Lajm8 Mar 2019

Kreu i Gjykatës së Tropojës përballet me probleme të pasurisë dhe profesionalizmit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti dyshime për fshehjen e një apartamenti si dhe një borxh prej 20 mijë eurosh në emër të gjyqtarit Dritan Seci, ndërkohë që ky i fundit u mbrojt me argumentin se apartamentin e kishte kthyer mbrapsht dhe se nuk e njihte personin që deklaronte se i ka dhënë borxh.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i Gjykatës së Tropojës, Dritan Seci dhe avokati i tij para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj

Kryetari i Gjykatës së Tropojës, Dritan Seci u përball të premten me probleme të pasurisë dhe të aftësive profesionale në seancën dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ndërkohë që u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Trupa gjykuese e KPK-së kryesohej nga Roland Ilia, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin.

Relatori Komici tha se Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI ka raportuar se gjyqtari Seci kishte kryer deklarim jo të saktë, se nuk kishte burime të ligjshme dhe se kishte fshehje të pasurisë. Rezultate të ngjashme për kriterin e pasurisë duket se nxorri edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Relatori Komici shpjegoi në seancë se hetimi administrative kishte gjetur mospërputhje në deklarime për blerjen e një apartamenti në vitin 2012 në Bajram Curri dhe mungesë burimesh të ligjshme. Për blerjen e një lokali shërbimesh, sërish në qytetin e Bajram Currit si dhe të një apartamenti në Yzberisht të Tiranës, Komisioni nuk ka evidentuar probleme. Por nga hetimi administrativ janë ngritur dyshime mbi aktivitetin e bashkëshortes së Secit si farmaciste dhe të ardhurat e përfituara nga ky biznes vit pas viti, të cilat janë deklaruar disa herë më ulët sesa raportimi i bërë në zyrën e Tatimeve të Kukësit.

Sipas relatorit Komici, gjyqtari Seci ka mospërputhje edhe për blerjen dhe shitjen e një automjeti, ndërkohë që gjatë shtatë viteve të fundit rezultoi se ka përdorur makina të të afërmve të tij.

Komisioni ka gjetur gjithashtu se Seci kishte kontata për pagimin e energjisë elektrike dhe të ujit për një apartament në rrugën e Durrësit, me sipërfaqe 75 m2. Sipas relatorit, Seci ka pretenduar se e kishte përdorur këtë apartament në pronësi të një mikut të tij pa qera dhe se kishte paguar vetëm faturat e ujit dhe të energjisë. Nga hetimi rezultoi se mes tyre është nënshkruar fillimisht një kontratë shit-blerjeje, për të cilën gjyqtari kishte paguar 4 mijë euro.

Sipas Komicit, subjekti i rivlerësimit ka shpjeguar se kur ka rënë në dijeni se kompania në fjalë do të ndërtonte një pallat tjetër, ka hequr dorë nga blerja e këtij apartamenti dhe se i është kthyer shuma e 4 mijë eurove.

Gjyqtari Seci ka pretenduar para Komisionit se ky apartament i është shitur një personi tjetër, pavarësisht se kontratat e faturave janë ende në emër të tij, por Komisioni konstatoi se ai e ka fshehur këtë pasuri në deklaratën e vitit 2008.

Kryetari i Gjykatës së Tropojës është përballur edhe me një tjetër gjetje të Komisionit, lidhur me një deklaratë noteriale nga një person për dhurimin 20 mijë eurove për shpenzime familjare dhe vetjake. Relatori Komici pohoi se subjekti ka mohuar ta ketë nënshkruar këtë deklaratë dhe njohjen me personin me inicialet B.M, por KPK ka gjetur se ky shtetas kishte udhëtuar drejt Kosovës me makinën e përdorur nga Seci.

“Nga kjo rrethanë krijohet bindje e arsyeshme se gjyqtari Seci ka kryer deklarim të rremë për mosnjohje me personin B.M dhe mosmarrjen e 20 mijë eurove pa kthim nga ky person,” tha relatori Komici.

Lidhur me këtë konstatim, gjyqtari Dritan Seci dhe avokati i tij mbrojtës, Ridvan Shehu u shprehën para Komisionit se nuk ishin në dijeni të përdorimit të makinës nga B.M, për të cilën këmbënguli sërish se nuk e njihte.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar(DSIK) ka raportuar se nuk rezultonin informacione apo prova për kontakte të papërshtatshme të gjyqtarit Dritan Seci me persona të lidhur me krimin e organizuar.

Për aspektin profesional, pavarësisht raportit pozitiv të KLD-së që e ka vlerësuar me aftësi të mira organizative, etike e profesionale, hetimi administrativ i KPK-së ka zbuluar disa probleme. Në adresë të gjyqtarit Seci ka pasur tre ankesa, njëra prej të cilave ka rezultuar pa probleme. Në një prej çështjeve ka rezultuar se gjyqtari ka ndryshuar cilësimin e palëve pa dhënë shpjegim dhe pa marrë një vendim të ndërmjetëm. Në një tjetër rast, ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor pa njoftuar njërën pale, duke i hequr të drejtën e ankimit.

Relatori Olsi Komici përfundoi duke u shprehur se gjyqtari Seci kishte qenë bashkëpunues, por kishte refuzuar të kryente ballafaqim lidhur me pronësinë e apartamentit në rrugën e Durrësit në Tiranë, të cilin nuk e kishte deklaruar.

Përfaqësuesi ligjor i gjyqtarit Seci, Ridvan Shehu u ndal shkurtimisht në disa prej çështjeve të paraqitura si problematike nga Komisioni. Ai u shpreh se periudha kur nuk ishte ripërtërirë kontrata e qirasë së farmacisë kishte ndodhur për shkak të miratimit në heshtje të kontratës ekzistuese. Për apartamentin 75 m2 në “Rrugën e Durrësit”, avokati Shehu theksoi se subjekti ka pasur një kontratë sipërmarje të cilën e ka kthyer, dhe për shkak se atë pasuri e ka blerë dikush tjetër, ai nuk e kishte deklaruar. Ndërsa deklaratën për dhurimin e 20 mijë eurove ai e cilësoi si të paligjshme, pasi nuk është pranuar e nënshkruar nga pala tjetër.

Për përdorimin e mjetit nga shtetasi B.M., vetë gjyqtari Dritan Seci shpjegoi gjatë seancës dëgjimore të premten se kjo makinë mund të jetë përdorur edhe nga persona të tjerë, edhe nga vëllezërit e tij.

Relatori Komici e pyeti gjyqtarin Seci se çfarë mendonte lidhur me arsyen që mund ta ketë shtyrë shtetasin B.M. për të nënshkruar një deklaratë për dhurimin e 20 mijë eurove. Gjyqtari Dritan Seci u përgjigj se nuk e dinte dhe për këtë arsye kishte kërkuar ballafaqim me këtë person.

Në përfundim të seancës dëgjimore, kryesuesi i trupës gjykuese, Roland Ilia bëri me dije se vendimi do të shpallet më datë 11 mars, ora 09:00