Një monitorim i Këshillit Shqiptar të Medias vëren se gjatë muajve të karantinës në vitit e kaluar, mediat në Shqipëri shënuan regres në standardet e profesionalizmit dhe shpesh u transformuan në instrument përcjellës të deklaratave zyrtare duke humbur rolin e tyre si verifikuese të vërtetësisë së fjalëve të zyrtarëve të shtetit.
Një raport monitorimi i realizuar nga profesorët Artan Fuga dhe Mark Marku për llogari të Këshillit Shqiptar të Medias (KMSH) për lajmet e raportuara në edicionet informative të televizioneve si dhe materialet e emisioneve të debatit në dhjetë kanale televizive kombëtare si dhe në lajmet e publikuara në nëntë portale, vëren se cilësia e raportimit pësoi një rënie të ndjeshme në periudhën 9 mars – 31 maj 2020, kohë kur shqiptarët ishin të urdhëruar të qëndronin në shtëpi për pjesën më të madhe të ditës.
“Nga pikëpamja tematike, informacioni i mbuluar në këto media ka qenë ngushtësisht i lidhur vetëm me ecurinë e pandemisë, duke lënë boshllëqe në informimin e gjerë dhe të thellë për pasojat e shumta ekonomike, sociale, kulturore të shkaktuara nga Covid 19”, vëren raporti i studimit të KSHM-së, i cili u financua nga fondacioni Konrad Adenauer.
“Vetëm 34% e gjithë sasisë së lajmeve ishin për fusha dhe çështje që nuk kanë të bëjnë me
Covid 19. Ndërkohë që 66% e totalit të lajmeve mbulonin fushën e Covid 19”, citojnë gjetjet e raportit.
Prej kufizimeve që u imponuan pas 11 Marsit 2020 për shkak të përhapjes së pandemisë COVID-19, media u godit gjerësisht, kryesisht ajo e shkruar.
Të vetme fusha në media që mund të gjeneronin lajme ishin mjekësia dhe ekonomia, ndërkohë që kultura, sporti, jeta sociale apo kronika e zezë u paralizuan ashtu si edhe aktivitetet e përditshme.
Gazetarëve iu ndalua prezenca në konferenca për shtyp, ndërkohë që pjesa më madhe e lajmeve, të cilat vinin nga institucionet shtetërore komunikoheshin nëpërmjet rrjeteve sociale, pa praninë e medias.
“Mediat kishin si burime informacioni vetëm deklaratat e zyrtarëve të menaxhimit të krizës dhe postimet në rrjetet sociale të kryeministrit apo të funksionarëve të tjerë shtetërorë”, shkruhet në raport.
“ Konferencat e shtypit me gazetarëu zhdukën përgjatë gjithë periudhës deri në përfundim të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, gjë që solli shmangien e gazetarit dhe gazetarisë si ndërmjetës mes informacionit dhe qytetarëve”, vijojnë gjetjet.
Raporti mbi mediat dhe informimin qytetarëve u bazua mbi monitorimin e numrit të temave të emisioneve, profilin e të ftuarve në emisione, të ftuarve në edicione lajmesh, si edhe burimeve nga vijnë të dhënat që jepen në media.
Si pasojë, u konstatua se në mediat tradicionale ka patur një numër të pakët të informacioneve që vijnë nga dëshmitë e personave të prekur me COVID-19, apo dhe të shoqërisë civile.
Monitorimi gjithashtu vërejti se standardet kyçe të gazetarisë, të tilla si paanshmëria, ndershmëria dhe saktësia u goditën për shkak se lajmet e transmetuara u servirën të gatshme prej deklaratave të PR-ve të zyrave nga institucionet qeveritare, institucioneve të menaxhimit të pandemisë, partive politike, etj – pa marrë kohën dhe mundimin për të gjurmuar më në thellësi të vërteten dhe saktësinë në burimin e lajmit.
“Lajmi si gjini kryesore informative u shndërrua në transmetim të mesazheve të PR të zyrave të organeve shtetërore, ku informacioni i prodhuar nga gazetarët në terren në gjininë e reportazhit shkon nga 6% deri në 17% nëpër kanale të ndryshme televizive kombëtare”, citohet në raport mbi mungesat e reportazheve prej gazetarëve në terren.
Një tjetër gjetje negative ishte fakti se lajmi investigativ pothuajse u zhduk nga ekranet televizive shqiptare.
“Në gjithë periudhën tremujore të pandemisë u prodhuan vetëm tre lajme investigative dy nga kanale televizive, Euro News dhe ABC News”, shkruan raporti, kur në të vërtetë në një situatë të tillë kritike duhet të kishte ndodhur e kundërta me raportimet e gazetarisë investigative.
Të dhënat sasiore dhe cilësore të nxjerra nga raportit studimor treguan se ky fenomen i regresit të raportimit profesional mediatik në sistemin demokratik hibrid të Shqipërisë përbën një përpjekje për të përdorur sistemin mediatik në funksion të kontrollit të informacionit nga ana e qeverisë.
Siç shihet nga monitorimi, në edicionet informative mungon thuajse tërësisht përfaqësimi i palëve si dëshmitarë, shoqëri civile, dhe të tjerë, por edhe i problematikës që lidhet me këto kategori.
“Gazetarët mund të raportojnë shifra, me vdekjet, me të prekurit nga Covidi, por në
pjesën më të madhe të rasteve nuk mund t’i verifikojnë ato shifra”, vëren raporti mbi median dhe informimin e publikut.