Lajm11 Feb 2019

Kreu i Gjykatës së Vlorës akuzon kolegët: Vendimi për Dajtin, skandaloz

Kreu i Gjykatës së Faktit Vlorë cilësoi skandaloz vendimin për pranimin e gjykimit të shkurtuar për Dritan Dajtin, në të cilin ishin përfshirë dy gjykatës të Apelit të Vlorës. Ai tha se i kërkonte ndjesë oficerëve të policisë për vendimin.   

Autor: Jerola Ziaj BIRN Vlorë
Printo

Dritan Dajti gjatë një seance gjyqësore screenshot nga Youtube

Në një reagim të pazakontë kryetari i Gjykatës së Rrethit Vlorë, Skënder Haluca akuzoi kolegët e Gjykatës së Apelit për vendim skandaloz në rastin e Dritan Dajtit. “Duke pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar, duke hapur dyert e burgut këtij të pandehuri”, tha Haluca që thirri një konferencë për shtyp.

Haluca tha se kishte pritur reagimin e shoqatave të gjyqtarëve, por që sipas tij ato nuk patën kurajo. Ai tha se i kërkonte ndjesë çdo polici të thjeshtë dhe oficerëve të policisë të cilëve u kishte kërkuar mbrojtje për vendimin skandaloz të kolegëve.

“Jam i bindur se me mua sot,  bashkohen edhe pjesa dërmuese e gjyqtarëve të Shqipërisë”, tha Haluca. Ai tha se ky nuk ishte vendimi i parë i kësaj natyre dhe fajësoi kryesisht gjykatat e apelit për zbutje të dënimeve të rënda të dhëna në Shkallën e Parë.

Dy nga gjykatësit që votuan në favor të  pranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar që rezultoi automatikisht me heqje të dënimit me burg për jetë për Dritan Dajtin,  Petrit Aliaj dhe Skënder damini janë njëkohësisht gjyqtarë të Apelit të Vlorës që ishin komanduar për këtë çështje. Ndërkohë pro votoi edhe Aleks Nikolli, gjyqtarë i Apelit Shkodër. Kundër kërkesës së Dajtit kanë votuar gjykatësit Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha, po nga gjykata e Apelit e Shkodrës.

Vjerdha njëkohësisht kryetar i Gjykatës së Apelit po ashtu bëri një reagim jo të zakontë, ndërsa publikoi në faqen e tij në Facebook faqen e fundit të vendimit ku është shënuar edhe mënyra se si u votua.

Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda e plotësuar me gjykatës të Apelit të Shkodrës dhe Vlorës, vendosi të premten pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit, i dënuar më herët me katër burgime për jetë për vrasjen e katër oficerëve të policisë. Pranimi i kërkesës automatikisht zbuti dënimin në 25 vjet burg për Dajtin. Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftoi se do të bënte rekurs.

Dritan Dajti ishte dënuar pas një procesi të stërzgjatur nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësve të policisë Fato Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave me pasojë vdekjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, “Falsikimi i dokumentave” në bashkëpunim, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” duke falsifikuar dhe përdorur tre dokumenta policie, “Mbajtja pa   të drejtë e uniformës” duke mbajtur dokumente dhe shenja dalluese të Policisë së Shtetit.

Reagimet politike

Menjëherë pas vendimit opozita fajësoi qeverinë për të. “Një nga kriminelët më të rrezikshëm në Shqipëri, vrasësi i 4 Dëshmorëve të Atdheut, është lënë sot praktikisht i lirë nënkujdesin e plotë të Edi Ramës”, thuhej në një deklaratë të lëshuar nga zyra e shtypit e PD.

Qeveria nuk iu përgjigj menjëherë akuzave, por të dielën dy ditë pas vendimit, Ministri i Brendshëm dhe minstrja e Drejtësisë bënë dy deklarata ku dënonin vendimin dhe paralajmëruan masa ndaj gjyqtarëve, ndërsa akuzuan opozitën se kishte ushqyer këtë sistem drejtësie. Ministri i Brendshëm po ashtu paralajmëroi vënien në veprim të “Operacionit “Forca e Ligjit”, për atë që e quajti “atentat brutal ndaj drejtësisë”.

Të hënën ministrja e Drejtësisë Etilda Gjoni bëri një deklaratë të dytë, ku njoftoi se i kishte kërkuar këshillit të Lartë gjyqësorë procedim disiplinorë dhe shkarkim për tre gjyqtarët që kishin vendosur sipas saj në shkelje proceduriale për të pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar.  “Gjyqtarët Aleks Nikolli, Petrit Alia dhe Skëndër Damini, kanë pranuar kërkesë jashtë afateve të parashikuara nga ligji”, tha ministrja.

Por partia Demokratike e cilësoi këtë qëndrim hipokrizi. PD në një komunikatë për shtyp thotë se “parashikimet ligjore për shkeljet disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që citoi sot Ministrja e Drejtësisë, nuk ekzistojnë”. PD fajësoi qeverinë për mosplotësim të ligjit “për statusin e gjyqtarëve”.