Lajm2 Sep 2019

Kreu i Gjykatës Administrative të Korçës, Sokol Ibi përballet me vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi probleme me pasurinë modeste të kryetarit të Gjykatës Administrative të Korçës, Sokol Ibi, ndërkohë që ai kundërshtoi analizën financiare dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari Sokol Ibi pas seancës dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Foto: E.Hoxhaj.

Kryetari i Gjykatës Administrative të Korçës, Sokol Ibi u përball të hënën në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese përbëhej nga Olsi Komici kyesues, Xhensila Pine relatore dhe Suela Zhegu anëtare, ndërsa në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Mia Roessingh.

Relatorja e çështjes, Xhensila Pine tha se hetimi administrativ për gjyqtarin Ibi ishte kryer në të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Sipas ILDKPKI, kreu i Gjykatës Administrative të Korçës ka kryer deklarim të saktë dhe ka burime të ligjshme për pasurinë e tij.

Gjatë relatimit, Pine evidentoi pasaktësi në deklarimin e një shtëpie banimi me sipërfaqe 127 m2 të ndërtuar në një truall me sipërfaqe 324 m2 në fshatin Çërravë të Pogradecit, që gjyqtari Ibi e ka blerë nga prindërit në vitin 2002. Sipas Pines, në deklaratën para fillimit të detyrës në vitin 2006 është pasqyruar vetëm shtëpia dhe trualli, ndërsa në deklaratat e mëvonshme është shënuar edhe pasuria tokë.

“Subjekti nuk ka deklaruar një godinë që përdoret si venddepozitim i druve, i ndërtuar nga babai i tij para viteve ’90,” tha relatorja.

Për shit-blerjen e banesës nga babai në vitin 2002, KPK konstaton se figurojnë dy kontrata të së njëjtës datë, të nënshkruara nga e njëjta notere, ku pasqyrohen të njëjtat pasuri, por me vlera të ndryshme, në njërën 100 mijë lekë dhe në tjetrën 145 mijë lekë. Ndërkohë, për një ngastër toke që e ka blerë po nga prindërit e tij, Komisioni ka gjetur se kontrata e shit-blerjes është kryer pa vullnetin e motrës, e cila rezultonte të ishte bashkëpronare.

Relatorja Xhensila Pine u shpreh se për këto gjetje, Komisioni i ka kaluar barrën e provës gjyqtait Sokol Ibi dhe se shpjegimet e tij do të merren parasysh gjatë vlerësimit përfundimtar.

Lidhur me këto konstatime, kryesuesi i seancës, Olsi Komici e pyeti në fund të seancës gjyqtarin Ibi se përse ekzistonin dy kontratat e shit-blerjes së shtëpisë dhe të truallit me vlera të ndryshme dhe nëse ai e kishte përdorur ndonjëherë depon e druve.

Gjyqtari Sokol Ibi deklaroi se nuk kishte qenë në dijeni, as ai dhe as prindërit të kësaj mospërputhjeje.“Kur jemi vënë në dijeni kam pyetur noteren, e cila më ka thënë se ishte një lapsus i saj. Kopja me shifrën e ndryshme është firmosur pa u lexuar nga ana jonë. Nuk ka pasur qëllim apo arsye për shitjen e së njëjtës pasuri 45 mijë lekë më shumë,” tha Ibi para Komisionit.

Më tej ai shpjegoi se depoja e druve, e ndërtuar nga babai i tij para viteve ’90 ishte përdorur vetëm nga i ati dhe se nuk gjendej në truallin në pronësi të tij.

Komisioni ka evidentuar pamundësi për krijimin e dy depozitave bankare me vlerë totale rreth 700 mijë lekë para nisjes së detyrës nga ana e gjyqtarit Sokol Ibi. Për këto depozita, gjyqtari Ibi ka deklaruar si burim të ardhurat e përfituara nga vetëpunësimi në bujqësi dhe bursa e tij si student. Sipas relatores Pine, ka rezultuar që të ketë një bilanc negativ në vlerën 280 mijë lekë lidhur me mundësinë e krijimit të këtyre depozitave.

Gjatë fjalës së tij, gjyqtari Ibi i kundërshtoi rezultatet e analizës financiare për periudhën 1999-2006, para se ai të niste detyrën si gjyqtar. Ai pohoi se të ardhurat nga bujqësia dhe blegtoria ishin përllogaritur vetëm për mundësimin e shpenzimeve të jetesës, ndërsa nuk ishin përfshirë për blerjen e shtëpisë dhe krijimin e depozitave.

Gjyqtari Ibi theksoi se për periudhën 1999-2002, të ardhurat e tij nga vetëpunësimi në bujqësi janë përllogaritur 280 mijë lekë, edhe pse ato ishin më të mëdha. Ai shtoi se në vitet 2004 e 2005 nuk kishte kryer asnjë arredim ashtu si është pasqyruar në analizën financiare. “Kam pasur të ardhura të ligjshme për krijimin e depozitave në vitin 2006, para se të nisja detyrën si gjyqtar”, theksoi ai.

Trupa gjykuese e KPK ngriti dyshime lidhur me përdorimin e një autoveture tip Benz të blerë nga babai në vitin 2008. Pine u shpreh se i ati i subjektit nuk disponon një leje drejtimi dhe janë ngritur dyshime lidhur me qëllimin e blerjes së këtij mjeti, pasi rezulton se është përdorur nga gjyqtari Ibi. Nga analiza financiare, Komisioni ka konstatuar pamundësi financiare të prindërve në vlerën e rreth 161 mijë lekëve për blerjen automjetit në fjalë.

Kjo gjetje u kontestua nga gjyqtari Sokol Ibi, i cili tha se i ati e kishte blerë makinën për t’i shërbyer vetes dhe nënës, pasi të dy janë të sëmurë kronikë dhe se autoambulanca nuk shkonte në zonat rurale.

“Babai e ka blerë makinën që t’i shërbejë vetes dhe nënës. Duke qenë se nuk kishte leje drejtimi, kur kishin nevojë e drejtoja unë mjetin. Është fakt që ata paraqiten rregullisht për të kryer ekzaminime mjekësore. Blerja e makinës së babait është përllogaritur vetëm me të ardhurat nga pensionet e prindërve gjatë vitit 2008. Por ky mjet është blerë me kursimet e viteve të mëparshme,” sqaroi gjqytari Ibi. Ai theksoi se prindërit e tij, por se edhe ai vetë, kishin mundësi financiare ta blinin këtë makinë në atë periudhë.

Kreu i Gjykatës Administrative të Korçës kundërshtoi edhe gjetjen e Komisionit për pamundësi financiare të prindërve në vlerën -427 mijë lekë për krijimin e një depozite në vitin 2011. Ai tha se, ashtu si për blerjen e makinës, edhe për krjimin e kësaj depozite prindërit kanë përdorur kursimet ndër vite, ndërkohë që ai pretendoi se nuk janë përfshirë kursimet dhe shumat që ai u ka dhuruar herë pas here prej pagës, me qëllim që t’i ndihmonte.

“Kërkoj që këto shuma të konsiderohen prej Komisionit si të ardhura për prindërit,” tha gjyqtari Sokol Ibi.  Ibi shtoi se prindërit nuk kanë qenë të detyruar të kryenin deklarime të pasurisë pasi ishte ndarë nga trungu familjar që prej vitit 1999 dhe se kishin pasur ekonomi të ndara. “Kërkoj që në analizën financiare të prindërve të merren parasysh të gjitha kursimet dhe dhurimet”, theksoi ai.

Lidhur me profesionalizimin, Komisioni konstatoi mosrespektimin e afateve në shqyrtimin e disa çështjeve. Ndërkohë, nuk u adresuan problematika të tjera lidhur me këtë kriter.

Pine tha se pranë Komisionit dhe ONM-së kanë mbëritur 8 denoncime nga qytetarët, një prej të cilëve anonim. Ajo shtoi se subjekti ka dhënë shpjegimet e tij lidhur me këto denoncime që do të shqyrtohen para marrjes së vendimit përfundimtar.

Për ankesën anonime, gjyqtari Ibi tha se, ndryshe nga sa pretendon denoncuesi, nuk ka punësuar në administratën e gjykatës që drejton asnjë të afërm apo të njohur.

“E kundërshtoj duke theksuar se gjithçka është bërë konform legjislacionit dhe procedurave përkatëse. Nuk kam asnjë të njohur apo të afërm në administratë. Sekretarja gjyqësore nuk është emëruar prej meje, por me urdhër të Ministrit të Drejtësisë para se të nisja detyrën. Nuk kam lidhje gjinie me shoferin, edhe pse kemi të njëjtin mbiemër,” shpjegoi gjyqtari para trupës gjykuese të KPK-së.

Gjyqtari Sokol Ibi u vlerësua pozitivisht për figurën. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK dhe KPK nuk kanë identifikuar kontakte të papërshtatshme të tij me persona me lidhje me krimin e organizuar.

 Në fund të seancës, gjyqtari Sokol Ibi kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPK do të shpallë vendimin më datë 6 shtator 2019, ora 09:15.