Lajm12 Jan 2021

KPK vendosi konfirmimin me shumicë votash të prokurores Lindita Ziguri

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se kishe konfirmuar në detyrë me shumicë votash prokuroren e Prokurorisë së Tiranës Lindita Ziguri.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurorja e Tiranës Lindita Ziguri pas vendimit nga KPK. Foto:Edmond Hoxha

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të martën se kishe konfirmuar në detyrë me shumicë votash prokuroren e Prokurorisë së Tiranës Lindita Ziguri.

Trupa gjyqësore që kreu procesin e vetingut për Zigurin kryesohet nga Olsi Komici, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tomçi Petkoviç.

Gjatë seancës dëgjimore të premten më 8 janar, KPK i ka kaluar barrën e provës prokurores së Tiranës, Lindita Ziguri që të dokumentojë burimet e ligjshme të dajës së saj për 5 mijë euro hua si dhe të ardhurat e kunatit që ka sponsorizuar shkollimin vajzës së saj në Paris për 4 vite. Shumica e trupës duket se është bindur nga argumentet e Zigurit.

Lindita Ziguri (Male) e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë si prokurore në Prokurorinë e Tiranës. Në dhjetor 2020, Ziguri u komandua si inspektore në institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.