Lajm6 Apr 2020

Kriza nga epidemia, pezullohen nga puna pa pagë punëtorët e një Call Center

Dhjetra punëtorë të kompanisë Teleperformancë u pezulluan nga puna pa të drejtë page. Kompania citon si arsye shkurtimin e orëve të punës nga një prej klientëve të saj për shkak të krizës së COVID-19.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Foto ilustrim i një Call Center.

Një prej kompanive më të mëdha Call Center në Shqipëri ka pezulluar nga puna punëtorë të një fushata pa të drejtë page, për shkak të situatës së krijuar nga epidemia. Në një letër të firmosur nga një prej administratorëve të kompanisë vihet në dukje se Albania Marketing Service, e njohur gjërësisht si Teleperformanca, pezullonte kontratën me punonëtorë pjesë e një fushate për shkak të situatës.

“Duke filluar nga data 06.04.2020 Shoqëria AMS e ka të pamundur që t’ju zërë me punë gjatë periudhës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe është e detyruar të ndëroresë marrëdhëniet e punës. Palët nuk do të kenë asnjë detyrim ndaj njëra tjetrës”, thuhet në njoftimin e ndërprejes së punës të firmosur nga drejtues të kompanisë dhe shpërndarë në Facebook nga sindikata “Solidariteti”.

Në letër bëhet me dije se arsye për pezullimin e punës ishte shkurtimi i orëve të punës nga një prej klientëve të saj, për shkak të krizës. Kompania thotë se kontrata do të rifillojë në momentin e përmirësimit të situatës.

Sindikata e punonjësve të Call Center reagoi duke e cilësuar pezullimin pa të drejtë page si një shkelje të rëndë. “Një veprim i tillë nuk është vetëm shkelje e parimeve të të drejtave të punës, por krim dhe shkelje e të drejtave themelore të njeriut”, thuhet në reagim.

Në reagim sindikata vë në dukje se ishte pezulluar po ashtu pa të drejtë page edhe drejtuesi i saj, i cili punonte në këtë kompani, ndërsa akuzon kompaninë se nuk ka paguar ditët e ndërprerjes së punës pas karantinimit të një grupi punonjësish të cilët ranë në kontakt me një person të infektuar po ashtu punonjës në kompani.

BIRN nuk arriti të kontaktonte me përfaqësues të kompanisë dhe nuk mund të verifikonte numrin e punonjësve të pezulluar dhe akuzat e bëra ndaj kompanisë prej sindikatës.

Ndërkohë në reagimin e saj sindikata kërkoi ndërhyrjen e qeverisë. “Punëtorët nuk duhet të paguajnë barrën financiare të kompanisë si rezultat i fatkeqësive natyrore. Ndërhyrja e shtetit është e domosdoshme. Inspektorati i Punës duhet të marrë masat e nevojshme që punëtorët të mos mbeten në mëshirë të fatit dhe ditët e karantinimit të detyruar të paguhen plotësisht”, thuhet në reagim.

Kryeministri Edi Rama dhe qeveria kanë premtuar deri tani mbështetje financiare kryesisht për të vetëpunësuarit e mbetur pa punë, ndërsa qeveria tha se do mundësonte garanci sovrane për kompanitë e mëdha në mënyrë që ata të merrnin kredi për të paguar punonjësit.

Rama këmbëngul se skema do të funksionojë, ndërsa tha të hënën në faqen e tij në Facebook se për punonjësit për të cilët puna do të ndërpritej do të kujdesej qeveria. “Ndërkohë, për të gjithë të punësuarit e pamundësuar për punë nga lufta në sektorë të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë, qeveria po vlerëson mundësitë për të adresuar hallin e tyre në Paketën e Zgjeruar”, shkroi kryeministri. Por mënyra se si do të funksionojë kjo skemë është ende e paqartë.