Analize29 Apr 2021

KPK vlerësoi të ligjshme “apriori” burimet e pasurive të gjyqtares Iliba Bezati

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rrëzoi si të paprovuar një raport të DSIK-së kundër gjyqtares Iliba Bezati, ndërsa arsyetoi se ajo nuk mbante përgjegjësi mbi ligjshmërinë e burimit të të ardhurave të vjehrrës që kishin shërbyer si burim kryesor i pasurisë së saj.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja Iliba Bezati | Foto : Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 1 mars 2021 të konfirmojë në detyrë gjyqtaren e Apelit Vlorë, Iliba Bezati, pasi rrëzoi dy raporte negative të institucioneve ndihmëse ndaj saj për pasurinë dhe figurën. KPK po ashtu vlerësoi se në 32 denoncime nga publiku dhe nga mediet për shpalljen të pafajshëm apo lehtësimin e pozitave të zyrtarëve të akuzuar apo të pandehurve për vrasje, nuk gjendeshin probleme ose ato nuk ishin objekt i vetingut.

Në vendimin e arsyetuar, Komisioni arsyeton se gjyqtarja Bezati kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, si dhe nivel kualifikues për profesionalizmin. “Bazuar në provat që disponon në vlerësimin e çështjes në tërësi, si dhe në bindjen e brendshme, trupi gjykues arrin në konkluzionin që subjekti i rivlerësimit, znj. Iliba Bezati, duhet të konfirmohet në detyrë”, thuhet në vendimin e KPK-së.

Rivlerësimi për gjyqtaren Bezati u krye nga trupi gjykues i kryesuar nga Olsi Komici, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Brunilda Bekteshin.

Iliba Bezati e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 dhe ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Vlorës deri në vitin 2005. Ajo punon si gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Vlorës prej 15 vitesh.

Burimet e ligjshme

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, ka konstatuar se gjyqtarja Iliba Bezati kishte kryer deklarim të pasaktë dhe jo në përputhje me ligjin për pasurinë; se nuk ka pasur burime financiare të ligjshme për justifikimin e tyre; se ka kryer fshehje e deklarim të rremë dhe se bashkëshorti i saj ka përfituar të ardhura në kushtet e konfliktit të interesave.

Por në arsyetimin e saj KPK i ka rrëzuar të gjitha këto pretendime.

Për një apartament banimi me sipërfaqe 82 m2 në Vlorë të blerë në vitin 2002 për çmimin 1,9 milion lekë, gjyqtarja Bezati ka shënuar në deklaratën veting se vlera e kësaj pasurie është 6 milionë lekë, duke shpjeguar se ka kryer edhe investime shtesë për blerjen e materialeve hidroasanitare, pllakave dhe pajisjeve të mobilimit për shumën totale 4.1 milionë lekë. KPK në fund e ka cilësuar të rregullt këtë kontratë, bazuar kryesisht në kontrata të ngjashme shitblerje të depozituara nga Bezati.

Njësoj KPK ka vlerësuar burimin e  krijimit të kësaj pasurie, që kryesisht bazohej mbi një dhurim të prindërve të bashkëshortit dhe kursimet familjare.

Dyshimet se për të ardhurat e prindërve të bashkëshortit, kryesisht shit-blerje e pronave të trashëguara nga vjehrra, nuk provohej të ishin paguar tatimet, u përmbysën nga KPK me një arsyetim të tërthortë.  Komisioni arsyetoi se tatimet duhej të ishin paguar, pasi pronat ishin rregjistruar në kadastër dhe se për rregjistrimin në atë kohë duhej që pas shit-blerjes të paguhej edhe tatimi. Por në mënyrë kontradiktore me këtë arsyetim KPK vendosi edhe të zbresë nga të ardhurat e vjehrrës 3 për qind, shumë që i takonte tatimit për transaksionet me tokën.

Gjithashtu KPK shkarkoi gjyqtaren nga përgjegjësia, duke arsyetuar se ajo nuk kishte përgjegjësi mbi veprimet e personave të lidhur.  “Trupi gjykues çmon se nuk gjenden elemente konkrete që mund të passjellin ndonjë përgjegjësi të subjektit të rivlerësimit, si sa i takon ligjshmërisë së burimeve ashtu edhe për sa i përket kryerjes së veprimeve juridike e financiare, si dhe deklarimin e tyre për këtë pasuri”, thuhet në arsyetim.

Në përfundim të hetimit paraprak, KPK vlerësoi se Bezati dhe personat e tjerë të lidhur kanë pasur mundësi në vitin 2002 për blerjen e kësaj pasurie me burime financiare të ligjshme, ndonëse nuk ka rezultuar e provuar pagesa e tatimit mbi të ardhurat prej shitjeve të pasurive të paluajtshme nga ana e vjehrrës së saj.

Për një apartament tjetër banimi me sipërfaqe totale 121.6 m² në Tiranë, të porositur më datë 7 nëntor 2005 kundrejt çmimit total 60 mijë e 800 euro, Bezati ka deklaruar si burim krijimi shumën 1 milion lekë të përfituar nga shitja e pjesës takuese së një banese së privatizuar; 2,7 milionë lekë dhuratë nga prindërit e bashkëshortit dhe 30 mijë euro të marra hua nga shtetasi J.H.

Nga hetimi ka rezultuar se shtëpia e përfituar nëpërmjet privatizimit, është shitur 44 ditë pasi është blerë apartamenti në Tiranë dhe pas kryerjes së pagesës fillestare në vlerën 60 mijë euro.

Bezati ka pretenduar se shtëpia ishte shitur në fund të muajit tetor 2005. Lidhur me konstatimin për nënshkrimin e kontratës në muajin dhjetor 2005, ajo është mbrojtur duke deklaruar se e ëma kishte pasur pamundësi shëndetësore nga gjymtyrët për të lëvizur për të lidhur kontratën e shitjes para noterit në momentin kur ishte kryer faktikisht.

Komisioni, përndryshe sa ka bërë në raste të ngjashme kur është bazuar vetëm mbi kontratat,  vëren këtu se Bezati ka provuar gjendjen e rënduar shëndetësore të nënës dhe është bindur nga deklarimet e saj. Gjithashtu, trupi gjykues i KPK argumenton se nëna e subjektit ka pasur mundësi t’i jepte shumën 1 milion lekë në momentin kur ajo pretendon.

Në vendim nuk evidentohen probleme penalizuese edhe për burimet dhe pasuritë e tjera që zotëron familja e gjyqtares Iliba Bezati.

Komisioni analizon në vendim edhe një konstatim të ILDKPKI-së, në të cilin është cituar ekzistenca e konfliktit të interesit për shkak se bashkëshorti i subjektit ka qenë pedagog me kohë të plotë në Universitetin e Vlorës, ndërkohë që ka realizuar të ardhura edhe si i punësuar si drejtor shitjesh në një subjekt privat.

Komisioni konstaton se bashkëshorti i subjektit nuk është subjekt deklarimi dhe se nuk rezulton që pozicioni akademik si pedagog të ketë funksion vendimmarrës në këtë universitet. Gjithashtu, vërehet se nuk ekziston ndonjë kufizim ligjor për dy punësimin.

Nga analiza financiare e rishikuar në bazë të pretendimeve të subjektit, balanca 1,1 milionë lekë e konstatuar fillimisht, është reduktuar në shumën 607 mijë lekë. Trupi gjykues çmon se balanca negative është minimale dhe e shpërndarë në vite dhe se nuk mund të përbëjë shkak të mjaftueshëm për aplikimin e masës së shkarkimit nga detyra.

Profesionalizmi dhe figura

Në vendimin e KPK analizohen dhjetra çështje të gjykuara nga gjyqtarja Bezati, ku 32 janë denoncuar nga publiku dhe mediet.

Komisioni ka verifikuar një vendim të Gjykatës së Apelit Vlorë ku Bezati ka qenë anëtare e trupit gjykues, që është cënuar nga Gjykata e Lartë. Gjykata e Apelit Vlorë ka ndryshuar një masë sigurie “arrest në burg” të vendosur nga shkalla e parë ndaj një personi të akuzuar për “pastrim të produkteve të veprës penale”, duke e lënë në “detyrim paraqitje”. Pasi prokuroria ka ushtruar rekurs, Gjykata e Lartë e ka vlerësuar të pabazuar në ligjin procedural këtë vendim të Apelit.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e ka vlerësuar të drejtë vendimin e shkallës së parë duke mbajtur parasysh edhe faktin se pas dhënies së këtij vendimi, personi nën hetim M. Rr. i është shmangur procedimit penal, duke u larguar në drejtim të paditur.

Bezati ka deklaruar se nga aktet procedurale të Gjykatës së Lartë konstatohet se vendimi për deklarimin e ikjes përmendet vetëm në fjalën e prokurorit të Prokurorisë se Përgjithshme para Gjykatës së Lartë dhe nuk është i administruar në dosje. Ajo ka pretenduar se shkaku i evidentuar nga Gjykata e Lartë nuk lidhet me zbatimin e ligjit, por me vlerësimin e një rrethane që nuk i është nënshtruar fare hetimit gjyqësor.

Trupi gjykues i KPK çmon se nuk kanë rezultuar probleme lidhur me veprime apo mosveprime të subjektit të rivlerësimit që mund të ngrinin dyshime të mbështetura mbi shkelje procedural apo cënim të etikës së gjyqtarit.

Në vendimin e KPK trajtohet një investigim i kryer nga BIRN lidhur me dy vëllezër të akuzuar për shfrytëzimin për prostitucion dhe vrasjen barbare të një 24-vjeçareje në shkurt të vitit 1998, një prej të cilëve u shpall i pafajshëm nga një trupë gjyqësore e Apelit Vlorë, ku Bezati ishte në cilësinë e anëtares.

Komisioni analizon argumentet me të cilët Apeli Vlorë ka dhënë pafajësi për një prej të akuzuarve, Shpëtim Çilotajn. Sipas trupit gjykues ku ka bërë pjesë edhe Bezati, dijenia apo shoqërimi i shpeshtë i viktimës për në shtëpinë publike nga Shpëtim Çilotaj nuk përbën provë për ta akuzuar për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese.

Gjithashtu, Apeli ka rrëzuar edhe akuzën e vrasjes duke vlerësuar se shkalla e parë nuk ka përcaktuar nëse i pandehuri ka qenë pa ndërprerje në banesë në darkën kur ka ndodhur ngjarja.

Komisioni në vendim e konsideron këtë si çështje themeli dhe jashtë kompetencave të tij, ndërsa arsyeton se nuk ishte gjetur shkelje procedurale dhe s’kishte dyshime për favorizim.

Ndërkohë njëlloj si në seancën dëgjimore edhe në vendimin e zbardhur KPK pretendon se ka gjetur gabim në shkrimin e BIRN në lidhje me një shumë prej 1 milion lekësh të paguar si garanci pasurore nga Çilotaj dy javë pasi ai ishte arrestuar në vitin 2004.

Komisioni shprehet se në vendimin e Gjykatës së Apelit të  Vlorës në vitin 17 shtator 2008 “nuk rezulton të këtë informacion lidhur me lënien të lirë të shtetasit Sh. Ç., kundrejt garancisë prej 1,000,000 lekësh, sikurse shprehet BIRN në artikullin e botuar”.  Në fakt referenca në shkrim mbi  garancinë pasurore i përket një vendimi për masë sigurie të vitit 2004 dhe jo vendimit të themelit të vitit 2008.

Me të njëjtat argumente në vendimin e KPK analizohet edhe lajmi i publikuar në televizionin Ora News për shpalljen të pafajshëm të ish-kryetarit të Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjikaj, të akuzuar për falsifikim të dokumenteve për ndërtimin e një pallati 11-katësh në qendër të qytetit bregdetar.

Komisioni vlerëson se gjyqtarja Bezati dhe kolegët e saj kanë vepruar në përputhje me procedurat përkatëse edhe për lehtësimin e masës së sigurisë ndaj Taulant Malajt, një të akuzuari për vrasje me dashje, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”, ngjarje e publikuar në median online Newsbomb.

Edhe një denoncim i gazetës “Sot” për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” të një të akuzuari për “armëmbajtje pa leje” dhe “prodhim e shitje e armëve luftarake”, i cili u arrestua pas atentatit ndaj tij, është gjetur pa probleme.

Gjyqtarja Bezati ka qenë kryesuese e trupit gjykues të Apelit Vlorë që ka pushuar më 15 qershor 2010 çështjen në ngarkim të kryetarit të bashkisë Himarë, Vasil Bollano i cili akuzohej për “shpërdorim të detyrës”. Bezati dhe kolegët e saj kanë vlerësuar se vendimi i shkallës së parë ka qenë rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit dhe vlerësimit jo të drejtë të provave dhe fakteve, pasi veprimet dhe mosveprimet e Bollanos nuk përbënin vepër penale. Në vendim evidentohet se Gjykata e Lartë ka vendosur të mos e pranojë rekursin kundër këtij vendimi të Apelit.

Sipas Komisionit, pretendimet e ngritura në denoncimet mediatike kanë të bëjnë me shqyrtimin dhe themelin e çështjes, gjë që është në tejkalim të kompetencës lëndore të institucionit të vetingut. Gjithashtu, theksohet se nuk janë vërejtur shkelje proceduriale, favorizimeve të palëve ndërgjyqëse apo cënim i etikës së gjyqtarit nga ana e Bezatit.

KPK ka rrëzuar si të pabazuar edhe raportin përfundimtar të Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, DSIK që ka konstatuar papërshtatshmërinë e gjyqtares Bezati për vazhdimin e detyrës. “Nga dosjet në fjalë nuk u konstatua ndonjë shkelje apo arsyetim i pabazuar që të mund të konfirmonte në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ekzistencën e ndonjë favorizimi të kryer nga subjekti i rivlerësimit në favor të personit të pandehur të cituar”, thuhet në vendim.