Kredia e keqe në sistemin bankar shqiptar ka rënë në 15.9 për qind të totalit në maj 2017, nga 19.5 për qind që qe në maj 2016, megjithatë, vrojtimi për aktivitetin kreditues i Bankës së Shqipërisë tregon se standardet që bankat zbatojnë për dhënien e kredive kanë mbetur “thuajse të pandryshuara” dhe pritshmëritë nuk janë optimiste.
Kriteret që zbatojnë bankat për dhënien e kredisë në ekonominë shqiptare mbetën “pothuajse të pandryshuara” në tremujorin e dytë të këtij viti, ndërsa pritshmëritë e bankierëve për tre muajt në vijim nuk japin shpresa për përmirësim, bëri të ditur raporti i Bankës së Shqipërisë “Vrojtimi për Aktivitetin Kreditues” i publikuar së fundmi. [Link raporti]
Vrojtimi mbi Aktivitetin Kreditues hartohet për të matur sjelljen e bankave në një numër treguesish, si: perceptimi për kërkesë për kredi, gadishmëria e bankave për të dhënë kredi me interesa dhe kushte të caktuara etj. Raporti publikohet një herë në tre muaj. Raporti i muajit korrik reflekton përgjigjet e mbledhura nga vrojtimi i realizuar në fund të muajit qershor.
“Rezultatet e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues për tremujorin e dytë të vitit 2017 tregojnë se standardet e kredisë për bizneset mbeten pothuajse të pandryshuar nga tremujori i kaluar, ndërsa standardet e kredisë për individë janë lehtësuar”, thuhet në raport.
Bankat patën një portofol kredie prej 4.4 miliardë eurosh në fund të muajjit maj sipas statistikave të Shoqatës së Bankave, nga të cilat, 72 për qind i janë dhënë bizneseve dhe 28 për qind i janë dhënë individëve dhe familjeve.
Sipas raportit, bankat kanë si faktorë nxitës për të dhënë më shumë kredi konkurrencën në tregun e kreditimit dhe disponimin e likujditeteve të lira për t’u kredituar, por në anën negative, bankat ngurrojnë të japin kredi për shkak të vijimit të problemit të kredive të këqija si dhe për shkak të gjendjes [së vështirë] makroekonomike.
Bankat raportojnë gjithashtu se në tremujorin e dytë të këtij viti, (muajt prill, maj dhe qershor), kërkesa e bizneseve për kredi mbeti e pandryshuar ndërsa individët kanë rritur kërkesën për kredi konsumatore por jo për blerje banese.
Bankat presin gjithashtu që për muajt në vijim “shtrëngim të standardeve të kreditimit për individët, ndërsa standardet e kredisë për bizneset pritet të mbeten të pandryshuara”.
Shqipëria ka vite që lëngon nën peshën e kredive të këqija, të cilat pengojnë rritjen e kreditimit dhe të ekonomisë. Bankat kanë hasur vështirësi të vazhdueshme në rekuperimin e kredive të humbura përmes likujdimit të kolateraleve ndërsa Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa masa administrative përmes të cilave bankat janë detyruar të fshijnë nga bilancet kreditë e pakthyera prej vitesh, gjë që ka sjellë edhe pakësim të raportit të kredive me probleme kundrejt portofolit të kredisë. Portofoli i kredisë ndërkohë ka mbetur thuajse i pandryshuar.