Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kallëzoi të mërkurën në prokurori 76 komisionerë dhe numurues në zgjedhjet parlamentare të e 25 qershorit, të akuzuar se kanë falsifikuar materialin zgjedhor.
“Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në zbatim të nenit 20, 23 dhe 168 të Kodit Zgjedhor, nenit 281 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenit 326 të Kodit Penal të Shqipërisë, vendosi të bëjë kallzim penal për 76 anëtarë dhe numërues të parë të grupeve të numërimit,” tha në një koferencë për shtyp zëdhënësja e KQZ-së Drilona Hoxhaj.
“Në bazë të provave që KQZ administron, 76 komisionerët zgjedhorë të nivelit të tretë kanë konsumuar elementë të veprës penale të parashikuar nga neni 326 i Kodi Penal, për falsifikimin e materialit zgjedhor dhe rezultatit të zgjedhjeve,” shtoi ajo.
Partia Socialiste doli fituese në zgjedhje parliamentare duke siguruar 74 ulëse në parlamentin e ardhshëm prej 140 deputetësh.
Sipas KQZ-së shkeljet e pretendruara të komisionerëve dhe anëtarëve te grupeve të numurimit u zbuluan pas dy ankimimeve të paraqitura nga PDIU dhe PS, të cilat kërkuan rinumërimin e rivlerësimin e votave për 64 qendra votimi në qarkun e Tiranës, me pretendimin se numri i votave reale nuk përputhej me rezultatin e hartuar nga Grupet e Numërimit në tabelat e qendrave të votimit.
KQZ administroi dokumentacionin zgjedhor të këtyre kutive dhe bëri rinumurimin e votave të hedhura, duke arritur në përfundimin se në 24 qëndra votimi rezultati ishte i ndryshëm nga ai nxjerrë nga grupet e numurimit.
“Anëtarët e grupeve të numërimit që kanë numëruar votat për këto qendra, kanë shënuar në tabelën e rezultatit numër më të vogël votash për disa subjekte dhe numër më të madh votash për disa subjekte të tjera, krahasuar me numrin real të votave qe u gjendën në kutinë e votimit,” tha KQZ.
“Në këtë mënyrë rezultati i qendrës së votimit nuk pasqyronte rezultatin real, të cilët zgjedhësit e këtyre qendrave kanë shprehur nëpërmjet votimit, duke favorizuar disa subjekte zgjedhore,” shtoi Komisioni.
KQZ nënvizoi që ndryshimet e konstatuara në tabelat e rezultatit janë në një masë të tillë që nuk sjellin pasoja në rezultat apo në pavlefshmërinë e zgjedhjeve në zonë zgjedhore.
“Rinumërimi i votave tregoi se veprimtaria e numëruesve inkurajohet nga subjektet zgjedhore, të cilat janë po aq fajtore sa numëruesit për sa kohë pranojnë rezultate fiktive,” tha KQZ.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën thirrje prokurorisë që të hetojë dhe të çojë përpara drejtësisë shkelësit e ligjit,” përfundoi Komisioni.