Lajm11 Feb 2019

KQZ ndan 190 milionë lekë fonde për zgjedhjet vendore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi shpërndarjen e grantit për partitë politike për financimin e fushatës për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, ku Partia Socialiste është përfituesja më e madhe.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Komisionere, gjatë numërimit të fletëve të votimit, për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, në Komisionin e Zonës së Administrimit Zgjedhor, KZAZ 35, në njësinë nr. 5, në Tiranë | Foto nga : LSA

KQZ mori vendimin për shpërndarjen e fondeve të hënën më 11 shkurt 2019. Sipas njoftimit për shtyp, Partia Socialiste do të marrë afro 86 milionë lekë ose 45% të fondit ndërsa Partia Demokratike do të marrë 52.8 milionë lekë e LSI, 27.2 milionë.

Nga përfitueset e fondeve këtë vit janë edhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet me 10.1 milionë lekë, Partia Socialdemokrate e Shqipërisë me 7.3 milionë dhe Lista e Barabartë me 6.5 milionë lekë.

Shpërndarja e fondit reflekton numrin e votave të marra nga partitë politike në zgjedhjet paraardhëse. Sipas Kodit Zgjedhor, paratë i përfitojnë vetëm partitë që kanë marrë më shumë se sa 0.5% të votave në zgjedhjet paraardhëse.

Lista:

  • Partia Socialiste e Shqipërisë – 86.065.992 lekë
  • Partia Demokratike e Shqipërisë – 52.808.975 lekë
  • Lëvizja Socialiste për Integrim – 27.160.224 lekë
  • Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet – 10.107.290 lekë
  • Partia Socialdemokrate e Shqipërisë – 7.286.685 lekë
  • Lista e Barabartë – 6.570.833 lekë