Artan Çupi u konfirmua në detyrë me shumicë votash më 16 shtator, pasi kreu një vit rikualifikim në Shkollën e Magjistraturës. Rikualifikimi po ashtu u caktua një vit më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK po me shumicë votash, pas përfundimit të seancës dëgjimore ndaj Çupit. Procesi u rihap pas përfundimit të vitit kualifikues.

Në vendimin e zbardhur del se shumica e trupit gjykues e përbërë nga kryesuesja Genta Tafa Bungo dhe anëtarja Pamela Qirko, i cilësuan jo shkarkuese problemet e gjetura për pasurinë duke u bazuar në shpjegimet e Çupit që sollën rrudhjen e balancës negative. Në vlerësim të parimit të proporcionalitetit, Bungo dhe Qirko çmojnë se deklarimet e pasakta dhe mungesa financiare  mbetur kanë peshë të vogël, e për pasojë nuk duhet të ndikojnë as në vlerësimin tërësor të pasurisë së subjektit.

Relatorja Etleda Çiftja në pakicë, i vlerëson jo bindëse pretendimet e Çupit për burimet financiare dhe konkludon se subjekti nuk ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë.

Komisioni është ndarë edhe për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin ku Çiftja arrin në përfundimin se subjekti me veprimet dhe mosveprimet e tij ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Mungesat për pasurinë

Në kriterin e pasurisë, trupi gjykues është ndarë në vlerësimin e burimeve financiare që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti në vitin 2007 në Burrel, kundrejt çmimit 2 milionë lekë. Në deklaratën veting subjekti ka shënuar si burime dy hua, një nga vëllai në shumën 700 mijë lekë dhe tjetra nga i ati 1.3 milion lekë.

Nga hetimi ka rezultuar se subjekti nuk i ka deklaruar burimet e kësaj pasurie në vitin 2007 kur janë kryer pagesat, ndërsa në vitin 2009 ka deklaruar se ka marrë dy hua. Po ashtu, është konstatuar se subjekti e ka deklaruar këtë apartament si adresë banimi që prej vitit 2006, një vit para se ta blinte.

Çupi e ka pranuar pasaktësinë në deklarimin e vitit 2007 lidhur me mosdeklarimin e burimit dhe ka sjellë në vëmendje se ka dhënë shpjegime në ILDKPKI në vitin 2009 lidhur me huatë e marra nga familjarët. Shumica i vlerëson bindëse këto shpjegime të subjektit dhe konsideron të saktë deklaratën veting lidhur me burimet e apartamentit.

Për shumicën, Çupi e ka kaluar testin lidhur me barrën e provës së kaluar për pamundësinë e babait për të dhënë huanë. Analiza e shumicës është përqendruar në periudhën e pretenduar nga subjekti se është dhënë huaja, prej nga ka rezultuar se babai ka tërhequr nga banka shumat 500 mijë lekë dhe 700 mijë lekë në fund të vitit 2006.

Komisioni vëren se deri në momentin e blerjes së apartamentit nga subjekti, i ati nuk ka kryer asnjë depozitim apo tërheqje në llogari bankare, si dhe nuk ka blerë ndonjë pasuri. Nisur nga këto konstatime vlera 1.2 milionë lekë është konsideruar si gjendje cash. Sipas shumicës, huadhënësi ka përfituar edhe 201 mijë lekë nga interesat dhe për rrjedhojë ka pasur të ardhura të mjaftueshme për dhënien e huasë në shumën 1.3 milionë lekë.

Po ashtu është konsideruar se edhe vëllai ka pasur mundësi për dhënien e shumës 700 mijë lekë, ndërsa pasaktësitë në deklaratat periodike, ku nuk janë pasqyruar këto hua, nuk janë konsideruar si një shkak i vetëm dhe i veçuar që prodhon situatën e deklarimit të pamjaftueshëm.

“[…]Këto pasaktësi janë korrigjuar prej tij pranë organit përgjegjës të ILDKPKI-së, pasi shkaku i hartimit të kontratave të huas ka qenë pikërisht kërkesa e bërë nga ky institucion, që kanë detyruar subjektin për të hartuar kontratat e huas”, konstaton shumica dhe konkludon se Çupi ka pasur burime të mjaftueshme financiare edhe për shlyerjen e këtyre huave.

Ndërsa balanca negative e konstatuar në analizën financiare të përgjithshme për periudhën 2003-2016 në shumën 822 mijë lekë është konsideruar e vogël për të cënuar Çupin.

Relatorja Etleda Çiftja e kundërshton arsyetimin e shumicës. Ajo sjell në vëmendje faktin se huatë jo vetëm që u deklaruan në vitin 2009 kur subjektit i janë kërkuar shpjegime nga ILDKPKI, por ai vetëm atëherë i ka nënshkruar kontratat e këtyre huave.

Sipas Çiftes, subjekti i ka deklaruar huatë pasi nga ana e ILDKPKI i është paraqitur bilanci negativ për çmimin e apartamentit. Relatorja vlerëson se këto fakte “krijojnë bindjen se ato janë lidhur me qëllim mbulimin me të ardhura të ligjshme të diferencës që ka rezultuar e pajustifikuar nga kontrolli në ILDKPKI”.

Po ashtu, pakica vëren se subjekti ka ndryshuar qëndrim gjatë hetimit administrativ lidhur me burimet financiare që kanë shërbyer për huan e dhënë nga babai. “Ka deklaruar se babai i ka krijuar këto të ardhura nga punësimi në aktivitetin publik dhe privat, ndërkohë që pas kalimit të barrës së provës, deklaron se nuk janë vetëm të ardhurat e krijuara si rezultat i punësimit, por edhe të ardhura të krijuara, ndër vite, edhe nga pjesëtarët e tjerë të trungut familjar”, citohet në mendimin e pakicës.

Çiftja e lidh ndryshimin e qëndrimit me pamundësinë e Çupit për t’i dhënë përgjigje rezultateve të hetimit dhe kërkoi që deklarimet e subjektit të mos merren në vlerësim dhe çmon se vlerat e tërhequra nga llogaria bankare nuk duhet të përfshihet në analizën financiare.

Nisur nga fakti se KPK ka përfshirë në analizën financiare edhe të ardhurat e familjes së origjinës së subjektit përpara vitit 1998, relatorja kërkon të vlerësohet si shpenzim shuma 2 milionë lekë e dhuruar fëmijëve në kohën e shkëputjes nga familja dhe shprehet se i ati i subjektit nuk ka pasur mundësi për huanë.  

Ajo shton se mungojnë prova që të konfirmojnë dhënien e huave në vitin 2007 dhe thekson se deklaratat noteriale të huave duhet të merren me rezervë në këtë proces. Sipas saj nga analiza financiare e përgjithshme financiare për periduhën 2003-2016 gjyqtari Çupi rezulton me balancë negative në shumën 3.7 milionë lekë.

Raportet për figurën

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar papërshtatshmërinë e gjyqtarit. Çupi për të vazhduar detyrën, bazuar në informacione ku ngrihen dyshime për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, të shfaqur në formën e korrupsionit pasiv të gjyqtarit, si dhe duke ndikuar e favorizuar disa persona në proceset gjyqësore në ndjekje në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mat.

Nisur nga raporti i DSIK, Komisioni ka verifikuar dosjet e çështjeve në të cilat pretendohet se janë favorizuar të pandehurit. Sipas shumicës, nga studimi i materialeve të dosjeve të administruara konstatohen shkelje profesionale, por informacionet se ai ka kryer veprime korruptive kanë mbetur vetëm në nivelin e dyshimeve.

Bungo dhe Qirko theksojnë se në asnjë moment DSIK nuk referon nëse subjekti ka pasur lidhje me persona të përfshirë në krimin e organizuar dhe çmojnë se Çupi ka arritur nivel të besueshëm për figurën.

Ndryshe nga shumica, Çiftja vlerëson se indiciet nga organet ligjzbatuese dhe problemet e konstatuara nuk mund të konsiderohen si mangësi në aftësitë profesionale të subjektit, por duhet të merren në konsideratë në vlerësimin tërësor.

Problemet për profesionalizmin

Me vendimin e ndërmjetëm të datës 24 korrik 2020, KPK vendosi me shumicë pezullimin nga detyra të gjyqtarit Artan Çupi për një periudhë një vjeçare dhe detyrimin e tij për të ndjekur programin e trajnimit në Shkollën e Magjistraturës. Edhe në këtë rast, Bungo dhe Qirko ishin në shumicë, ndërsa relatorja Çiftja u shpreh kundër.

Shumica konstatoi atëherë se subjekti ka treguar aftësi të cekëta lidhur me normat procedurale; se ka tejkaluar afatet duke zvarritur proceset; nuk ka qenë efektiv në gjykime; ka pasur raste kur nuk ka argumentuar plotësisht vendimin; si dhe ka treguar njohuri dhe aftësi të cekëta dhe gjykim të dobët, të cilat konsiderohen mangësi profesionale. KPK konkludoi se subjekti ka pasur detyrimin ligjor të thellohej në arsyetimin e vendimeve dhe të kontrollonte lidhjen logjike të argumenteve dhe vendosi që ai të trajnohej për një vit.

Pas përfundimit të trajnimit, shumica konstaton se Çupi ka arritur rezultate të mira në Shkollën e Magjistraturës, duke i kaluar mangësitë e konstatuara në hetimin administrativ.

Etleda Çiftja në pakicë vlerëson se subjekti ka demonstruar mangësi të theksuara në mënyrë të përsëritur në aftësitë e tij organizative.

Ajo vëren se të metat e konstatuara kanë provokuar ankesa të shumta të palëve ndërgjyqës në KLD dhe në Ministrinë e Drejtësisë. “[…]Çka të çon në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit, në përgjithësi dhe në mënyrë të vazhdueshme, ka shfaqur defekte të rëndësishme që e afektojnë negativisht vlerësimin e kriterit të aftësive të tij profesionale”, citohet në mendimin e pakicës.

Çiftja konsideron se nisur nga analiza e fakteve, subjekti i rivlerësimit Artan Çupi nuk mund të gëzojë besimin e publikut për të qëndruar në detyrë dhe ndodhet në kushtet e pamundësisë për plotësimin e mangësive nëpërmjet programit të trajnimit në Shkollën e Magjistraturës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *