Volumi i kredive të këqija në sistemin bankar pësoi një rritje tjetër në muajin prill, duke arritur në 20 për qind të totalit të portofolit, duke pasqyruar vështirësitë ekonomike në rritje.
Përkundër shpresave për reduktim të kredive të këqija dhe rigjallërim të kreditimit në ekonomi, përqindja e kredive të këqija në portofolin e kredive të bankave pësoi një rritje të re në prill 2016, muaji i pestë rradhazi me përkeqësim, duke sugjeruar se planet e qeverisë për të përmirësuar situatën ekonomike të vendit nuk po ecin siç shpresohej.
Të dhënat statistikore të publikuara nga Shoqata e Bankave tregojnë se kreditë e këqija arritën në 20 për qind në prill nga 19.3 për qind në mars, ndërkohë që totali i kreditimit në ekonomi shënoi një rritje të papërfillshme.
Kreditë e këqija përfshijnë kreditë të cilat janë ndërprerë së paguari prej muajsh.
Gjatë vitit të kaluar, rregullat e reja të imponuara nga Banka e Shqipërisë detyruan bankat të fshijnë nga portofoli i kredive një pjesë të kredive të këqija që kishin vite që nuk pagueshin, duke i detyruar bankat efektivisht të pranojnë humbjet nga këto kredi. Për rrjedhojë, përqindja e kredive të këqija në totalin e portofolit ra nga 22.8 për qind që qe në janar 2015 në 18.2 për qind në dhjetor. Por nga janari 2016, kreditë e këqija filluan të rriten sërish, duke shënuar nivelin më të lartë këtë vit në prill dhe duke treguar se kriza e kredive të këqija, e cila besohet se po mban peng kreditimin në tërësi dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë, është larg të qenit e zgjidhur.
Bankat i klasifikojnë kreditë në pesë kategori të mëdha: Kredi standarde, kredi me vonesa, kredi nënstandarde, kredi të dyshimta dhe kredi të humbura. Kredia e keqe përbëhet nga tre kategoritë e fundit.
Aktualisht, 74 për qind e portofolit të kredive janë standarde ndërsa 6.5 për qind kanë kredi me vonesa, të cilat në të ardhmen mund të rikthehen në kredi standarde ose të bien në kredi të këqija.
Aktualisht interesat e kredive të ofruara nga bankat janë në nivelin më të ulët historik. Për muajin prill, interesi mesatar i kredive të reja në lekë qe 6 për qind nga 8.9 për qind që qe në prill 2015, duke shënuar kështu një rënie të konsiderueshme. Interesi i kredive të reja në euro qe 5.5 për qind nga rreth 6 për qind që qe një vit më parë. Pavarësisht rënies kaq të fortë të interesit të kredive, aktualisht nuk ka shumë kërkesa për kredi dhe portofoli i kredive të bankave është në rënie.
Problemet e stërmëdha të kredive të këqija nuk kanë shkaktuar ndonjë problem për shëndetin e bankave. Fitimi i sistemit bankar për periudhën katërmujore janar-prill 2016 qe 2.2 miliardë lekë, (rreth 16 milionë euro).
Nga ana tjetër, totali i depozitave në sistemin bankar qe 1.1 trilionë lekë në prill 2016, (7.9 miliardë euro), duke shënuar një rritje minimale prej 2.2 për qind në krahasim me një vit më parë. Nga këto, depozitat e kompanive u rritën me gati 10 për qind ndërsa depozitat e konsumatorëve u rritën me vetëm 1 për qind.