Lajm10 Jun 2019

Kreu i Apelit të Shkodrës, Fuat Vjerdha shkarkohet pas dy seancash në KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra të kryetarit të Gjykatës së Apelit Shkodër, ndërsa ky i fundit deklaroi se “dilte kryenaltë nga salla”.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i Gjykatës së Apelit Shkodër. Fuat Vjerdha | Foto nga : LSA

Pas dy seancash dëgjimore dhe një hetimi të dytë për kriterin profesional, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të hënën të shkarkojë nga detyra kryetarin e Gjykatës së Apelit të Shkodrës, Fuat Vjerdha.

Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e drejtuar nga Olsi Komici, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Pamela Qirko, ndërsa Vjerdha e priti me qetësi shpalljen e tij.

“Dal kryenaltë nga kjo sallë, ta bëjnë si të duan vetingun,” deklaroi ai.

Kryetari i Gjykatës së Apelit të Shkodrës u përball dy herë në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, më 6 maj dhe më 7 qershor. Gjatë vlerësimit të pasurisë, KPK konstatoi probleme të vogla me deklarimin e pasurisë dhe mungesë burimesh të ligjshme prej 1.6 milionë lekësh.

Rihapja e hetimeve për kriterin profesional duket se e rëndoi pozitën e Vjerdhës, pasi KPK mori në shqyrtim lehtësimin e akuzave për Sokol Mjacajn në vitin 2010 dhe dy denoncime nga publiku.

Relatori i çështjes theksoi se Apeli e kishte ndryshuar dënimin e Mjacajt nga 10 vjet burg që kishte vendosur shkalla e parë, në 4 vjet heqje lirie. Pak kohë pasi ky shtetas doli nga burgu, ai ekzekutoi dy turistë çekë në Prekal të Dukagjinit.

Vjerdha e mbrojti procesin në Apel ndaj Mjacajt, duke e quajtur atë model. Ai ngulmoi se Sokol Mjacaj nuk kishte qenë bashkëpunëtor vrasjen e vitit 2010, ndërsa shtoi se për vrasjen e dy turistëve çekë ai u dënua me burgim të përjetshëm nga një trupë gjykuese ku pjesë kishte qenë edhe vetë.

“Nuk kemi shkelje proceduriale. Kjo çështje është gjykuar edhe në Gjykatën e Lartë”, tha ai në seancën dëgjimore të 7 qershorit.

KPK shqyrtoi gjithashtu dy denoncime nga publiku; e para e bërë nga një avokat për një çështje të vitit 2007 dhe e dyta për një çështje civile. I vendosur përballë pyetjeve për shkelje të mundshme të etikës, Vjerdha i cilësoi të pavërteta të dyja denoncimet.