Kundërshtarët e kryeministrit hungarez Viktor Orban druhen se një projektligj që i jep qeverisë kompetenca të papërcaktuara mund t’i hapë derë “diktaturës”.
Mos e humbisni kurrë mundësinë që ju ofron një krizë e mirë, shkroi dikur Niccolo Machiavelli. Kritikët e kryeministrit hungarez Viktor Orban thonë se ai po e ndjek këtë këshillë pasi po përdor emergjencën e koronavirusit për të forcuar kontrollin e tij të pushtetit.
Një projektprojektligj i paraqitur në parlament të premten do ta bënte të shpejtë dhe të lehtë që Orbani të prishë kontrollet dhe balancat demokratike – dhe për një periudhë të pacaktuar, thonë kritikët.
Hungaria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit, më 11 mars, duke i dhënë qeverisë kompetenca të veçanta, si për mbylljen e kufijve dhe mbylljen e shkollave, vendosjen e këshilltarëve ushtarak në kompani strategjike, si edhe për mbylljen e restoranteve dhe kafeneve pas orës 15:00.
Shumica e qeverive europiane kanë ndërmarrë hapa drakonianë në mënyrë të ngjashme. Disa kanë shkuar më tej, duke imponuar orare për mbylljen në shtëpi dhe duke nxjerrë ushtrinë në rrugë. Por analistët thonë se pak liderë i kanë kuptuar mundësitë politike të ofruara nga kriza, po ashtu edhe Orbani.
Sipas kushtetutës hungareze, qeveria mund të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për 15 ditë dhe çdo zgjatje duhet të miratohet nga parlamenti.
Por ministri i drejtësisë i Orbanit, Judit Varga, paraqiti të premten një projektligj duke u kërkuar partive të zgjasin masat e urgjencës për aq kohë sa qeveria e gjykon të nevojshme. Kritikët thonë se kjo i jep Orbanit mundësinë të sundojë si të dëshirojë ai.
Amnesty International dhe Komiteti i Helsinkit thonë se kjo lëvizje do të linte mënjanë parlamentin dhe do ta përqendronte pushtetin në duart e kryeministrit, pa ndonjë afat kohor. I takon qeverisë të vendosë se kur ka mbaruar kriza dhe kur të rivendosë funksionet legjislative dhe mbikëqyrëse të parlamentit.
“Tani është koha për unitet kombëtar dhe jo për luftime politike partiake”, i tha Orban parlamentit të hënën ndërsa kërkoi të përshpejtojë projektligjin, i cili kërkon që një shumicë prej katër të pestave ta miratojë atë (do të thotë se qeverisë i duhen edhe vota nga opozita).
Pas disa hezitimeve, partitë e opozitës vendosën të mos e mbështesin projektligjin.
“Asgjë nuk e justifikon dhënien e një mandati të përjetshëm Orbanit”, tha Peter Jakab, kryetar dhe drejtues i grupit parlamentar të partisë së ekstremit të djathtë Jobbik, në debatin parlamentar. “Atëherë vendin mund ta quajmë pa problem një mbretëri.”
Jakab e përshkroi projektligjin si një përpjekje për grusht shteti.
Para debatit, anëtarët e partisë liberale Koalicioni Demokratik u kujtuan ligjvënësve se nga 27 vendet e BE-së, 16 kanë prezantuar masa të posaçme ligjore, katër kanë vendosur rregulla speciale epidemiologjike dhe shtatë nuk kanë bërë asgjë. Por asnjë nga këto vende nuk ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për një periudhë të pacaktuar.
Deputetja e Koalicionit Demokratik Agnes Vadai tha për BIRN se nuk shihte asnjë shenjë gatishmërie për kompromis nga qeveria.
“Nuk ka asgjë që do të justifikonte dhënien e kompetencave të pakufizuara një qeverie – çdo qeverie, në çdo vend”, tha ajo. “Ne jemi dakord se gjendja e jashtëzakonshme duhet të zgjatet, por parlamenti duhet të ketë një farë kontrolli.
“Ne do të ishim të gatshëm të vijmë çdo ditë, nëse është e nevojshme, të marrim pjesë në punën parlamentare. Dhe madje mund të organizohet edhe votimi nga distanca, si në Parlamentin Europian.”
Duke pasur parasysh edhe rastet e mëparshme kur Orban e ka zgjatur gfjendjen e jashtëzakonshme, shumë prej tyre kanë pak besim në gatishmërinë e tij për të hequr dorë me dëshirë nga pushteti special.
Orban ka zgjatur një “situatë krize për shkak të emigrimit masiv”, të shpallur për herë të parë në vitin 2015, për jo më pak se katër vjet, pavarësisht nga fakti se kufijtë e Hungarisë janë të gjithë të mbyllur për azilkërkuesit.
Disa analistë shprehen se i druhen fillimit të një diktature në Hungari.
Gabor Torok, një analist politik dhe asistent profesor në Universitetin Corvinus të Budapestit, shprehet në mënyrë më të kujdesshme.
“I gjithë ky debati rreth diktaturës më duket shumë i dëmshëm”, tha ai në një intervistë të fundit për portalin e lajmeve Nyugat.hu. “Nëse kryeministri do të donte të fuste diktaturën në Hungari, ai do të mund ta bënte atë kur të dojë, duke përdorur shumicën e tij prej dy të tretave. Ai mund të shkruajë një kushtetutë të re, të anashkalojë Gjykatën Kushtetuese dhe të anulojë zgjedhjet. Ai nuk do të kishte nevojë për koronavirusin për këtë.”
Torok tha se duhet të ketë një afat kohor për masat emergjente, për të rritur besimin dhe për të ndërtuar unitetin e vërtetë kombëtar në një krizë. Edhe kështu, kohë të jashtëzakonshme kërkojnë masa të jashtëzakonshme dhe nuk mund të presim gjithmonë miratimin e parlamentit, tha ai.
Torok paralajmëroi gjithashtu që të mos shihen “lëvizje djallëzore” në çdo masë të ndërmarrë, pasi koronavirusi i ka zënë në befasi shumicën e qeverive dhe shumë në Europë po “veprojnë qorrazi”, duke i improvizuar në rrugë e sipër.
Por pak kritikë mendojnë se Orban po improvizon.
“Ne do ta zgjidhim këtë krizë pa ju”, i tha kryeministri opozitës në parlament të hënën.
Mate Kocsis, drejtuesi i grupit parlamentar të partisë qeverisëse të Orbanit, Fidesz, tha se qeveria do të vazhdojë para me projektligjin të martën e ardhshme duke përdorur procedurën normale, që do të thotë se një shumicë prej dy të tretave do të ishte e mjaftueshme. Duke pasur parasysh super shumicën e partisë Fidesz, qeveria nuk do të kishte nevojë për votat e opozitës.
Sido që të miratohet projektligji, analistët thonë se kjo do të forcojë kontrollin e pushtetit të Orbanit në një vend të njohur si një bastion i “demokracisë joliberale” në Europën Qendrore. Ata thonë se kjo do ta lejojë atë të qeverisë me dekret.
Ndërkohë, media e drejtuar nga qeveria kanë gjasa ta portretizojnë opozitën si të papërgjegjshme dhe jo atdhedashëse. Dhe mediat e pavarura druhen se Orban mund të përdorë legjislacionin për t’i shtypur ato.
Projektligji thotë se “nëse dikush publikon lajme të rreme ose fakte të shtrembëruara, të cilat mund të shkaktojnë konfuzion ose trazira, ai/ajo mund të dënohet me deri në pesë vjet burg”.
“Ky është një rrezik i vërtetë”, tha për BIRN Miklos Hargitai, presidenti i Shoqatës së Gazetarëve Hungarezë. “Mediat në Hungari kanë vite që janë të paprivilegjuara dhe të shtypura, kështu që nuk nevojiten më kufizime të tjera. Projektligji i ri është një kërcënim për këdo që punon në media, thjesht sepse ai/ajo shkruan për realitetin.
“Ne nuk e dimë nëse dhe si do t’i përdorë qeveria këto masa të ashpra, por mjafton thjesht që gazetarët ndihen të kërcënuar.”
Deputetja e Koalicionit Demokratik, Vadai, gjithashtu e sheh projektligjin si një kërcënim për median e pavarur.
“Ne nuk mund të mbështesim diçka të tillë”, tha ajo. “Kemi marrë mijëra emaile nga qytetarë të zakonshëm që na luten të mos i japim një mandat të pakufizuar qeverisë. Për fat të keq, shohim që qeveria nuk është e aftë të përfshihet në një debat, apo të jetë e hapur për kompromis. Ata duan thjesht të bëhet vullneti i tyre.”
Shumica e analistëve pajtohen që mungesa e besimit midis politikanëve nga kampe të ndryshme politike në Hungari është aq e thellë saqë edhe kriza e koronavirusit nuk ka gjasa të sjellë unitet.
Flitet edhe se besimi i Orbanit te partia e tij Fidesz u trondit pasi një fraksion parlamentar i bëri atij presion të mbyllte shkollat, kundër dëshirës së tij.
Një burim i cili nuk pranoi të identifikohej tha për BIRN se projektligji i ri mund ta “çlirojë” Orbanin nga partia e tij dhe ta ndihmojë atë të ndërtojë imazhin e tij personal si “shpëtimtari i kombit”.
Nëse është kështu, ai do të duhet të grumbullojë shumë vullnet të mirë publik pasi administrimi i pasojave ekonomike të pandemisë nuk do të jetë aspak i lehtë, shprehen analistët.