Kriza e refugjatëve pritet të zërë vendin e bisedimeve ekonomike të parashikuara në Samitin e Vjenës për Ballkanin Perëndimor, i cili do të mbahet të enjten me në krye kancelaren gjermane Angela Merkel.
Kriza e refugjatëve kërcënon të marrë të gjithë vëmendjen në një konferencë të nivelit të lartë për perspektivat ekonomike të shteteve të Ballkanit Perëndimor që hapet në Vjenë të enjten.
Samiti përfshin zyrtarë të lartë nga BE-ja dhe Ballkani nën patronazhin e kancelares gjermane Angela Merkel dhe atij austriak Werner Faymann.
Liderët rajonalë, përfshirë kryeministra, ministra të jashtëm dhe ministra të ekonomisë, shpresojnë që BE-ja të ndihmojë duke financuar disa projekte në infrastrukturë.
Ata gjithashtu presin miratimin e Brukselit se janë në rrugën e duhur për procesin e integrimit në BE.
Samiti i këtij viti është pjesë e Procesit të Berlinit, një proces pesë-vjeçar i filluar gushtin e shkuar dhe që do të përbëhet nga samite të përvitshme për të treguar zotimin e zgjerimit të BE ndaj rajonit të Ballkanit perëndimor.
Fokusi i iniciativës janë shtetet e Ballkanit që nuk janë anëtarë të BE-së: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.
U lajmërua se çështjet kryesore të samitit në Vjenë do të jenë ‘infrastruktura dhe lidhshmëria’, bashkëpunimi rajonal dhe rinia.
Por kriza e refugjatëve tani kërcënon të dominojë në Vjenë pasi ‘itinerari i Ballkanit Perëndimor’ është bërë një nga rrugët kryesore për në Bashkimin Europian ndjekur nga qindra mijëra migrantë përbëjnë krizën më të keqe të refugjatëve në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Rreth 102,000 refugjatë kanë hynë në BE përmes Maqedonisë, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Shqipërisë, Malit të Zi ose Kosovës nga janari në korrik të këtij viti krahasuar me 8000 personat e të njëjtës periudhë për 2014, sipas agjencisë europiane të kufirit, Frontex.
Kurz tha të hënën gjatë një vizite në Maqedoni se Ballkani perëndimor ka nevojë urgjente për ndihmë nga Bashkimi Europian që t’ia dalë mbanë me krizën humanitare të shkaktuar nga numri i madh i refugjatëve që hynë në Maqedoni dhe Serbi gjatë rrugës për në BE.
“Shtetet në Ballkanin perëndimor janë lënë vetëm. Ato kanë nevojë për ndihmën tonë,” tha Kutz pasi vizitoi një kamp refugjatësh pranë qytetit Gevgelija, një pikë e madhe hyrëse për refugjatët dhe migrantët pranë kufirit jugor të Maqedonisë me Greqinë.
Përpara samitit, ministri i jashtëm i Bosnjës, Igor Crnadak dhe ministri i brendshëm malazez Rasko Konjevic do të nënshkruajnë të mërkurën një marrëveshje për kufirin mes dy vendeve – e para marrëveshje midis dy republikave ish-jugosllave.
Të mërkurën edhe Mali i Zi do të nënshkruajë një marrëveshje kufiri me Kosovën.
Takimi në Vjenë do të jetë një mundësi për prezantimin e projekteve të infrastrukturës në rajon për të cilin BE-ja ka premtuar një miliard euro.
Në një takim veçmas, kryeministri serb Vuçiç, ai i Kosovës Mustafa dhe kryeministri i Shqipërisë Rama, do të flasin me Bankën Europiane të Investimit dhe Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim rreth ndërtimit të një autostrade nga Nisi në Serbinë jugore në kryeqytetin Prishtinë të Kosovës deri në qytetin bregdetar të Durrësit në Shqipëri.
Edhe Bosnja po kërkon të përmirësojë infrastrukturën e vet dhe rrjetin rrugor. Një ditë përpara Samitit të Ballkanit Perëndimor, Forumi i Shoqërisë civile do të mbajë një debat me 200 pjesëmarrës mbi sfidat socialo-ekonomike të rajonit.