Blog11 Dec 2020

Krahasimet me heroizma historike e bëjnë dhunën edhe më të pakuptimtë

Ministri i Brendshëm i dorëhequr, Sandër Lleshaj e krahasoi veten me Patër Anton Harapin. Por të rinjtë që protestuan me gurë ndaj policisë gjatë këtyre ditëve, si dhe policët që barbarisht rrahën njerëz dhe hodhën gaz lotsjellës, ka gjasa që kanë nevojë të mësojnë se kush ishte Anton Harapi dhe pse, krahasimi heroik që Lleshaj i bëri vetes, është në thelb banal dhe aspak ndihmues për kohën në të cilën jetojmë.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Një protestues duke sulmuar policinë në Tiranë më 10 dhjetor 2020. Foto: LSA

Ministri i Brendshëm i dorëhequr, Sandër Lleshaj përdori një dozë jo të vogël letrarizmash në deklaratën e dorëheqjes të publikuar në Facebook, dhe jo më pak përdori letrarizma edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa u përpoq të mbronte veten nga akuzat se e ka politizuar Policinë e Shtetit dhe administratën civile të Ministrisë së Brendshme, dhe se policia është transformuar në një forcë që pëlqen të tregojë dhëmbët kërcënueshëm ndaj qytetarëve, duke kultivuar klimën e mosbesimit.

Por ishte krahasimi heroik që Lleshaj i bëri vetes me Patër Anton Harapin, ajo që mendoj se nuk duhet të kalohet pa u vënë re.

Lleshaj shkroi: “U gjenda përpara dilemës që kishte përjetuar Patër Anton Harapi, kur pranoi të merrte një post të lartë shtetëror në vitin e mbrapshtë 1943. Dilema e prelatit të madh në ato kohë të tmerrshme ishte: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë; ase të tregoj nji dobsí tue u largue.”

Jo shumë vetë në Shqipëri e dinë se për çfarë bëhet fjalë. Ma ha mendja që të rinjtë që i gjuanin me gurë policisë apo të rinjtë dhe të rejat që ishin në mes të turmës dhe që dekonspironin veten se ishin policë me rroba civile kur kryenin ndonjë arrestim kaçakçe, plus forcat speciale me skafandra dhe shkopinj gome që demonstruan gatishmërinë për dhunë brutale, këta të gjithë vështirë se ia kanë haberin dilemës së Anton Harapit.

Por që kjo dilemë kujtohet me nostalgji dhe me admirim nga një gjeneral dhe ministër i Brendshëm i Shqipërisë, që ka shërbyer për një parti që, në fund të fundit, është trashëgimtare e partisë që dënoi me vdekje dhe e ekzekutoi Anton Harapin si bashkëpunëtor të lartë të nazizmit, kjo duket se tregon njëkohësisht një dozë banaliteti dhe situate qesharake.

Anton Harapi ishte një letrar i lëvduar anë e mbanë Shqipërisë së viteve ’30, i cili, në vitin 1943 pranoi të shërbejë si regjent i qeverisë kukull të ndërtuar nga nazistët gjermanë në Shqipëri. Ai e mbrojti vendimin për të bashkëpunuar me nazistët në një fjalim elokuent, i cili u botua në revistën Hylli i Dritës të shkurtit 1944. (Kushdo që do të thellohet në argumentet e Harapit mund ta lexojë fjalimin e tij në variantin dixhital të revistës të publikuar në Bibliotekën Kombëtare.)

Harapi shpjegon se e pranoi postin, pasi vendi kishte shumë muaj pa qeveri, po zhytej në kaos e pasiguri dhe se kishte nevojë për një qeveri e autoritet. Kjo ishte koha kur ushtria italiane kishte kapitulluar dhe forcat gjermane po i zëvendësonin në Shqipëri e Greqi. Ishte koha kur njerëzit ngryseshin fashistë dhe zgjoheshin komunistë dhe anasjelltas. Ishte kohë vëllavrasjesh në emër të idealeve për një parajsë komuniste ose fashiste dhe kur demokracia, vështirë se ishte në axhendën e ndokujt.

“Me pranue nji zyre të tillë dote me thanë me vû vetin shenj pushke mënís së shumëkujt,” thotë Harapi në fjalim, gjë që në kontekstin e tij ishte tërësisht e vërtetë. Por a mundet të na thotë Lleshaj se në shënjestrën e cilës pushkë e ndjente veten ai kur u bë ministër? Për aq sa ne dimë, se ndoshta Lleshaj ka ndonjë informacion më të thelluar për ekzistencën e ndonjë grupimi milicie fashiste apo atentatorësh komunistë, sot për sot vendi nuk rrezikohet nga kjo punë dhe problemet e vendit janë korrupsioni politik dhe krimi i organizuar, që lulëzon nën hijen e korrupsionit politik.

Anton Harapi u përball me krizën më të rëndë dhe ndoshta të vetme të karrierës së tij të shkurtër si politikan vetëm tre javë pasi mbajti fjalimin. Një masakër u krye në Tiranë më 4 shkurt 1944, ku një numër i papërcaktuar shqiptarësh (shifrat variojnë nga 24 në 86), u rrëmbyen në shtëpitë e tyre dhe u ekzekutuan pa gjyq. Sipas At Zef Pllumit, mes të vrarëve ishte edhe sekretari i Anton Harapit. Ky ishte argumenti me të cilin Anton Harapi u dënua me vdekje dhe u ekzekutua nga gjyqi i partizanëve në vitin 1946.

A mos vallë Lleshaj e ndjen veten në të njëjtat dilema të tmerrshme si ato të zhvilluara në mes të një lufte botërore?

Pjesa tjetër e fjalimit të tij sugjeron se në fakt, jo. Ai rrëshqet nga krahasimet e paqëlluara me dilema të mëdha, te retorika e rëndomtë e politikës së ditës, se si ai dhe partia e tij janë ku e ku më mirë se sa paraardhësit. Dhe kjo e bën fjalimin e tij sa të pavend, aq edhe komik.

Megjithatë, krahasimet me heroizma duket sikur shërbejnë në një farë mënyre për të justifikuar një qëndrim agresiv dhe vetëportretizim si hero që po mbron institucionet dhe natyrisht që mbështet dhunën policore, me ose pa vend, kundër qytetarëve.

Problemet e Shqipërisë sot janë shumë më të thjeshta se sa ato të vitit 1944. Vendi ka nevojë për shtet të së drejtës, ose sundim ligji, siç quhet në një formë tjetër, për një qeveri të kufizuar dhe të kontrolluar nga një gjyqësor i pavarur, procedurë administrative të thjeshtë dhe aspak heroike.

Ka nevojë për gjëra që janë akoma më elementare, si fjala vjen, administratë civile profesionale, që Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë të jetë, siç e kërkon ligji, një zyrtar karriere i ministrisë dhe jo një militant partiak në ditën e tij të parë të punës në administratë. Natyrisht, heroizmi i vetëm që kërkohet sot është respekti i të drejtave themelore të njeriut.

Fakti që më 1 janar 2020, kur Sandër Lleshi ishte ministër, një shtetas turk, Harun Çelik, u rrëmbye në Tiranë dhe u ekstradua në Turqi kur dihej botërisht se të drejtat e tij themelore ishin të rrezikuara, si dhe fakti që Lleshaj refuzoi të shprehë ndonjë brengë pasi mësoi si ne të tjerët se Çelik u arrestua në Turqi për shkak të përkatësisë së tij politike, kjo e gjitha tregon se ai nuk është hero.