Agim Kajmaku arriti të zgjidhet në qershor të këtij viti kryebashkiak i Vorës me 100% të votave të vlefshme. Të premten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë rezultatin e verifikimit të pastërtisë së figurës, gjë që pritet të sjellë shkarkimin e tij nga detyra.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi të mërkurën se do të shqyrtojë në një mbledhje rezultatin e verifikimit të pastërtisë së figurës së kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku, shqyrtim që pritet të sjellë shkarkimin e tij nga detyra. Sipas KQZ, mbledhja pritet të bëhet të premten në orën 10. KQZ aktualisht përbëhet nga pesë anëtarë, katër nga të cilët janë propozuar nga Partia Socialiste.
Agim Kajmaku i denoncua fillimisht nga Partia Demokratike më 26 gusht si person që ka gënjyer në formularin e pastërtisë së figurës së firmosur prej tij, ndërsa është zgjedhur kryebashkiak ndërkohë që ishte person i shpallur në kërkim ngë Greqi.
Kajmaku fillimisht hodhi poshtë denoncimin si të pavërtetë. “Unë s’jam arrestuar dhe s’jam dënuar në Greqi po kam bërë punë me emër tjetër si gjithë shqiptarët,” deklaroi ai në 27 gusht në Facebook.
Nga ajo kohë, Kajmaku, 48 vjeç, ka heshtur mbi problemin ndërsa Prokurorisë së Përgjithshme iu deshën disa muaj për të kryer procedurën e verifikimit. Sipas saj, Kajmaku ka përdorur edhe emrin Jorgo Toto në Greqi, me të cilin është arrestuar në Greqi, para se të arratisej nga drejtësia greke në vitin 2004.
Vepra penale për të cilën Kajmaku është akuzuar në Greqi, përdorimi i monedhave të falsifikuara, nuk përfshihet në listën e veprave penale që e ndalojnë një person të garojë për poste publike në Shqipëri, por mosdeklarimi i këtij fakti përbën njëkohësisht arsye për shkarkimin e tij nga detyra dhe vepër penale “falsifikim dokumentesh”.
Kajmaku është kryebashkiaku i dytë i zgjedhjeve të 30 qershorit që kapet nga ligji i Dekriminalizimit. Më herët, i zgjedhuri si kryebashkiak i Shkodrës, Valdrin Pjetri, u detyrua të tërhiqet nga marrja e mandatit për shkak se iu zbulua një arrestim në Itali për trafik droge. Para se të tërhiqej, Pjetri e pati konsideruar akuzën si “baltosje”, duke huazuar një term të shumëpërdorur nga socialistë të tjerë si ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi, i cili u shkarkua gjithashtu si pasojë e ligjit të dekriminalizimit.
Partia Demokratike ka denoncuar në shtator edhe një kryebashkiak të tretë socialist, Mark Babani, i cili aludohet se është arrestuar në Sicili për vjedhje makinash. Babani ka mohuar akuzat duke paralajmëruar edhe një denoncim penal për shpifje.
Fati i qeverisjes së bashkive Shkodër dhe Vorë pas kësaj mbetet i paqartë. Nën procedura normale, Presidenti i Republikës duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme për kryebashkiak, por Presidenti Meta nuk njeh si të ligjshme zgjedhjet e 30 qershorit dhe ka deklaruar se nuk ka në plan të shpallë zgjedhje të parakohshme.