Analize24 Nov 2021

Kriza e çuar dëm e Perëndimit

Një vit që filloi me shpresë po përfundon i zymtë. Elitat politike perëndimore, të paafta (dhe ndoshta jo të gatshme) për ta kthyer një krizë vdekjeprurëse pandemike dhe klimatike në një mundësi për të ruajtur jetën, duhet të fajësojnë vetëm veten për këtë.

Autor: Yanis Varoufakis Project Syndicate Athinë
Printo

Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron. Foto: Facebook/Emmanuel Macron.

Aspekti pozitiv në renë e zymtë të pandemisë ishte mundësia që ajo i dha Perëndimit për të përmirësuar sjelljet e tij. Kjo u manifestua gjatë vitit 2020. Bashkimi Evropian u detyrua të mendonte për një bashkim fiskal. Më pas, ajo ndihmoi në largimin e Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë. Dhe një Marrëveshje e Re e Gjelbër globale papritmas u duk më pak e largët. Më pas erdhi viti 2021 dhe solli errësirën.

Javën e kaluar, në rishikimin e saj të stabilitetit financiar, Banka Qendrore Evropiane lëshoi ​​një paralajmërim të mbushur me ankth: Evropa po përballet me një flluskë pasurish të paluajtshme të vetëpërjetësuara të nxitura nga borxhi. Ajo që e bën raportin të rëndësishëm është se BQE-ja e di se kush po e shkakton flluskën: vetë BQE-ja, përmes politikës së saj të lehtësimit sasior (QE) – një term i sjellshëm për krijimin e parave në emër të financuesve. Është e ngjashme me kur mjekët tuaj ju paralajmërojnë se ilaçi që ju kanë përshkruar mund t’ju vrasë.

Pjesa më e frikshme është se nuk është faji i BQE-së. Arsyetimi zyrtar për QE-në është se sapo normat e interesit kishin rënë nën zero, nuk kishte asnjë mënyrë tjetër për të kundërshtuar deflacionin që kërcënonte Evropën. Por qëllimi i fshehtë i QE-së ishte të përmbyste borxhin e paqëndrueshëm të korporatave të mëdha me humbje dhe, aq më tepër, të shteteve anëtare kyçe të eurozonës (si Italia).

Pasi liderët politikë të Evropës zgjodhën, në fillim të krizës së euros një dekadë më parë, të mbeten në mohim për borxhet masive të paqëndrueshme, ata ishin të detyruar ta hidhnin këtë çështje kontroverse në prehrin e bankës qendrore. Që atëherë, BQE-ja ka ndjekur një strategji të përshkruar më së miri si fshehje e përhershme e falimentimit.

Javë pas goditjes së pandemisë, presidenti francez Emmanuel Macron dhe tetë krerët e tjerë të qeverive të eurozonës kërkuan ristrukturimin e borxhit nëpërmjet një eurobondi të duhur. Në thelb, ata propozuan që, duke pasur parasysh oreksin e pandemisë për borxhe të reja, një pjesë e konsiderueshme e barrës në rritje që shtetet tona nuk mund ta mbajnë (të pa ndihmuara nga BQE-ja) të zhvendoset mbi supet më të gjera, pa borxhe, të BE-së. Jo vetëm që ky do të ishte një hap i parë drejt bashkimit politik dhe rritjes së investimeve pan-evropiane, por gjithashtu do të çlironte BQE-në nga detyrimi për të rrokullisur një mal me borxhe që vendet anëtare të BE-së nuk mund ta paguajnë kurrë.

Për fat të keq, kjo nuk ishte e thënë. Kancelarja gjermane Angela Merkel e vrau përfundimisht idenë, duke ofruar në vend të saj një Plan Rimëkëmbjeje dhe Qëndrueshmërie, që ishte një zëvendësim i tmerrshëm. Jo vetëm që është makroekonomikisht i parëndësishëm, por ai gjithashtu e bën perspektivën e një Evrope federale edhe më pak tërheqëse për votuesit më të varfër holandezë dhe gjermanë (duke i futur në borxhe në mënyrë që oligarkët e Italisë dhe Greqisë të marrin grante të mëdha). Dhe, pavarësisht nga një element huamarrjeje të përbashkët, fondi i rimëkëmbjes është krijuar për të mos bërë asgjë për të ristrukturuar borxhet e papagueshme që BQE-ja ka dhënë vazhdimisht – dhe të cilat pandemia i ka shumëfishuar.

Pra, ushtrimi i BQE-së në fshehjen e përhershme të falimentimit vazhdon, pavarësisht nga frika e funksionarëve të saj: se do të mbahen përgjegjës për flluskën e rrezikshme të nxitur nga borxhi që po fryjnë dhe do të humbin arsyetimin e tyre zyrtar për QE-në ndërsa inflacioni stabilizohet mbi objektivin e tyre formal.

Shkalla e mundësisë që Evropa ka çuar dëm u bë e dukshme në Konferencën e fundit të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP26) në Glasgou. Si munden liderët e BE-së t’i japin leksione pjesës tjetër të botës për energjinë e rinovueshme kur Gjermania e pasur po ndërton termocentrale me linjit, Franca po dyfishon energjinë bërthamore dhe çdo shtet tjetër anëtar i BE-së i ngarkuar me borxhe të pa pagueshme është lënë të përballet vetëm me tranzicionin e gjelbër?

Pandemia i dha Evropës një hapje për të hartuar një plan të besueshëm për një Union të Energjisë së Gjelbër të financuar mirë. Me një eurobond, dhe për pasojë të çliruar nga purgatori i fshehjes së përhershme të falimentimit, BQE-ja mund të mbështeste vetëm bonot që Banka Evropiane e Investimeve lëshon për të financuar një Union të Energjisë së Gjelbër. Pra, po, Evropa e çoi dëm mundësinë e saj për ta udhëhequr botën me shembull larg varësisë së saj ndaj lëndëve djegëse fosile.

Ne evropianët nuk ishim vetëm, sigurisht. Ndërsa presidenti amerikan Joe Biden po zbarkonte në Glasgou, politika e zakonshme e korruptuar e Kongresit në vend po e shkëpuste axhendën e tij tashmë shumë të tkurrur të gjelbër nga një projekt-ligj për infrastrukturën, duke i lënë pas çështjet e ndryshimeve klimatike. Ndërsa Shtetet e Bashkuara, ndryshe nga eurozona, të paktën kanë një Departament Thesari që punon së bashku me bankën e saj qendrore për të mbajtur borxhet të qëndrueshme, ato gjithashtu kanë humbur një mundësi madhështore për të investuar shumë në energjinë e gjelbër dhe punët me cilësi të lartë të nënkuptuara nga tranzicioni nga lëndët djegëse fosile. Si mund të presë Perëndimi që të bindë pjesën tjetër të botës që të përqafojë angazhimet ambicioze të klimës kur, pas dy vitesh fjalë për tranzicionin e gjelbër, Biden dhe evropianët mbërritën në Glasgou praktikisht duarbosh?

Me mbylljen e vitit 2021, qeveritë perëndimore, duke humbur mundësinë e tyre për të bërë diçka për emergjencën e qartë dhe aktuale të problemit të klimës, po zgjedhin të fokusohen në shqetësime të ekzagjeruara. Njëri prej tyre është inflacioni. Ndërsa përshpejtimi i rritjes së çmimeve duhet të kontrollohet, krahasimet e përhapura me stagflacionin e viteve 1970 janë qesharake. Në atë kohë, inflacioni ishte thelbësor për një SHBA që hidhte në erë sistemin e Bretton Ëoods në mënyrë që të ruante “privilegjin e tepruar” të dollarit. Sot, inflacioni nuk është funksional për hegjemoninë amerikane. Përkundrazi, ai është një efekt anësor i mbështetjes së ekonomisë amerikane në procesin e financimit që shpërtheu në vitin 2008.

Paniku tjetër i Perëndimit është Kina. E iniciuar nga ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe e përjetësuar me zell nga Biden, lufta e re e ftohtë që po shpaloset ka një qëllim të papranuar: të mundësojë Ëall Street dhe Big Tech të marrin përsipër sektorët e financave dhe teknologjisë së Kinës. Të tmerruar nga progreset e Kinës, si një monedhë dixhitale funksionale e bankës qendrore dhe një qëndrim makroekonomik që është shumë më i sofistikuar se i tyre, SHBA-ja dhe BE-ja po zgjedhin një qëndrim agresiv që është një kërcënim i pamend për paqen dhe për bashkëpunimin global të nevojshëm për të stabilizuar klimën e planetit tonë.

Një vit që filloi me shpresë po përfundon i zymtë. Elitat politike perëndimore, të paafta (dhe ndoshta jo të gatshme) për ta kthyer një krizë vdekjeprurëse në një mundësi jetëgjatë, për këtë duhet të fajësojnë vetëm veten.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate The West’s Wasted Crisis

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *